Shfaqja e Kosovës “AMOK” merr çmim në Mongoli

Kultura

Shfaqja e Kosovës “AMOK” merr çmim në Mongoli

Më: 28 maj 2015 Në ora: 09:59

Shfaqja “AMOK” është kthyer me çmimin për “Regjinë më të mirë” nga Festivali Ndërkombëtar Teatror “SAINT MUSE -12”, që u mbajt ne Ulanbator të Mongolisë prej 17 deri me 23 Maj 2015.

Festivali “Saint Musë” është Festivali më i madh i artit performativ në Mongoli në nivelin vendor dhe ndërkombëtar. Ky Festival ka tre kategori të konkurrencës, atë të shfaqjeve Muzikore, të Monodramës dhe të shfaqjeve për Fëmijë.

Në natën Solemne të Festivalit, në kategorinë e konkurrencës së Monodramës, regjisorja Elmaze Nura u shpërblye me Çmimin “Regjia më e mirë” për shfaqjen “AMOK”.

Në konkurrencë të Monodramës ishin emrat më eminentë të këtij zhanri teatror që vinin nga nëntë shtete të ndryshme: Mongolia, Rusia, Zvicra, Kina, Gjermania, Korea, Estonia, etj.

Regjisorja Nura, më këtë rast, u shpreh se shfaqja kosovare është mirëpritur jo vetëm nga Juria e përbërë prej gjashtë personaliteteve të teatrit, të cilët kanë dhënë verdiktin e tyre, por gjithashtu edhe nga kritika dhe publiku në Festivalin Ndërkombëtar në “Saint Muse”.

“AMOK”, është shfaqje në të cilën, Elmaze Nura ka dëshmuar, se me një regji kreative, me një koncept original, mund të bëhet një performancë e jashtëzakonshme, e cila edhe i ka tejkaluar pritjet e produksionit.

“Ndjehem e nderuar që në nivelin ndërkombëtar u vlerësova për “Regjinë më të Mirë”. “Amoku” është shfaqje e cila ka kërkuar punë hulumtuese të gjatë dhe bashkë më aktorin Mentor Zymberaj dhe më dramaturgen Nina Mazur, kemi punuar gjatë që të arrijmë në një nivel të tillë. Ky çmim ka ardhur si rezultat i përkushtimit të të gjithë ekipit dhe sigurisht që meritat shkojnë tek secili”, citohet të ketë thënë ajo.

“AMOK”, është shpërblyer me disa çmime ndërkombëtare në Rumani, Maqedoni, Kirgistan, etj. Kudo ku është prezantuar, njohësit e teatrit, kanë dhënë vlerësime të veçanta për aspektin regjisorial.

Për regjisoren, e cila është Profesoreshë në fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, konkurrenca në festivale të tilla ndërkombëtare është verifikim i vetvetes, i punës dhe i nivelit.

“Në të gjitha këto festivale që kemi marrë pjesë, në këto vitet e fundit, jo vetëm më shfaqjen “AMOK” por edhe më shfaqje të tjera, jam ndier shumë e fortë, sepse puna jonë është çmuar, vlerësuar dhe përkrahur”, tha ajo.

Përndryshe “AMOK”, është shfaqje premierë e vitit 2014, e “Shtëpisë Teatrore Filmike - AKT”, e cila është shfaqur në Skenën e Madhe të Teatrit Kombëtar. Teksti i shfaqjes “AMOK” është shkruar nga Nina Mazur, bazuar në veprën më të njëjtin titull të S. Cvajg, ndërsa luan Mentor Zymberaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat