“Gishti” inskenohet edhe në Kosovë, premiera në fund të qershorit

Kultura

“Gishti” inskenohet edhe në Kosovë, premiera në fund të qershorit

Më: 20 maj 2015 Në ora: 11:17

Një shfaqje që ngërthen në vete marrëdhënien e pozitës së femrës në shoqërinë tonë kosovare e cila pozitë do të duhej të shikohet dhe trajtohet ndryshe, flet për një fat të rëndë të dy personazheve, vjehrrës dhe nuses, të cilat, njëra pret burrin dhe djalin, e tjetra burrin, të cilat nuk janë të bindura që ata kanë vdekur. Të dyja, përderisa njëra është shumë e lidhur me djalin në kuptimin e dashurisë amësore, nusja është më praktike dhe i vjen momenti kur ajo dëshiron ta dijë që ajo gjë veç ka ndodhur dhe nuk do të kthehen më. Të dyja janë personazhe shumë të vuajtura që gjatë gjithë kësaj kohe monotonia dhe rutina e jetës i ka bërë të ndihen goxha të rënduara në anën psikike , sepse, çdo dhimbje tjetër është më e lehtë, sesa dhimbja që kalojnë këto të dyja.

Kjo është drama, “Gishti”, i autores, Doruntina Basha, dramë kjo që është jetësuar në kuptimin e realizimit skenik në shumë teatro të njohura në regjion dhe më gjerë, e që tanimë i erdhi radha që të inskenohet edhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës e që do të jetë nën regjinë e regjisorit, Erson Zymberi. Për të parë nga afër se si po realizohen provat e kësaj shfaqje që kanë filluar qysh para një jave, KultPlus realizoi një intervistë më të detajuar në lidhje me tematikën dhe trajtimin e kësaj drame, ku regjisori, Zymberi u shpreh shumë i kënaqur që është regjisor i këtij teksti të mrekullueshëm, i cili për herë të parë po vjen në Kosovë.

“Realisht në momentin e parë kur unë e kam marrë dramën dhe e kam lexuar tekstin më ka lënë përshtypje jashtëzakonisht të mëdha, fakti që natyra e shkrimit të dramës, gjuha e personazheve dhe ndërtimi i rrethanave ka qenë i ndërtuar në njëfarë forme shumë interesante dhe jo klasike, e cila më ka bërë përshtypje të magnetizohem me tekstin dhe nuk më ka lënë rehat deri në momentin kur unë kam vazhduar ta lexoj e rilexoj disa herë. Kjo ka qenë përshtypja e parë e cila zakonisht nuk është përshtypje e gabuar dhe e cila pastaj është përkthyer në formë artistike dhe kemi filluar me provat e para. Tani jemi në fazën e leximit të analizimit të këtij teksti brenda për brenda kornizave që ai na ofron”, tha ndër të tjera ai duke vazhduar të sqaroj se kjo shfaqje, përveç raportit që jemi mësuar ta shohim vjehërr dhe nuse në Kosovë, që në plan të parë ndoshta duket shumë banale, realizimi i saj fsheh diçka shumë më të madhe sesa ky raport dhe kjo marrëdhënie e këtyre dy personazheve.

E rolet për këtë shfaqje e cila vetëm nga provat e para duket të jetë një shfaqje që do të bëjë bujë në teatër i bartin dy aktoret shumë të dëshmuara në punën e tyre, që janë Irena Cahani në rolin e vjehrrës dhe Teuta Krasniqi në rolin e nuses. Por jo vetëm kaq, “Gishti” do ti rikthen në skenë këto dy aktore pas një kohe thuajse të gjatë, që për Irena Cahanin janë shtatë vite pa luajtur në shfaqje, kurse për Teuta Krasniqi dy vite.

Edhe pse kishin mjaft punë për të bërë, aktoret nuk hezituan të flasin për KultPlus, dhe për të treguar në detaje për rolet e tyre.
“Kur e kam lexuar tekstin ta them të drejtën më ka marrë me vete shumë, sepse trajton një temë e cila tek ne është shumë aktuale, pra zhdukja e njerëzve, të cilët janë zhdukur në kohën e luftës dhe familjet e tyre nuk kanë asnjë përgjigje për ta. Vuajtja e tyre është shumë më e madhe se sa të kuptonin se familjari i tyre ka vdekur, dhe me këtë rast, familjarët do të gjenin paqe diku, pra e dinë një vend se ku i kanë familjarët e tyre të zhdukur. Ky tekst më ka prekur shumë, por njëkohësisht edhe më ka magjepsur. Fatmirësisht me Teutën unë jam shoqe shumë e mirë dhe mund të them se ka qenë shumë fat që ne të dyja të punojmë bashkë, gjithashtu edhe Ersoni është shumë i mirë dhe është një atmosferë e mirë e provave”, theksoi aktorja, Irena Cahani, për të cilën është roli i dytë që i bie ta trajtojë një temë të tillë, duke pas parasysh edhe rolin e saj në filmin “Tri dritare dhe një varje”. Krejt këtë angazhim ajo e quan edhe një përgjegjësi të madhe për faktin se duhet të jetë një kujdes i madh se si duhet të trajtohet kjo temë.

Ndërsa për aktoren, Teuta Krasniqi është nder që regjisori i ka ofruar këtë rol, dhe siç tha ajo, një prej arsyeve që e ka bërë ta vulosë këtë rol është se do të jetë përkrah Irenës, gjë që ajo e quajti nder dhe kënaqësi të kesh një partner në mënyrën se si luan Irena. “Regjisori kur të ofron një rol , të gjithë ndihemi shumë të nderuar, pasi që çdo regjisor i ka shfaqjet shumë për zemër dhe jo lehtë i zgjedhin aktorët. Tekstin kur e kam lexuar më ka magjepsur, sepse Doruntina është dramaturge shumë e mirë, por kësaj radhe jam befasuar edhe njëherë me punën e saj të mrekullueshme Teksti është mrekulli, ku nuk ka asgjë të rastësishme dhe asgjë të tepruar dhe për aktorët kjo është ndihmesë e madhe. Të dy rolet janë shumë të mira dhe të dyja kanë peshë të njëjtë, ku ka ndryshime dhe kthesa të mëdha brenda për brenda shfaqjes dhe kjo neve si aktorë na sprovon shumë më shumë. Pasi që tema është shumë aktuale, ne si aktore duhet të jemi edhe më të kujdesshme se si kemi me mbërri ta përçojmë krejt atë tekst tek publiku”, tha Krasniqi.

Edhe pse kjo shfaqje tanimë është vetëm në provat e para të saj regjisori e ka të qartë se për skenografi do ta ketë Nico Derooij, kostumet do ti bëjë kostumografia e teatrit, Samka Ferri ndërsa muzika do të jetë nga vet gjuha e personazheve, lirika dhe poetika që ato kanë në momente të caktuara të pauzave. Krejt kjo punë pritet të kurorëzohet në fund të qershorit, ku shfaqja “Gishti” do të ketë jetë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.KultPlus

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat