Dashuri të ndrydhura dhe të zhytura në mjegull

Kultura

Dashuri të ndrydhura dhe të zhytura në mjegull

Më: 27 prill 2015 Në ora: 16:44

Zhgënjim total përballë demagogjisë së “engjëjve” të socializmit dhe internacionalizmit, zhgënjim dhe zhvleftësim i ngadaltë prej kuptimit të supozuar propagandistik të elementeve më intime dhe më humane të jetës dhe vendosja e një rregulli të fshehtë të gjërave, këto janë mesazhet që merr lexuesi në përfundim të leximit të romanit “Përtej mjegullës ka dritë”, bazuar në disa ngjarje të vërteta, shkruar nga autori shkodran Isa Alibali, botuar së fundmi nga shtëpia botuese “Mirgeeralb”. Shumë shqiptarë që ndoqën studimet në vendet ish-komuniste ranë në dashuri me vajzat vendase, por vuajtën shumë pas izolimit dhe ndarjes ideologjike e politike. Nuk bëhej fjalë vetëm për disa djem e vajza të dëshpëruar në ato vite, por për një masë të madhe të zhgënjyer tërësisht dhe të persekutuar egërsisht që në atë kohë të vështirë mbetën të mbërthyer në kurthin e intrigave të pushtetit dhe mekanizmave të persekucionit të tij. Të njëjtin fat pësuan edhe shumë gra ruse, bullgare, polake, rumune etj., të martuara në Shqipëri, që u persekutuan dhe u burgosën, mandej për disa prej tyre ende dihet se ku janë dhe si vazhdon jeta e tyre që dikur u prangos. Dashuri të pastra që u transformuan në drama dhe fatkeqësi. Viktima të harruara dhe histori njerëzore shumë pak të njohura të shkaktuara nga absurditetet komuniste.

Fabula e romanit është një dashuri e pastër, por e ndrydhur dhe e zhytur në mjegullën absurde të periudhës komuniste. Në fillim ishte “dashuria” dhe pastaj vjen “divorci”, përplasja e regjimeve dhe shteteve komuniste. Pasojat? – dhëndurë dhe nuse që u bashkuan nën mashtrimin e “bashkëjetesës së përjetshme” të kampit socialist, por që më tej përfunduan të dënuar dhe u persekutuan egërsisht. Ata studentë shqiptarë që u nisën të kryenin studimet në një nga vendet e ish-Lindjes komuniste (siç është rasti i personazhit kryesor Visar Shkoza), pas kthimit në vendin e tyre ose u bënë intelektualë të shquar ose u persekutuan, internuan e u burgosën ose mbetën anonimë të panjohur.

Nga eksperienca si lexues, në romanin “Përtej mjegullës ka dritë”, konstatoj se autori Isa Alibali e vlerëson kujtesën si vlerë morale, si marrëdhënie me të kaluarën e njeriut dhe shoqërisë në epokën komuniste. Ndërsa të vërtetën si një udhëtim të mendjes dhe të shpirtit. Personazhet, stili, linjat paralele, zhgënjimi përzier me trishtim dhe vuajtje meritojnë të shkruhen e lexohen me respekt. “Peshorja e ndërgjegjes sime anonte dukshëm nga dashuria për njerëzit, nga bindja se lumturia qëndron në të menduarit dhe të vepruarit për ta dhe për shoqërinë”, shkruan autori dhe njëkohësisht personazhi në letrën e tij drejtuar fëmijëve Sokol, Flora dhe Lindita.

Në këtë roman e ke të vështirë leximin kur rrokesh të gjesh fillin apo kufirin mes ngjarjeve reale të përjetuara nga autori dhe trillit artistik të tij. Pa ngritur pretendime për llojin e romanit dhe stilin e autorit, krijohet përshtypja se libri ofron një përgjigje për diskutimin e vjetër mbi hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të regjimit komunist. Padyshim që romani është një kontribut dhe vlerë e shtuar në letërsinë dokumentare, biografike dhe autobiografike të të përvuajturve dhe të përndjekurve politikë, që ndonëse nuk u referohet drejtpërdrejtë burimeve arkivore e historike, krijon një rrafsh të gjerë për diskutim, të nxitur nga nevoja për të kuptuar veten dhe për t’i shtyrë lexuesit për të kuptuar se çfarë force dhe çfarë mase kërkon përballja me të kaluarën. Sidoqoftë, kujtimet dhe përjetimet personale kanë vlerën e tyre, por letërsia ka ligjet e veta, prandaj forca dhe cilësia aktuale e një vepre letrare nuk e ka rëndësinë e vet, ku dhe kur është shkruar, dhe në këtë kuptim romani e përballon mirë kompozicionin e një vepre të mirëfilltë letrare.

Në botimet e mëparshme të autorit Isa Alibali përfshihen: “Në Shkodër të gjithë këndojnë” për këngën shkodrane (1997), “Mirënjohje” për jetën e artistëve (2002), “Preng Jakova” monografi (2005), “Me Tano Banushin dhe humorin e tij” monografi (2007), “Si e njoha Mirditën” kujtime (2011) dhe “Rrënjë dashurie” shkodranët për Kosovën (2012).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat