Haziri: Të gjitha librat, dëshmitë e këngët që zbardhin historinë e Gjilanit do të subvencionohen

Kultura

Haziri: Të gjitha librat, dëshmitë e këngët që zbardhin historinë e Gjilanit do të subvencionohen

Më: 22 maj 2015 Në ora: 15:42

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në konferencën e sotme për media ka folur për një sërë veprimesh që janë ndërmarrë dhe do të ndërmerren nga Komuna lidhur me investimet e mëdha gjithandej territorit të Komunës së Gjilanit.
Kryetari Haziri tha me këtë rast se në qershor pritet të filloj ndërtimi i parkut në lagjen “Dardania”, i bibliotekës së qytetit dhe i stadiumit të qytetit, që janë bashkëinvestime me Komisionin Europian.
“Komuna e Gjilanit ka ndërmarrë të gjitha veprimet për menaxhimin e buxhetit dhe investimeve kapitale, që përfshijnë ndërtimin dhe zgjerimin e rrugëve, rehabilitimin e rrugëve dhe rehabilitimin e infrastrukturës në përgjithësi. Në fazën e parë ne kemi shpallur punë në infrastrukturë që përfshinë pjesën urbane të qytetit, poashtu edhe vendbanimet e fshatrat, apo lidhjet kryesore në mes të qytetit dhe fshatit. Një numër i madh i objekteve janë në ndërtim si pjesë e investimeve të Komunës, ndërsa pjesa tjetër që përfshin Komisionin Europian do të fillojmë nga qershori, siç është ndërtimi i parkut në lagjen “Dardania”, fillimin e ndërtimit të bibliotekës së qytetit, fillimin e ndërtimit të stadiumit të qytetit. Këto janë punë të mbetura dhe presioni jonë ka bërë që të ndërtohen. Natyrisht, një pjesë e punëve tjera në infrastrukturë do të shkoj në ndërtimin e kanalizimit në Dobërqan, Bresalc, Përlepnicë, Llashticë, Zhegër, Ponesh e kështu me radhë”, ka thënë kryetari Haziri.
Kryetari Haziri tha se janë duke u bërë punë të mira edhe në rregullimin e rrjetit të ujësjellësit.
“Rehabilitimi i rrjetit të ujësjellësit nëpër fshatra është investim i Komunës dhe qeverisë zvicerane, me të cilën do të punohet në rishikimin e funksionalitetit të rrjetit dhe ne do të nënshkruajmë marrëveshje mirëkuptimi me kompaninë regjionale “Hidromorava”, në mënyrë që ata të bëhen përgjegjës të rrjetit dhe të riparimeve në të ardhmen”, ka shtuar ai.
Haziri ka ftuar grupet kulturore, shoqërore dhe të gjitha ato grupe që kanë rezultate të veçanta që t’i nominojmë kandidatët e tyre për çmimin e lirisë, i cili do të jepet në ditën e çlirimit të Gjilanit.
“Jemi në prag të shënimit të ditëve të lirisë në Gjilan dhe prej 12 deri më 15 qershor Gjilani do të jetë në festë që përfshinë edhe datën kryesore duke organizuar aktivitete të ndryshme. Unë ftoj publikisht të gjitha grupet kulturore, shoqërore dhe të gjitha ato grupe që kanë rezultate të veçanta që t’i nominojmë kandidatët e tyre për çmimin e lirisë, i cili jepet në kuadër të mirënjohjeve dhe aktiviteteve që Gjilani do t’i shpërndaj edhe për studentët më të mirë, edhe për arsimtarët më të mirë dhe për të gjitha kategoritë në mënyrë që ne ta bëjmë festën më madhështore”, tha Haziri.
Kreu i Gjilanit u zotuar se të gjitha librat, shkrimet, dëshmitë e këngët që zbardhin historinë e Gjilanit do të subvencionohen nga ana e Komunës.
"Të gjithë ata që shkruajnë libra apo gjithçka që Gjilanin e identifikon me historinë me të tashmen dhe me gjithçka që Gjilanin e nxjerrë si zbardhje e historisë, Komuna garanton subvencionimin e plotë të botimit të të gjitha veprave, librave, të gjitha dëshmive, këngëve dhe të gjitha atyre që shkruhen dhe zbardhen për Gjilanin. Duhet ta zbardhim dhe ta pasurojmë historinë tonë në kuadër të 70-vjetorit të lirisë së qytetit", u shpreh kryetari Haziri.
Krejt në fund, Haziri tha se është krenar dhe i nderuar që Gjilani u nderua nga panairi ndërkombëtar i mbajtur në Zurich me çmimin “The best City Model Award", ku Gjilani me këtë çmim paraqitet si shembulli më i mirë për investime të huaja në rajon, duke shtuar se “nuk i komenton deklaratat e atyre që nuk kanë arritur ta kalojnë Llabjanin”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat