Majat e interpretimit të këngës popullore shkodrane

Kultura

Majat e interpretimit të këngës popullore shkodrane

Më: 7 maj 2015 Në ora: 08:17

Interpretuesit e mahnitshëm, mbeten të paarritshmit e mjerisht të papërsëritshmit, artistët e popullit Marie Kraja, Ibrahim Tukiçi, Bik Ndoja i jashtëzakonshëm, posaçërisht në interpretimin e jareve, lauresha e Shkodrës Luçie Miloti, Ermelinda Paparisto-Pema, Hysen Koçia, Sabahete Vishnja, Valdete Hoxha, Enriketa Kuçana, Violeta Zefi, Mukades Çanga, Shyqyri Alushi, Justina Alija…

Mjerisht, sot për sot, nuk po na jepet e drejta të themi e tjerë e tjerë, por jam i bindur në ligjin objektiv e të përjetshëm të zhvillimit dialektik, jo vetëm të natyrës, por edhe të shoqërisë njerëzore dhe qenies njerëzore si faktor i saj, se kjo mangësi do tejkalohet nga populli artist shkodran. Duhet të bindemi se koha kur krijojmë dhe interpretojmë e ka të renë me vete, e ka të renë brenda saj e kështu dialektikisht sepse këtij populli me vitalitet të jashtëzakonshëm, nuk i kanë munguar dhe nuk do t’i mungojnë kurrë gjenitë dhe talentet krijuese.

Zëri i brendshëm, na thërret të sjellim në vëmendje perlën shqiptare interpretuese të jareve; atë që sapo i përmendim emrin na kujton jaret, apo sapo flasim për jaret na shfaqet ai, Bik Ndoja i madh, për të cilin kompozitori dhe dirigjenti i talentuar, muzikanti i kompletuar shkodran Zef Çoba, krijoi këngën “Bik Ndoja, kënga e shpirtit të popullit shkodran”.I begatë si askush, në ngrohtësi zanore, tipike mesdhetare!

Është organik, në interpretim Biku, e thellësisht shpirtëror, ai bashkëngjit harmonishëm, një trajtim ritmik gati gati të lirë, sipas dëshirës, e nganjëherë, edhe pse shkakton njëfarë njëllojshmërie interpretuese vokale, interpretimet e tij nuk të bezdisin, përkundrazi. Ja disa prej perlave të interpretuara nga Bik Ndoja : “Sa me shpejt ma vune kambën”, “Për mue, ( kenka ), paska ken kysmet”, “Kenke nur’ i bukurisë”, “Marshalla bukurisë s’ate”, “Moj e vogël tash sa vjetë”, “Dedë Gjo Luli”, “Krisi topi”, “Kanga e Kalasë së Shkodrës”, “Dashnur t’u bana”, “Jar të due”, “Iptida due me fillue”, “N’at zaman t’njasaj furie” etj. etj.

Fill pas tij, lauresha e laureshave shkodrane Luçie Miloti, delikatja Naile Hoxha, Sali Brari, Drita Papajani, Xhevdet Hafizi… Secili mban vulën e origjinalitetit të vetë, por në të njëjtën kohë është vazhdues i cilësive më të mira të bartësve pararendës duke ia afruar karakteristikat interpretuese kërkesave të kohës.Kur themi krijim dhe ekzekutim bashkëkohor, në çast kemi bërë dallimin mes një mënyre bashkëkohore dhe një mënyre tradicionale krijimi dhe ekzekutimi.

Këtu, gjithnjë duhet të mbajmë mirë para sysh mjetet teknike me të cilat shkruhet dhe interpretohet kjo këngë. Me kalimin e kohës, këto mënyra “moderne” integrohen tërësisht apo pjesërisht në zhvillimin e mëvonshëm muzikor të tyre duke u kthyer në mënyra klasike tradicionale. Brenda këtij zhvillimi dialektik, mund të themi pa frikë që te secili këngëtar apo këngëtare, dallohet qartë një dukuri e përbashkët: të gjithë interpretojnë brenda “modusit” interpretues popullor në stilin krahinor të këngës. Te ata, ndjehet tendenca për pasurim të elementeve tradicionalë.

Megjithë përkujdesjet dhe vëmendjen e përqendruar në krijim si edhe në interpretim vokal dhe instrumentor të kësaj gjinie kënge, qoftë edhe rrallë, ndeshemi ende me ndonjë rikthim të influencave orientale. Si shkak kryesor dhe i njohur janë rrethanat konkrete të kohës së sotme, të dyerve të hapura dhe të importit të disa prirjeve për të imituar pa shkak dhe pa asnjë nevojë, të mënyrave të huaja interpretuese si vokale ashtu dhe instrumentale.

Shfaqje kjo e individëve pa formim të saktë, pa shkollën e madhe dhe të pazëvendësueshme të traditës krijuese dhe interpretuese, të praktikës në terrenin jetësor ku lind kjo këngë, në zemër dhe për zemrën e popullit . Mjerisht, koha, përmes praktikës krijuese të disa “krijuesve”, po provon se disa krijues dhe interpretues, me mendjemadhësi, karakteristikë e injorancës, nuk dinë të mbajnë qëndrim pikërisht ndaj këtyre ndikimeve negative, që nuk janë tjetër veçse antivlera.

E dimë mirë që ndikimi turk kishte peshën vendimtare, në një etapë historike të caktuar të zhvillimit social ekonomik e kulturor të vendit tonë, prandaj duhet studiuar mirë folklori ynë muzikor, rruga historike e zhvillimit dhe përfitimi i përvojës estetike të kësaj krijimtarie, për të krijuar dhe rikrijuar pastaj mbi këtë frymë, e domosdoshmërisht, mbi këtë shtrat.

Megjithatë natyrshëm na lind pyetja: sa dhe deri kur duhen marrë si huazime disa elementë, në një kohë që krijimi, përpunimi dhe interpretimi vokal dhe ai instrumentor vendas, janë në favor të tezës që pikërisht aty ku lind dhe lulëzon kënga popullore, huazimi i mirëfilltë, nuk mund asesi të shfaqet dominues, por lënda e asimiluar, i përshtatet mjedisit të ri dhe merr tipare vendase?

Fiton, për shkak përdorimi, dukurinë dhe karakterin e elementit lokal, pra, njëherazi, tipare kombëtare shqiptare, pavarësisht prejardhjes së tij. Kështu format, meloditë, harmonitë, polifonitë, ritmet, nuancat, ngjyrat, mënyrat interpretuese, në raport me kohën, kanë fuqi të pakufishme shprehjeje dhe të jemi të bindur se koha kur krijojmë dhe interpretojmë e ka të renë me vete, e ka të renë brenda saj./Mapo

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat