“Gishti” solli dhimbjen e luftës në Teatrin Kombëtar

Kultura

“Gishti” solli dhimbjen e luftës në Teatrin Kombëtar

Më: 30 qershor 2015 Në ora: 09:18

“Gishti”, që u dha premierë në mbrëmjen e së hënës, në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Shfaqja “Gishti”, është me dramë e autores kosovare, Doruntina Basha inskenuar nga Erson Zymberi.

Humbja e një gjëje të vogël të bënë të mendosh ndoshta gjithë ditën për të, e mos të flasim për humbjen e një dashurie, e mbi të gjitha humbjen e fëmijës. Një nënë që pret burrin dhe djalin, e një nuse që pret bashkëshortin, dashurinë e jetës që e donte po aq sa veten. 75 minuta me shumë emocione e herë pas here të shoqëruara me lot, na i solli premiera e dytë për këtë muaj në Teatrin Kombëtar të Kosovës, “Gishti”, dramë kjo e Doruntina Bashës, që i dha jetë regjisori, Erson Zymberi me dy aktoret e njohura në Kosovë, Irena Cahani dhe Teuta Krasniqi.

Një dramë që fillon nga një gisht i prerë, duke përgatitur bukën për pritjen e dy burrave të shtëpisë, të cilët para dymbëdhjetë viteve dolën nga shtëpia për të mos u kthyer kurrë më. Një nënë e cila nuk pajtohet asnjëherë me fatin e keq të tyre, gjersa nusja apo siç e thërriste ajo Shkurta, më në fund arrin ta kuptojë se ata nuk do të kthehen, e që ato duhet të pajtohen me fatin që është shkruar për të dyja , por jo zemra e një nëne nuk mund ti bëjë ballë asaj. Kjo shfaqje që për herë të parë po luhet nga dy aktoret kosovare, nga publiku vendas mori shumë duartrokitje, e shumë bravo që dëgjoheshin kohë pas kohe, por jo vetëm kaq, pasi përfundoi gjithçka ata nuk i kursyen as fjalët e mira për to.

“Irena dhe Teuta janë ndër dy aktoret më të mira që i kemi, atëherë është një rikthim i jashtëzakonshëm, i fuqishëm dhe shumë i mirë. Loja e tyre ishte e shkëlqyer dhe publikun e mbajtën në tension për më shumë se një orë, dhe kësaj i ka ndihmuar edhe regjia e shkëlqyer e veçanërisht teksti, ku është një ngjarje që të gjithë ne në njëfarë mënyre e bashkëndjejmë sepse, nëse jo neve, i ka ndodhur dikujt që e njohim. Kështu që përveç lojës fantastike, regjisë e tekstit është edhe ngjarja ajo e cila na ka rrëmbyer”, tha për KultPlus aktori, Fatmir Spahiu.

“Gishti” si dramë jo vetëm që është mbushur me kritika nga më të mirat, por në vitin 2012 edhe është shpërblyer me çmimin si drama më e mirë në rajon, e kësaj radhe pasi teksti i Doruntina Bashës ishte në duart e regjisorit, Erson Zymberi edhe ky i fundit u lavdërua për punën që ka bërë. “Si paketë regjisoriale më duket që Ersoni e ka zbërthyer më së miri këtë tekst. Janë dy personazhe që nuk zbërthehen shumë lehtë, dhe duhet shumë koncentrik për ta prekur atë ndjesinë shpirtërore çfarë këto dy personazhe e kanë brenda vetë vetës. Mënyra që na ka sjellë dhe e ka zbërthyer Ersoni është mënyra më e mirë dhe më skenike, pasi që këtë tekst e kam parë edhe në vende të tjera, por kjo e Ersonit është e shkëlqyer”, theksoi regjisori, Naser Shatrolli.
Ndërsa dramaturgia, Doruntina Basha tha se sfida më e madhe do të jetë nëse shfaqja përballet me një publik ku kanë me qenë anëtarët e familjeve të personave të zhdukur, për shkak se siç tha ajo, këtë tekst e ka shkruar për ata, e ajo beson shumë që do të bëhen mundësitë që edhe ata ta shohin.

E krejt për fund, ndoshta ende nën emocione aktorja, Irena Cahani fillimisht theksoi se është ndjesi shumë e mirë sa herë që luan në teatër, pasi që rikujtojmë që kjo shfaqje këtë aktore e rikthen në teatër pas shtatë vitesh, ndërsa aktoren Teuta Krasniqi pas dy vitesh. “Sa herë që luan në teatër është ndjesi e mirë, e aq më mirë është kur ke një tekst kaq të mirë, ku unë nuk e di a ka ndonjë dramaturg të ri të Kosovës që di të shkruaj më mirë se Doruntina. Ka qenë një kënaqësi shumë e madhe pasi që kemi qenë një grup i vogël dhe jemi kuptuar mjaftë mirë. Regjisori ka qenë shumë bashkëpunues, asnjëherë nuk ka pasur ndonjë ankesë, gjithmonë na ka pyetur edhe neve se çka është më e mira. Ersoni ka qenë një prej regjisorëve më bashkëpunues që kam punuar unë ndonjëherë”, u shpreh Cahani.
“Gishti”, do ti ketë edhe dy repriza që do të jenë nesër, pra me datën 30 qershor dhe të mërkurën me datën 1 korrik, duke vazhduar kështu me radhë, gjithmonë nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës./kultplus

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat