Nazime Visha vishet nuse në skenën e Teatrit Kombëtar

Kultura

Nazime Visha vishet nuse në skenën e Teatrit Kombëtar

Më: 20 maj 2015 Në ora: 16:06

Nazime Visha, vajza që nxiti debat mes shoqërisë civile dhe drejtësisë, në duhet të kishte një dënim më të butë, për vrasjen që i bëri dhunuesit të saj, është ngjitur dje në mbrëmje e veshur si nuse në skenën e Teatrit Kombëtar. Me flokët e krehur hedhur mbi supe, një tualet të lehtë, ajo kishte zgjedhur një fustan nusërie të shkurtër, me një vello mbi flokë. Përtej xhamave, të cilat nën konceptin e skenografisë së Klod Dedjas, simbolizonin pragun që i ndan të burgosurat nga bota e lirë, ajo eci e lirë, plot feminitet, duke e fshehur trishtimin e gjithë kësaj ngjarjeje në jetën e saj, nën butësinë e së bardhës së veshjes.

Sikur të ishte një aktore, Nazime Visha foli me gjuhën e trupit dhe thjesht numëroi vitet, muaj, javët, ditët, orët, sekondat që i kishin mbetur përtej hekurave. Ajo u duk e bukur, duke sfiduar kështu fatin, dhe për të jetuar disa momente nusërinë, aq shumë të ëndërruar, brenda skenës së një teatri … Nën masa të rrepta sigurie, (Teatri Kombëtar i rrethuar me policë), shtatë të burgosura të Burgut 325 janë ngjitur dje në mbrëmje në një performancë të quajtur “Prag”, nën regjinë e Ema Andreas. Një zgjedhje e menduar mirë nga Andrea, e cila jo vetëm solli një shfaqje të realizuar estetikisht, por dhe përcolli një mesazh ndërgjegjësues mbi rëndësinë e lirisë dhe mënyrës sesi duhet të sillemi me të.

Zëri i një violine ka hapur siparin e shfaqjes, për të hyrë një nga një shtatë “aktoret”. Të veshura me rrobat e tyre më të mira, ato u vendosën pranë njëra-tjetrës bri xhamave, për të nisur kështu një rrëfim aspak të zakonshëm për skenën e këtij teatri. “Unë jam lulja e harruar e pranverës … Unë jam zemra e braktisur nga dashuria … Unë jam një zog i lumtur në shtegtim …”, dëgjohej zëri i tyre teksa endeshin në skenë. Në skenë ato ishin pa emra, pasi më shumë se emri rëndësi kishte historia dhe përjetimi i tyre. Me zërin e një nëne që ka katër vjet pa i parë fëmijët e saj, njëra prej tyre nisi një rrëfim emocionues mbi mallin. Vetëm kur dëgjoje këtë grua mund të kuptoje çfarë është malli. “Fati e deshi që unë të jem këtu. Oh sa më ka marrë malli për fëmijët! Kam katër vjet që flas vetëm në telefon. Pse o Zot më dënove kaq shumë? Më ka marrë malli për shtëpinë time, t’u gatuaj dhe njëherë fëmijëve të mi. Kam mall për natyrën, gjelbërimin, lulet, delet, por më shumë kam mall për fëmijët … ata janë gjithçka për mua. O Zot të lutem ma kthe lumturinë! …”, u shpreh njëra prej tyre. Teksa lante rrobat në një govatë të improvizuar, pasi e gjithë skena ishte kthyer në një sinonim të ambientit të tyre të përditshëm, një tjetër e burgosur tregoi dëshirat e saj. Ajo imagjinoi kthimin në shtëpi, gatimin që u bëri fëmijëve dhe foton e saj me dy fëmijët në mur, çka tregonte se ata nuk e kishin harruar … Me zërin e një aktoreje, sikur të kishte kohë që qëndronte në skenë, një tjetër e burgosur përloti sallën me rrëfimin e saj mes lotësh. Ajo solli në kujtesë datën 15 shtator 2011, ditën kur për herë të parë çoi djalin e vetëm në shkollë në klasë të parë. Disa ditë më parë, ata kishin dalë bashkë për të bërë pazare, i kishte blerë çantë, këmishë dhe djali i kishte kërkuar një palë xhinse me rrudha. Dhe pse 6 vjeç, ai dinte të zgjidhte diçka të bukur. Ajo kujtoi si e kishte lënë në bankë, bashkë me të shoqin, kthimin e tij të parë nga shkolla dhe flamurin e parë.

“Një ditë ai erdhi dhe më tha: Mami, babi mora flamur, a do të më jepni lekë. Dhe ne i thamë nëse merr gjithmonë flamur do të japim lekë”, tregoi ajo me një rrëfim që u ndërpre disa herë nga lotët. Përtej trishtimit që jetët e tyre mbartnin, si dhe vetë rrëfimet, regjisorja Andrea kishte futur dhe një element ironie, siç ishte fjalimi i njërës prej të burgosurave, e cila teksa hidhte kandidaturën, u bënte thirrje atyre që janë jashtë, të futen në burg, pasi aty i ke të gjitha pa para, madje dhe rojat. “Prag” ishte dje një shfaqje ku ndërthurej shija e një teatri të gjallë, ku emocionet më shumë se në çdo vepër tjetër ishin të drejtpërdrejta. Përmes jetës së tyre, shtatë të burgosurat dhanë dje një mesazh të madh për lirinë dhe mënyrën sesi duhet ta shohim jetën. Ndërsa regjisorja Andrea duket se ua ka bërë më të lehtë tashmë qëndrimin në burg shtatë femrave, që janë kthyer dje në qeli me shijen e duartrokitjeve të gjata, që do të qëndrojnë gjatë në kujtesën e tyre … si një shenjë që diku ato mund të kthehen sërish …

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat