Tirana Open, kultura dhe arti bashkë nën një çadër

Kultura

Tirana Open, kultura dhe arti bashkë nën një çadër

Më: 6 maj 2015 Në ora: 09:09

Aktiviteti drejtohet nga Arlinda Dudaj, Helidon Gjergji dhe Vladimir Myrtezai-Grosha, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. Në mbyllje të festivalit “Tirana Open” do të ndahen edhe dy çmime. Çmimi “Ardian Klosi” për librin më të mirë jofiction, sponsorizuar nga Traduki, rrjeti europian për letërsinë dhe librat, ndërsa në fushën e arteve pamore do të ndahet çmimi që mban emrin e artistit Danish Jukniu.

Nis sot Festivali i Artit dhe Librave, Tirana Open, një aktivitet që për shtatë ditë do ta kthejë kryeqytetin në një arenë gjithëpërfshirëse të librit, muzikës, arti pamor, filmit dhe arkitekturës

Nis sot aktiviteti që do e kthejë për shtatë ditë Tiranën në arenë arti dhe kulture. Festivali i Arteve dhe Librit “Tirana Open”, i shtrirë nga libri te muzika, nga arti pamor te filmi dhe arkitektura, do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve, Akademia e Arteve, Piramida dhe Galeria Kombëtare.

“Tirana Open” është një nga ato hapësira ku gjinitë e ndryshme të artit, artistët e ndryshëm të qytetit, skenat e vogla e të mëdha, aktorë kulturorë vendas e të huaj, mund të takohen, kryqëzohen e sfidojnë bukur njëri-tjetrin”, – është shprehur në një deklaratë ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Një nga evenimentet e rëndësishme të këtij festivali është Panairi i Librit, ku sipas Arlinda Dudajt, janë të pranishme pjesa më e madhe e shtëpive botuese në vend.

Panairi organizohet në katin e parë të Pallatit të Kongreseve. E veçanta e këtij organizimi, krahas shitjes së librave me çmime më të ulëta dhe promovimit të botimeve të reja, do të jetë prania e emrave të njohur të letërsisë së huaj, të përkthyer në shqip si Giuseppe Catozzella, Victoria Hislop, Drago Jancar, Roberto Saviano etj.

Sipas Dudajt, organizimi i panairit ka kushtuar rreth 10 milionë lekë të reja. Arti Pamor vjen i organizuar nën siglën “paMur”, ku janë të përfshira ekspozita të ndryshme të artit bashkëkohor. Pjesë e tij do të jenë projekte artistike të artistëve me famë botërore, shqiptarë e të huaj, që nga William Kentridge (Afrika e Jugut), tek Anri Sala. Në vijim të aktiviteteve nga fusha e arteve pamore, artisti Adrian Paçi do të zhvillojë një bisedë të hapur. Filmi ofron dy aktivitete të rëndësishme si DocuTIFF dhe Festivali i Filmit Izraelit.

Edicioni i parë i Festivalit të Filmit Izraelit do të zhvillohet në Akademinë e Filmit & Multimedias Marubi, në datat 7 deri më 10 maj. Gjatë katër ditëve të IFFA-s janë përzgjedhur të shfaqen katër prej filmave më të suksesshëm e më të vlerësuar në festivale ndërkombëtare, të kinematografisë bashkëkohore izraelite. Festivali ndërkombëtar i Filmit Dokumentar në Tiranë– (DocuTIFF), zhvillohet në datat 9 deri në 13 maj, në Amfiteatrin pranë Universitetit të Arteve në Tiranë.

I hapur për çdo regjisor nga e gjithë bota, DocuTIFF do të shfaqë gjithçka të mirë të kinemasë dokumentare nga e gjithë bota, programe dhe projeksione speciale, seminare dhe masterklasa, retrospektiva, homazhe dhe tribute, mysafirë të huaj, si dhe një ceremoni gala të ndarjes së çmimeve, si dhe ngjarje të tjera të veçanta. Pas suksesit që korri në Bienalen e Venecias, në kuadrin e edicionit të 58-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Bashkëkohore, vjen në Shqipëri, nën drejtimin e Ivan Fedele-s, premiera e parë absolute “Kateri i Radës – Mbytja e anijes, vepër debutuese në tetorin e vitit të shkuar, me regji teatrore të Salvatore Tramacere-s dhe tekst të Alessandro Leogrande-s, nën kujdesin e kompozitorit Admir Shkurtaj.

Kjo vepër do të shfaqet për publikun më 8 maj, në sallën e koncerteve në Universitetin e Arteve. Shfaqja tregon mbytjen në kanalin e Otrantos të motovedetës “Kateri i Radës” të ngarkuar me 120 refugjatë nga Shqipëria, si pasojë e goditjes nga korveta “Sibilla”, e cila përpiqej të mos e lejonte afrimin e anijes shqiptare në brigjet italiane. Atë të premte të zezë të 1997-ës vdiqën më shumë se 80 shqiptarë (31 prej tyre ishin më të vegjël se 16 vjeç). Çështja u shndërrua në simbolin tragjik të “njerëzve të varkave” në kërkim të një vendi që ua rikthen atyre lirinë dhe dinjitetin e qenies njerëzore.

Një shfaqje ku kompozitori Shkurtaj e rijeton tragjedinë në vetë të parë duke u shprehur edhe më tej se estetika e tingullit. “Me Tiranën e Hapur, Qyteti fton publikun dhe kulturën të dialogojnë përmes librit si vlerë e jo thjesht si mall, mes artit pamor që mëton një treg të ri vlerash, mes muzikës që guxon të trokasë me zërin e dramës, mes filmit që vjen si konkurrencë e jo si ekran pasiv, mes arkitekturës si kulturë e trashëguar por edhe si laborator eksperimental kontestator.

Emra të njohur, të ftuar specialë, artistë të guximshëm, institucione publike, skena të pavarura, nisma private, publik i ri, vështrime sfiduese, kritikë tradicionalë, skeptikë profesionistë, pena të parehatuara, xhelozë inkurajues, spektatorë duarkryq, kalimtarë të rastësishëm në kryeqytet, tifozë parullash, dashamirës të sokakëve socialë, “voyeurs” virtualë e energjikë, të mirëseardhur në kërkim të vetvetes, gazetarë e amatorë të apasionuar, shëtitës pas pune e kureshtarë të dritareve të hapura, ëndërrimtarë optimistë, të gjithë janë të ftuar në Tirana Open!”, – është shprehur ministrja e Kulturës Kumbaro.

Aktiviteti drejtohet nga Arlinda Dudaj, Helidon Gjergji dhe Vladimir Myrtezai-Grosha, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. Në mbyllje të Festivalit “Tirana Open” do të ndahen edhe dy çmime. Çmimi “Ardian Klosi” për librin më të mirë jo-fiction, sponsorizuar nga Traduki, rrjeti europian për letërsinë dhe librat, ndërsa në fushën e arteve pamore do të ndahet çmimi që mban emrin e artistit Danish Jukniu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat