U hap ekspozita me piktura e autores Valdete Berisha

Kultura

U hap ekspozita me piktura e autores Valdete Berisha

Më: 28 maj 2015 Në ora: 21:56

Në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë, është hapur ekspozita me piktura të autores, Valdete Berisha, e cila u mirëprit nga artdashësit mitrovicas.

Pikturat përmbanin motive të ndryshme nga jeta idilike, jeta në fshat, traditat tona, sidomos nga rajoni i Drenicës, prej nga vjen edhe vet autorja, por nuk mungonin as piktura me motive bashkëkohore. Në hapjen e ekspozitës morën pjesë një numër i madh artdashës.
Jehona Shyti, këshilltare e ministrit Memli Krasniqi, tha se është kënaqësi e veçantë, që po hapet një ekspozitë e një bashkëqytetareje tonë, e cila prej shumë vitesh jeton dhe vepron në diasporë dhe vjen sot këtu për të prezantuar vlerat tona kulturore përmes pikturave të saj.
“Përveç ekspozimit të vlerave dhe traditave tona kombëtare këtu në Mitrovicë, pikturat e saj janë ekspozuar edhe në shtetet e ndryshme perëndimore, si në ekspozita individuale ashtu edhe kolektive, për të cilat autorja ka marrë edhe çmime dhe është vlerësuar sa herë për vlerat e pikturave të saj”, tha Shyti.
Zëdhënësi i Komunës, Hysni Syla, pasi vlerësoj pikturat e Berishës, tha se për herë të parë në hapjen e një aktiviteti të këtillë kulturor, janë prezent më shumë artdashës të gjinisë femërore sesa ajo mashkullore. “Kjo ekspozitë është një befasi e këndshme nga bashkëqytetarja jonë, e cila me veprimtarinë e saj artistike ia përmirëson imazhin qytetit tonë”, tha Syla.
Autorja e pikturave, Valdete Berisha, falënderoj të gjithë pjesëmarrësit e ekspozitës, të cilëve edhe ju premtoj se në mënyrën më të mirë të mundshme do ta përfaqësoj Mitrovicën, përmes veprimtarisë së saj në pikturë.
Piktura nuk mbetet aktiviteti i vetëm kulturor i zonjës Berisha. Ajo merret edhe me poezi. Këto ditë ka dal nga shtypi libri i saj “Ta putha lotin”, ndërkaq dy librat e saj të parë, “Mos e zgjo dhimbjen” dhe “Gotë e thyer”, ka kohë që janë në treg.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat