Pas Zagrebit dhe Prishtinës, Lyra Zajmi me ekspozitë në Shkup

Kultura

Pas Zagrebit dhe Prishtinës, Lyra Zajmi me ekspozitë në Shkup

Më: 6 maj 2015 Në ora: 15:56

Shkupi është kryeqendra rajonale e radhës, pas Zagrebit dhe Prishtinës, të cilën, me veprat e veta, sivjet po e “pushton” artistja figurative kosovare Lyra Zajmi.

“Dantellat dhe endjet / Laces and Weavings” titullohet ekspozite personale e Zajmit, që do të hapet nesër në Qendrën Informative Kulturore (QIK) në kryeqendrën maqedonase.

Para Shkupit, veprat e veta nga një cikël tjetër, “Asociacione dhe citate”, Zajmi me shumë sukses sivjet i ekspozoi, në shkurt në Muzeun Mimara në kryeqytetin e Kroacisë dhe në prill në Prishtinë.

Për ekspozitën e vet të parë në Shkup, Zajmi ka përgatitur një cikël veprash të reja tipografike, për të cilin recensuesi thotë se “na josh me një begati vizuale e cila, porsi jeta, trazon, fsheh, shtrembëron, errëson të vërtetën: asgjë nuk është e përhershme përveç ndryshimit!”.

“Një fjali e vetme, më saktësisht një citat, i mjaftoi artistes Lyra Zajmi të krijojë një cikël prej pesëdhjetë punimesh. Aq shumë e frymëzoi autoren shprehja e Heraklitit, filozofit të lashtë nga Efezi, ‘Asgjë nuk është e përhershme përveç ndryshimit’, sa ajo në interpretimin e saj vizual e materializoi këtë thënie duke e vënë në lojë dikotomine vizuale të qëndrueshmërise së mendimit në paqëndueshmërinë e manifestimit të përhershëm të tij. Mund të themi se duke e marrë shtysën nga një mendim i vetëm filozofik, ajo zhytet në ujërat krijuese tipografike për t’i thurur dhe endur shtrojet urtësisë, dantellat dhe endjet, si reflektim i iluzionit dhe ndryshimeve të vazhdueshme të botës që na rrethon”, thotë recensuesi.

Lyra Zajmi diplomoi në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Arteve, drejtimi i Disenjit Grafik. Studimet pasdiplomike - master i vijoi në Universitetin e Beogradit, Fakulteti i Arteve Aplikative, në lëmin e Komunikimeve Grafike si dhe në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Arteve, në lëmin e Komunikimeve Vizuale. Është anëtare e shoqatave profesionale në Kosovë dhe Kroaci. Nga ekspozitat individuale dhe kolektive veçohen ato në Kroaci (Zagreb), Kosovë (Prishtinë, Prizren, Pejë) dhe në Shqipëri (Tiranë, Berat, Shkodër, Fier). Është fituese e çmimit “Marketing Distinction Award” të Columbus Press-it për Komunikim promotiv. Ligjëron në Fakultetin e Arteve te Bukura në Prishtinë.

Hapja e ekspozitës “Dantellat dhe endjet” në QIK të Shkupit bëhet nesër në sallonin Imperial 2 në orën 20:00.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat