Ekspozita e Marilyn Monroe në Poloni

Kultura

Ekspozita e Marilyn Monroe në Poloni

Më: 23 prill 2015 Në ora: 19:16

Foto të të famshmes Marilyn Monroe, të bëra nga fotografi Milton Greene, do të shfaqen në një ekspozitë në qytetin Vroklavë të Polonisë, gjatë kësaj vere, si pjesë e një koleksioni të rrallë fotografish të aktores amerikane.

Qyteti perëndimor i Polonisë arriti të siguronte fotografitë gjatë një ankandi të suksesshëm të vitit të kaluar për rreth 1,69 mln dollarë, sipas medieve lokale, ndaj dhe ky koleksion pritet të shërbejë tashmë si një arsye më shumë për të vizituar Vroklavën, që pritet të jetë një prej dy “kryeqyteteve” europiane të kulturës në vitin 2016.

Në koleksion përfshihen mbi 3000 fotografi, ku shfaqen edhe foto të aktoreve të tjera si Audrey Hepburn, Grace Kelly, Judy Garland dhe Marlene Dietrich.

Një përmbledhje e 47 fotografive të Monroe, përfshi edhe “balerinën e ulur”, është zbuluar ndaj kritikëve të artit dhe fotografive gjatë së martës, ndërkohë që ekspozita e titulluar “Good Day, Marilyn” do të hapet për publikun në Korrik.

“Personi që do të shohë këtë ekspozitë do të mund të vërejë një Marilyn Monroe ndryshe në secilën prej fotove, sepse ato janë çaste të shkrepura të një aktoreje, një një ylli kinematografie, por edhe të një personi të panjohur për publikun”, tha kuratori i ekspozitës, Marek Stanielewicz (Stanileviç). “Disa foto janë poza të zakonshme, ndërsa disa të tjera na tregojnë Marilyn Monroe në situata intime. Thelbi është që ato të shfaqin Marilyn Monroe, jo vetëm si një aktore të madhe dhe një seks simbol, por edhe një Marilyn Monroe si një qenie njerëzore dhe një femër”.

Greene, i cili ka punuar për revista si “Harper’s Bazaar” dhe “Vogue” u bë mik i Monroe pasi u takuan për një set fotografik. Së bashku, ata krijuan më pas një kompani produksioni, dhe si ortakë biznesi ai mori shumë foto të saj, përpara se të ndërronte jetë në 1985-n.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat