Ema Andrea, kthen të burgosurat në aktore

Kultura

Ema Andrea, kthen të burgosurat në aktore

Më: 19 maj 2015 Në ora: 21:28

Të burgosurat e burgut 325 ngjiten sot në orën 19:00 si aktore në skenën e Teatrit Kombëtar. Nën regjinë e Ema Andreas, ato do të lënë sot qelinë për të interpretuar vetveten

Shtatë femra të burgosura të burgut 325 në Tiranë do të lënë sot qelinë për t’u shndërruar në aktore. Asnjëra prej tyre nuk do ta kishte menduar se një ditë do të ngjiteshin në skenën e një teatri, aq më tepër tashmë kur jeta e tyre duket sikur ka përfunduar përtej hekurave. Por regjisorja Ema Andrea ka menduar t’u japë një mundësi këtyre femrave, për ta treguar ndryshe jetën e tyre. Një mundësi reflektimi, por dhe dëshire për të kapërcyer atë prag ku ndodhen. Dje pasdite, në skenën e Teatrit Kombëtar nën masa të rrepta sigurie shtatë të burgosurat kanë hyrë në skenën e teatrit për të bërë provën e fundit përpara premierës së sotme në orën 19.00. Për të ardhur në ditën e sotme, regjisorja ka kaluar kohë me to në burgun 325, për të kuptuar filozofinë që duhet të mbartte kjo shfaqje. Prej muajsh ajo është kthyer në njeriun më të dashur për dhjetëra të burgosura, për vetë mesazhet pozitive që u përcjell. Me një skenografi ku qindra varëse rrobash prej teli vareshin në hapësirën ku do të endeshin “aktoret” dhe një prag i krijuar me xhama u kujtonte atyre kufirin, kuruar me elegancë nga Klod Dedja, dje ato krijuan “teatrin” e parë të cilin publiku do ta shohë sot në mbrëmje. Regjisorja Andrea dukej sikur kishte shpërngulur jetën e tyre nga burgu 325 në skenën e Teatrit Kombëtar.

Asnjë tekst dramatik nuk do të zëvendësonte historitë reale të këtyre grave, historitë fatale që i çuan përtej hekurave. Ndaj Andrea ka vendosur që tekstin t’ua lërë në dorë vetë personazheve që ka zgjedhur për të interpretuar, duke i lënë të lira ta shndërrojnë skenën e teatrit, në një skenë të jetës së tyre të përditshme, duke jetuar e interpretuar përtej xhamave atë çfarë jetojnë çdo ditë në dhomat e burgut ku ndajnë jetën. Njërës prej tyre i pëlqen të kalojë ditën duke u kujdesur për lulet, dikujt tjetër të bëjë grep, apo triko, tjetra të lajë rroba, të pastrojë xhamat, dikush tjetër të gatuajë. Të gjitha këto ato do t’i bëjnë sot në skenë, bashkë me shprehjet që shpesh ia thonë vetes me zë e pa zë, se “nuk do të donin gjë tjetër veç të çonin dhe një herë fëmijën në shkollë”, apo “të endeshin në oborrin ku lëvizin vetëm pulat”. Jeta dhe dëshirat e këtyre femrave janë kaq të thjeshta, por aq domethënëse. Vetëm kur liria mungon, atëherë njeriu shkon në mënyrë instiktive tek gjërat që do të donte të bënte më shumë, gjëra që në jetën e përditshme ndoshta nuk i kanë vënë re. Në skenë ato do të numërojnë muajt, javët, sekondat që u kanë mbetur për të jetuar në burg.

Diçka të tillë e bëjnë pothuajse çdo ditë me veten, duke përsëritur se i kanë mbetur ndoshta dhe “180 ditë +3 orë + 57 minuta + 23 sekonda”…ose “2870 ditë + 2 javë…”. Duke i lënë të lira, të interpretojnë vetveten, në skenë do të gërshetohet dhimbja e pamundësisë për të qenë të lira, me dëshirën e madhe për jetën. Regjisorja Andrea ka dashur të nxjerrë në pah energjinë që mbartin brenda vetes secila prej tyre, se sa e madhe është dëshira për ta kaluar pragun dhe për të qenë sërish si më parë. Është e trishtë historia personale e secilës prej tyre, por ajo çfarë Andrea sheh në fytyrat e tyre përveç pendesës është dëshira për t’iu kthyer sërish jetës, për t’u kujdesur për fëmijët, shtëpinë. Ky teatër i krijuar nga Andrea është më shumë se një ftesë shprese për ta parë ndryshe të ardhmen. Duke bërë një udhëtim thellësisht personal në kujtesën dhe dëshirat e tyre, ato do të ndihen më të lira për të ardhmen. Ajo çfarë duket interesante është raporti i tyre me skenën. Dje në prova ato u përshtatën shumë mirë me skenografinë dhe rolet. Kjo ndoshta se teatri i sotëm, nuk ndryshon shumë nga teatri i madh që luhet në jetën e tyre. Performanca “Prag” nën regjinë e Ema Andreas kurohet nga “M.A.M. Foundation”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat