“Dinjiteti” shfaqje me prurje interesante dhe mbresëlënëse

Kultura

“Dinjiteti” shfaqje me prurje interesante dhe mbresëlënëse

Nga: Nga Ibadete Kutllovci * Më: 4 maj 2015 Në ora: 14:16

Shfaqja “Dinjiteti”, dinjitetshëm prezantoi ansamblin e aktorëve në Teatrin “Istref Begolli” në Pejë, me regji të Agim Selimit, dhe tekst të Ruzhdi Pulahes. Këtë shfaqje patëm rast ta shihnim me 29 prill.

Stili dhe struktura e tekstit

Influenca e dramaturgjisë moderne amerikane e viteve të fundit, sidomos e dramës një aktshe që gjithnjë e me shume po inskenohet në teatrot amerikane, doemos ka bërë që edhe autorët shqiptarë të ndikohen. Karakteristikë e këtij stili të të shkruarit është se e tërë ngjarja ndodhë brenda një akti dhe se të gjitha tiparet e dramaturgjisë nga ekspozicioni, zhvillimi i ngjarjes, shthurja dhe kulmi i konfliktit ndodhë brenda nate, dite apo sa zgjat edhe vet drama e inskenuar. Në rastin e “Dinjitetit” si tekst, autori nuk përfill me përpikëri standardin e dramës një aktshe, edhe pse nuk hyn as te drama tri aktshe ngaqë dinamika e konfliktit dhe rrjedhës se ngjarjes rrjedh aq furishëm saqë te audienca vjen rrëfimi i familjes modeste shqiptare e rrethuar nga dilemat e mëdha të mbijetesës, që kushtimisht qon deri tek inkriminimi ne korrupsion dhe zhvatje. Ndërtimi i strukturës në veprën “Dinjiteti” nga Ruzhdi Pulaha, është shumë real dhe njerëzor, ku spikatë ballafaqimi i karaktereve në mënyre të drejtpërdrejtë dhe pa ekuivoke. Po thuajse të gjitha personazhet dinë çfarë duan, dhe luftojnë për kauzën e tyre, përjashtim bënë karakteri i Emilit (interpretuar nga Fidan Mamusha), i cili është i vetëdijshëm me rrethanat e kohës, dhe lufton që të mos jetë pjesë e tyre, por presioni i së shoqes dhe nevoja e shkollimit të së bijës e bëjnë që të hyje në vallen e çmendurisë sociale dhe katrahurën reale në të cilën ndodhet shoqëria shqiptare.

Ngjarja në shfaqje

Ngjarja fillon me Dorinen (Interpretuar nga Shpresa Salihu), e cila kërkon nga vajza e saj që të hape derën dhe të kthehet në dhomën e ditës, papritur bie telefoni me ç’rast Roberti tregon që do vije mysafir. Me te lëshuar receptorin Dorina sheh qe në shtëpi është kthyer burri i saj Emili, nga i cili kërkon të dije sa të holla ka sjell për shkollimin e vajzës ne Itali. Emili ka sjell vetëm 750 euro, te cilat janë shume pak për tu shkolluar vajza e tyre. Konflikti i tyre rreth te hollave ndërpritet kur në shtëpinë e tyre hyn Roberti dhe e fton Emilin për të punuar për të dhe njëherit e bene zgjedhjen e financimit të vajzës se tyre. Roberti si nëpunës i larte pa dashje fut ne loje profesorin Emil dhe një herit ngjall ambicie tek Dorina për ngritje te standardit jetësor sistemim të saj si pronare në supermarketin e se shoqes se Robertit. Emili përmes se cilit Roberti bene disa shpëlarje të hollash dhe zhdoganime ilegale, vendose me në fund që të dal publikisht dhe të tregoj për çdo gjë që din mbi korrupsionin dhe krimin e organizuar ne nivelin me të larte shtetëror. Roberti e largon nga puna, dhe e ndan nga bashkëshortja Emilin i cili me pastaj vdes ne një lëvore bananeje i shantazhuar.
Ndërtimi i personazheve në shfaqje e tejkalon veprën e shkruar. Në këtë mënyrë regjia duke dashur që të jetë me gjithëpërfshirëse në tipologjinë e personazheve arrin që të thumboj edhe më gjerë se sa vet institucionet vendimmarrëse në Kosovë, të cilat përfaqësohen nga personazhet siç janë Roberti (interpretuar nga Flormend Shabaj) nëpunës i lartë shtetëror, i cili vije nga një fshat dhe që përfaqëson shtetin e korruptuar, derisa në anën tjetër kemi profesorin Emil, i cili përfaqëson të diturin nga qyteti të len anash nga shteti, për të vazhduar më tutje me Dorinen të cilën regjia e sjell si personazh shumë ambicioz nga Tirana, të martuar për profesorin Emil. Të tria këto shtylla karakteresh e përbejnë shfaqjen, duke tentuar që në fakt të prezantohet shoqëria shqiptare, e cila në rrethanat e pasluftës në Kosovë domosdo që ndërlidhet me faktorin ndërkombëtar, e që në shfaqje na jepet përmes personazhit të Tonit (interpretuar nga Fisnik Sykaj), i cili portretizon shtetet myslimane arabe dhe që nga të vepruarit në skenë shohim që është shumë i lidhur me personazhin e Kelit, i cili është biznesmen shqiptar nga komuniteti LGBT. Të gjitha këto personazhe në vepër, regjia i ndërlidhë ngushtë me realitetin në të cilin ndodhet Kosova dhe përmes tyre sikur do të na tregoj fajtorin e gjendjes ekonomiko sociale dhe politike të Kosovës, ku krimi dhe korrupsioni nuk janë vetëm nga vendoret, por edhe nga faktorët e jashtëm të cilët ndodhen në Kosovë.

Loja e aktorëve

Loja e aktorëve dhe personifikimi i personazheve nga aktorët është për tu çmuar dhe vlerësuar, kur dihet që shumica nga ta janë të rinj nga mosha dhe eksperienca. Përjashtuar disa momente kur nuk dëgjoheshin ne publik, pa përjashtim të gjithë aktoret kanë qenë në nivelin e duhur të detyrës. Në personazhin e Emilit interpretuar nga Fidan Mamusha vlen të theksohet qëndrueshmëria e tij si karakter, pa harruar asnjë moment detyrat skenike dhe thellësinë e përjetimit që ndjen gjatë rrugëtimit karakteri, Derisa Flormend Shabaj në rolin e nëpunësit shtetëror na vjen si bos real i figurës politike që jo rrallë e hasim në media, rrugë dhe gjetkë. Shpresa Salihaj në rolin e Dorinës mishëron shkëlqyeshëm gruan ambicioze që me çdo kushte do që të arrij atë që do. Derisa rolet episodike të interpretuara nga Agon Balaj, Aida Alidemi, Fitore Broqi dhe Fisnik Sykaj vijnë shumë ndryshe dhe plot sharmë dhe që ngjallën reagime spektakulare tek publiku në sall.
Regjia e Agim Selimit spikatë në dinamizmin dhe konkretizimin e situatave në shfaqje, duke na sjell konflikte frontale të personazheve dhe emocione të afërta me përjetimet që ndodhin në skenë si publik. Mizanskena e ndërtuar në skenografinë e Fatmir Atashit (skenograf i ri) është e menduar mirë dhe shumë praktike ku shquhet në radhë të parë aktori, derisa kostumet nga Samka Ferri janë përputhshmërisht me karakteret e shfaqjes dhe regjisë, si dhe Muzika nga Agron Shala e përshkon situatën dramatike mirë në shfaqje. Si konkludim, vijmë në përfundim që shfaqja “Dinjiteti” ishte prurje interesante dhe shumë mbresëlënëse dhe duke prezantuar dinjitetshëm ansamblin e ri të këtij teatri. Mësohet nga menagjmenti dhe këshilli i Teatrit Istref Begolli në Peje që shfaqja e radhës do të jetë “Zbritja nga mali Morgan” me autor Arthur Miller.

*Ps. Autorja është dramaturge

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat