Hapet në Ferizaj ekspozita e parë e karikaturës

Kultura

Hapet në Ferizaj ekspozita e parë e karikaturës

Më: 24 prill 2015 Në ora: 15:22

Tre karikaturistët ferizajas, Selajdin Hajdini, Imri Musliu dhe Agron Sejdiu, mbrëmë në Galerinë e Arteve të Ferizajt hapën ekspozitën e parë me punimet e tyre në këtë zhanër të artit pamor.
Dashamirët e karikaturës patën rastin të shohin qindra punime të këtyre autorëve, ndërsa u tha se kjo është hera e parë që në Ferizaj po paraqitet një ekspozite e tillë me numër të madh të karikaturave. U bë e ditur se kjo ekspozitë është fryt i punës shumëvjeçare të këtyre karikaturistëve të cilët bashkuan punimet e tyre për t’i ofruar publikut ferizajas një ekspozitë siç thanë më ndryshe.
Njëri ndër autorët, Imri Musliu, tha se nuk ka pritur një interesim dhe numër kaq të madh të vizitorëve. Ai ka shpjeguar se përgatitjet për këtë ekspozitë u kanë marrë kohë por që mundi i tyre rezultoi me sukses.
"Ndonëse kemi bërë një përgatitje të mirë për këtë ekspozitë nuk kemi pritur një fluks të tillë të vizitorëve. Përveç këtyre karikaturave përmes kësaj ekspozite kemi dhënë edhe një mesazh edhe për të tjerët se një punë e përbashkët mund të kurorëzohet me sukses", tha Musliu.
Publicisti ferizajas Bardh Frangu tha se karikatura është një mall kulturor shumë deficitar në Kosovë.
"E ndjeva veten krenar që kjo ekspozitë e karikaturës po organizohet në Ferizaj. Është një ngjarje e madhe kulturore sepse karikatura është shenja më identifikuese e civilizimit për një vend. Kjo për faktin se kritika dhe imazhi që ndërton karikatura mbetet gjatë në kujtesë”, tha Frangu.
Ngjarjen e përshëndeti edhe Hasan Bytyçi-Cani nga shoqata e karikaturistëve të Kosovës, ndrësa në hapjen e kësaj ekspozite ishte edhe ambasadori i karikaturistëve për Kosovë, Gani Sunduri, i cili në fjalën e tij tha se është këtu për të përfaqësuar këta tre artist në botën e karikaturës. / KultPlus.com

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat