​Bogujevci premton pasurimin e bibliotekave të shkollave të Prishtinës

Kultura

​Bogujevci premton pasurimin e bibliotekave të shkollave të Prishtinës

Më: 23 prill 2015 Në ora: 21:25

Sot me rastin e “Ditës Ndërkombëtare të Librit” , Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizoi “Takim poetik” me poet dhe nxënës të shkollave të mesme të Prishtinës.

Me këtë rast, drejtoresha e Drejtorisë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Saranda Bogujevci tha se kjo është një ditë shumë e rëndësishme dhe se i vjen mirë që është i madh numri i të rinjve që marrin pjesë në aktivitete të tilla kulturore.

“Leximi është shumë i rëndësishëm për formimin e një individi, ndërsa ne si Drejtori e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të angazhohemi që bashkërisht me të gjithë të interesuarit të organizojmë sa më shumë aktivitete të tilla me qëllim që të nxisim sa më shumë interesimin e qytetarëve për librin”, tha Bogujevci.

Ajo tha se është e interesuar që të dëgjojë të gjitha ato kërkesa që kanë të rinjtë dhe të cilat janë në funksion të afirmimit të leximit të librit.

Ndërsa, nxënësit e pranishëm kërkuan që të shqyrtohet mundësia që të pasurohen bibliotekat nëpër shkolla pasi që siç thanë, ka një mungesë të konsiderueshme të librave.

Drejtoresha Saranda Bogujevci i siguroi ata se do të angazhohet për këtë kërkesë, ndërsa i ftoi ata që të interesohen për projekte kulturës dhe rinisë që do të subvencionohen nga kjo drejtori.

Në këtë aktivitet morën pjesë edhe drejtori i bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, Munish Hyseni, Veli Veliu, poet nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, Shefqete Galsaci, poete, nga Karvani i Shkrimtarëve për fëmijë “Agim Deva”, profesorë, nxënës të shkollave, etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat