Koncert para kryeminsitrisë i Rona Nishliut, Rama: Hapësira për artistët

Kultura

Koncert para kryeminsitrisë i Rona Nishliut, Rama: Hapësira për artistët

Më: 1 maj 2015 Në ora: 22:18

Parku në pjesën e pasme të Kryeministrisë u shndërrua sot, për të parën herë, në një skenë të madhe të këngës. Kryeministria mikpriti një kërkesë të ardhur nga këngëtarja Rona Nishliu për të prezantuar këtu, albumin e saj të ri dhe kjo hapësirë u vu në dispozicion të publikut.
Nishliu dhe kuarteti i saj pati një performancë mbresëlënëse për qindra të rinj dhe admirues të saj, të këngëve nga albumi i ri “Motivet tona”, një risjellje e këngëve të vjetra shqiptare të përshtatura për ritmin xhaz. Njëri prej tyre ishte edhe Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja Linda.
Prej mëse mbi një vit, ambiente të ndryshme të Kryeministrisë dhe parku i saj, me ide të Kryeministrit Rama janë kthyer edhe në hapësira në dispozicion të publikut. Ato janë bërë shpesh vendi i ekspozitave dhe promovimeve.

“Sonte unë jam në rolin e kryekamerierit. Ndoshta ndonjërit prej jush i kujtohet që patëm një ide vjet për të organizuar këtu, në këtë hapësirë të re, të gjelbër dhe publike, finalen e kampionatit botëror, nuk na la shiu. Pastaj për këtë rikthim në këtë fushë u bë shkak një finaliste e kampionatit Europian, Rona Nishliu, të cilën e përshëndes dhe i uroj mirëseardhjen. U bë shkak sepse më bëri një kërkesë, që albumin e saj të ri kishte dëshirë ta prezantonte në Tiranë dhe mundësisht ta prezantonte në këtë hapësirë. Për mua ishte privilegj, për ne të gjithë është privilegj. Është momenti tani për të thënë se kjo hapësirë u çel për publikun dhe do të vazhdojë të jetë në dispozicion të publikut, në dispozicion të artistëve të tifozëve, në dispozicion të çdokujt që do të ketë një ide për ta marrë kuptohet pa qera,” deklaroi kryeministri Rama në përshëndetjen e tij si mikpritës i këtij eventi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat