Muzeu i Berlinit ekspozon 115 piktura të Ramës

Kultura

Muzeu i Berlinit ekspozon 115 piktura të Ramës

Më: 26 prill 2015 Në ora: 12:41

Galeria e artit në Berlin “Michael Schultz” ka çelur mbrëmjen e djeshme një ekspozitë të veçantë, me pikturat e kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Lajmin e njofton vetë kryeministri në faqen e tij në “Facebook”, shoqëruar me disa foto nga momentet e hapjes së ekspozitës. Rama shoqërohej në muze së bashku me bashkëshorten Lindita Rama.

Pikturat e një kryeministri janë kureshtje më vete dhe jo më kot në ekspozitë ka pasur shumë vizitorë.

Në postimin e tij, Rama shkruan se 115 pikturat e shfaqura në dy muze të ndryshme në Berlin, ishin rezultat i viteve të qëndrimit në zyrë.

“Mbrëmë në Berlin, në Galerinë prestigjioze të artit modern ‘Michael Schultz’, ku u çel në prani të shumë koleksionistëve e artdashësve ekspozita me 115 piktura të bëra gjatë viteve në tryezën e zyrës. Dy muzeume të artit në Gjermani shfaqën interesin për ta ekspozuar koleksionin në mjediset e tyre. Një kontribut modesisht pozitiv edhe për imazhin e Shqipërisë”, shkruan Rama.

Edi Rama po zhvillon një vizitë disa ditore në Gjermani. Ai është takuar me kryeministrin e landit Baden-Vurtenberg, Uinfried Kretscham. Ata janë zotuar për t’u angazhuar për thellimin e bashkëpunimit të dy qeverie në sferën ekonomike.

Rama ka vizituar gjithashtu edhe qendrën kryesore të gjigantit gjerman “Benz”. Kjo vizitë vjen në kuadër të përpjekjeve të qeverisë shqiptare për të tërhequr sa më shumë investitor gjermanë në vendin tonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat