Nesër premiera e shfaqjes “Lufta në kohën e dashurisë”

Kultura

Nesër premiera e shfaqjes “Lufta në kohën e dashurisë”

Më: 5 maj 2015 Në ora: 00:59

Komedia “Lufta në kohën e dashurisë” me regji të Blerta Nezirajt do ta ketë premierën në Teatrin Kombëtar të Kosovës të martën më 5 maj.

Në shfaqjen “Lufta në kohën e dashurisë”, katër gra të Kosovës rrëfejnë intimitetet, pasionet, marrëzitë, sekretet dhe dëshirat e tyre. Ato kanë krijuar një botë të përbashkët imagjinare, ku loja e argëtimi bëhen streha e tyre për të mbijetuar.

28 skenat e shfaqjes fluturojnë para publikut, si në përrallat me magjistarë, duke shpalosur me humor, stereotipe e klishe sentimentale, tregime e muhabete grash: për dashurinë, frikën, hakmarrjen, e të shkuarën e trishtë.

“Sado që gjithçka mund të tingëllojë ‘hot’, ju bëjmë me dije se, asnjëra nga aktoret nuk zhveshet nudo në skenë. Jeni të dëshpëruar? Epo, ta hajë dreqi, në çdo të dytën shfaqje në Evropë sot sheh nga një aktor apo aktore tek zhvishet në skenë. Por jo, jo në këtë shfaqje. Më së shumti çka do të shihni janë këllqet, shuplakat e duarve, qafat dhe fytyrat e qeshura të këtyre katër aktoreve të mrekullueshme, kaq. E, të mos harrojmë. Në shfaqje ka edhe një aktor mashkull (por mos u shqetësoni, nuk është aspak i dhunshëm)”, thuhet në njoftim.

Në shfaqje luajnë aktorët Aurita Agushi, Shengyl Ismaili, Shkelzen Veseli, Albulena Kryeziu e Molikë Maxhuni.

Kjo është shfaqja e tretë e suksesshme e Nezirajt. Koreografinë e shfaqjes e ka bërë Adrienne Hart, muzikën Gabriele Marangoni, kurse skenografia e kostumet vijnë nga Igor Vasiljev e Isidora Spasic.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat