Tirane: Shfaqje, per Diten Kombetare te Jetimeve Shqiptare...

Kultura

Tirane: Shfaqje, per Diten Kombetare te Jetimeve Shqiptare...

Nga: Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues Më: 21 maj 2015 Në ora: 13:46

Mbrëmë, me rastin e 20 Majit, Ditës Kombëtare të Jetimëve, Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, organizoi koncertin-homazh, “Një mesazh për ty”, në sallën e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit të kryeqytetit. Të pranishëm ishin fëmijë, edukatorë e mësues, punonjës të arsimit e kulturës, personalitete të jetës politike e shoqërore, përfaqësues të bashkësive fetare, nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj.
Ishte i pranishëm në këtë shfaqje dr. Halim Kosova, i cili krijoi për fëmijët e braktisur, në Maternitetin e Tiranës, “Djepin e engjëjve”. Gjithashtu, ishin të ftuar nderi disa autorë dhe aktorë të filmave për fëmijë. Nga ata, ndodhej Petraq Qafëzezi, skenarist i filmit “Lulëkuqet mbi mure”, i cili kishte ardhur posaçërisht nga Italia, ku jeton familjarisht
Idea dhe realizmi i shfaqjes ishin nga Ilir Çumani, me regjisor Bujar Kokonozin dhe drejtor artistik Zhani Cikon.
Pasi në ekran u shfaqën fjalët e Nënë Terezës: “Jetojmë në një botë që vuan nga uria. Jo vetëm nga uria për bukë, por nga uria për dashuri”, u dhanë montazhe nga jeta e jetimëve tanë, në institucione të ndryshme të Shqipërisë. Më tej, moderatorët Silvana Braçe e Herion Mustafaraj (aktor-fëmijë, në filmin “Beni ecën vetë”) nisën ta paraqesin programin e përgatitur, para të pranishmëve.
E para përshëndeti artistja e njohur Roza Anagnosti-Xhuxha. Në vazhdim, kënduan me radhë: Sidrit Bejleri, Juliana Pasha e Bashkim Alibali.
Pasi u dha në ekran një intervistë e vitit 2002, artistit të paharruar, Kadri Roshi, dolën para të pranishmëve në këtë shfaqje, këngëtarët: Myfarete Laze, Gëzim Nika e Manjola Nallbani. U duartrokit për paraqitjen e tij edhe grupi polifonik “Çipini”.
Gjithashtu, u pëlqyen recitimi i artistes Margarita Xhepa dhe interpretimet e Kozma Dushit e Luan Zhegut, i cili këndoi bashkë me fëmijët. U duatrokitën nxehtësisht vallja e shkathët e një grupi fëmijësh dhe artistë të tjerë, që morën pjesë në këtë koncert-homazh. Ai ishte në vazhdën e veprimtarive të përvitshme, që organizon Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, i cili drejtohet me përkushtim, nga Ilir Çumani. Prandaj të pranishmit u larguan të kënaqur dhe morën me vete emocione e mbresa të bukura.
Përmbledhurazi, mesazhi i tërë kësaj shfaqjeje ishte, për institucionet shtetërore përgjegjëse dhe mbarë shoqërinë shqiptare: “Duajini, ndihmojini dhe mbrojini fëmijët tanë jetimë!”
Me këtë rast, duhen përshëndetur e përgëzuar edhe të gjithë sponsorët, të cilët u treguan të pakursyer e bashkëpunuan, si për organizimin dhe zhvillimin e tërë kësaj veprimtarie artistike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat