Çelet 'Tirana Open 1', Rama: Të rikthejmë artistët tanë në atdhe

Kultura

Çelet 'Tirana Open 1', Rama: Të rikthejmë artistët tanë në atdhe

Më: 6 maj 2015 Në ora: 16:47

​Është çelur në kryeqytetin shqiptar, ‘Tirana Open 1’, një aktivitet kulturor, unik në Ballkan, që sjell nën të njëjtën 'çadër' një koleksion të shumëllojshëm të artit shqiptar dhe ndërkombëtar. Në ceremoninë e hapjes që u zhvillua në Pallatin e Kongreseve ishte i pranishëm edhe kreu i qeverisë Edi Rama, i cili tha se harta e vendeve pjesëmarrëse në këtë event është më e gjerë se një vit më parë, duke u zgjeruar nga Afrika e Jugut e deri në Australi.

Sipas Ramës ky aktivitet që është i konceptuar në formën e një panairi, nuk ka vetëm libra, arte pamore dhe vizita të shkrimtarëve të mëdhenj, por mbi të gjitha synon përmes vizitorëve kthimin e Shqipërisë në një destinacion arti, përmes njohjes së kulturës shqiptare dhe trashëgimisë sonë të vyer.
Rama: 'Tirana Open', e kthen Shqipërinë në një destinacion të artit

"Tirana Open' është një shembull i shkëlqyer i mishërimit në realitet të këtij vizioni paneuropian, duke sjellë së bashku një koleksion të shumëllojshëm, veprash, dëshmish dhe pa dyshim edhe një tërësi të shumëllojshme artistësh dhe institucionesh kulturore shqiptare apo të huaja. Festivali i Librit dhe Artit Pamor është gjithashtu një pjesë domethënëse e një vizioni më të gjerë për rilindjen e vendit tonë si një rilindje urbane dhe kulturore, si një rilindje që është e lidhur drejtpërdrejt me ripërtëritjen e trashëgimisë sonë kulturore dhe hapësirave të kujtesës së përbashkët kombëtare me bashkërendimin kulturor me Kosovën me kthimin e Shqipërisë në një destinacion edhe për dashamirësit e artit dhe të kulturës në rajonin e Evropës Juglindore," tha Rama gjatë çeljes së eventit kulturor 'Tirana Open 1', në Shqipëri.

Një pikë e fortë e këtij eventi kulturor, sipas Ramës është kthimi i artistëve vendas në Shqipëri, si Ermonela Jaho, Sajmir Pirgu e shumë të tjerë që kanë mahnitur artdashësit në skenat botërore. Megjithatë, kryeministri Rama nuk mund ta mendojë të ndarë kulturën shqiptare mes Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa theksoi se kalendari i përbashkët kulturor që nisi më 14 shkurt është një hap i rëndësishëm për bashkërendimin kulturor kombëtar.

Rama: Kalendari i përbashkët kulturor me Kosovën nisi me fototekën Marubi

"Kalendari i përbashkët kulturor me Kosovën nisi më 14 shkurt në Prishtinë me ekspozimin e fototekës Marubi që për herë të parë u vu në dispozicion të të gjithë njerëzve të interesuar për fotografinë, të interesuar për kulturën. Në këtë aktivitet vazhdon të përforcohet një qasje që ne jemi të vendosur që ta kthejmë në traditë, që Shqipëria të vazhdojë të mbetet jo vetëm atdheu i shumë yjeve të artit dhe të kulturës që sot magjepsin botën por edhe vendi ku këto yje mund të shkëlqejnë për bashkëqytetarët dhe bashkatdhetarët e tyre. Faktikisht nëse vitin e shkuar ne bëmë të mundur kthimin në atdhe për të kënduar të Ermonela Jahos së bashku me Sajmir Pirgun, aporikthimin e Angjelin Prelocajt, në këtë hapësirë të tjerë artistë rikthehen," tha Rama.

Rama tha më tej se 'Tirana Open 1' nisi si ide e Ardian Klosit por, sot është shndërruar në një pikë referimi që vit pas viti do shkëlqejë si një institucion nga njerëzit e artit, për njerëzit e artit me mbështetjen e vendosur të qeverisë.

Për Ramën arti është kontribut real kundër varfërisë dhe vetmisë. “Tirana Open 1” sjell në jetën e kryeqytetit dhe vendit tonë një energji evropiane, si dhe një tërësi artistësh dhe institucionesh kulturore shqiptare dhe të huaja.

'Tirana Open 1' do të qëndrojë hapur deri më 13 maj./E.Duraj/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat