MKRS diskuton me komuna rreth Hartimit të Strategjisë për Kulturë 2016-2020

Kultura

MKRS diskuton me komuna rreth Hartimit të Strategjisë për Kulturë 2016-2020

Më: 20 maj 2015 Në ora: 15:12

Nën organizimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me përfaqësues të drejtorive të Kulturës, Rinisë dhe Sportit të komunave të Kosovës, filluan punimet e diskutimet rreth Hartimit të Strategjisë për Kulturë për vitin 2016-2020 të cilën po e harton MKRS.

Në këtë takim pune u diskutua rreth rëndësisë së hartimit të një strategjie të tillë, adresimit të nevojave dhe problemeve që kanë komunat në fushën e kulturës, si dhe nevojën e thellimit të bashkëpunimit mes komunave dhe MKRS-së.

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti theksoi se Strategjia për Kulturë është një dokument i rëndësisë së domosdoshme për zhvillimin e gjithëmbarshëm të kulturës së vendit tonë.

“Bazuar në faktin se komunat e Kosovës janë aktorë të rëndësishëm dhe pjesë përbërëse për hartimin e Strategjisë së Kulturës. Jam i bindur se nuk do të mungojë përkushtimi i juaj profesional dhe i veçantë për të kontribuar në hartimin e këtij dokumenti strategjik”, iu drejtua zëvendësministri Hoti përfaqësuesve pjesëmarrës të institucioneve qendrore e lokale.

Ndërkaq, Kamuran Goranci, drejtor i Departamentit për Kulturë në MKRS, në cilësinë e udhëheqësit të ekipit të punës për hartimin e Strategjisë për Kulturë 2016-2020 foli rreth rëndësisë së hartimit të kësaj strategjie.

“Si grup punues kemi mbajt takimin e parë dhe kemi sugjeruar dhe vendosur që në të ardhmen të krijojmë një gjendje të përgjithshme të kulturës, edhe institucionale, edhe të pavarur në tërë Kosovën dhe mbi bazën e saj të vijmë deri te opsionet e objektivave dhe synimeve për të ardhmen”, tha ai, duke kërkuar angazhimin dhe plotësimin me informacion e të dhëna edhe nga ana e komunave.

Nga ana tjetër, Feim Hoxha, Drejtor i Departamentit Ligjor në MKRS tha se ky vit do të jetë vit dinamik sa i përket legjislacionit në fushën e kulturës.

Ai përmendi se Ligji për Ansamblin Shota dhe Ansamblet e tjera shumë shpejtë do të fillojnë të plotësohen dhe gjithashtu është duke u hartuar koncept dokumenti për muzetë.

Kurse përfaqësuesit e drejtorive të kulturës nga komunat e Kosovës theksuan se është tepër i rëndësishëm dhe i nevojshëm hartimi i Strategjisë për Kulturë. Ata gjithashtu kërkuan që të intensifikohen takimet mes komunave dhe Ministrisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat