Donika Dabishevci vjen me librin “Proza e poetizuar”

Kultura

Donika Dabishevci vjen me librin “Proza e poetizuar”

Më: 23 prill 2015 Në ora: 17:16

Këto ditë doli nga shtypi monografia “Proza e poetizuar” nga studiuesja e letërsisë Donika Dabishevci.

Studiuesja Dabishevci thotë se përzgjedhja ishte e motivueshme, ngase, hulumtimi i fenomeneve që e karakterizojnë këtë zhanër, nisi me autorët që njëherësh janë edhe të parët që kanë sprovuar këtë tipologji shkrimi (Konica, Frashëri, Koliqi), ndërsa konsolidimi i prozës poetike shihet edhe te autorët bashkëkohorë të letërsisë shqipe- Camaj e Hanxhari, krijimet e të cilëve po ashtu janë modele të këtij zhanri.
Libri trajton tipologjinë e prozës poetike, ndërsa janë analizuar krijimet e autorëve: Faik Konica, Mid’hat Frashëri, Ernest Koliqi, Martin Camaj dhe Mihal Hanxhari në këtë zhanër.
Studiuesja Dabishevci thotë se përzgjedhja ishte e motivueshme, ngase, hulumtimi i fenomeneve që e karakterizojnë këtë zhanër, nisi me autorët që njëherësh janë edhe të parët që kanë sprovuar këtë tipologji shkrimi (Konica, Frashëri, Koliqi), ndërsa konsolidimi i prozës poetike shihet edhe te autorët bashkëkohorë të letërsisë shqipe- Camaj e Hanxhari, krijimet e të cilëve po ashtu janë modele të këtij zhanri.

Libri ndahet në dy pjesë tematike: fillon me një hyrje teorike mbi prozën poetike për të vazhduar me interpretimin letrar dhe hetimin e ideve te veprat e zgjedhura në prozë poetike. Në pjesën e parë flitet teorikisht për elemente strukturale të prozës poetike, për shkak të specifikës së zhanrit, ndërsa në pjesën e dytë analiza dhe interpretimi përqendrohet në nivelin e leximit e kërkimit nëpër shenjat e tekstit të prozave poetike të këtyre autorëve, duke u fokusuar kryesisht në interpretimin tematik por edhe struktural të teksteve.

“Meqë proza poetike ekzistencën dhe kuptimin e saj e kërkon në formë, prozat poetike të këtyre autorëve, nëpërmjet një ecurie studimi e njohjeje, janë trajtuar kryesisht nga pikëshikimi i analizës së formës, duke shenjuar dhe interpretuar shfaqjen e dallueshme të elementeve të prozës poetike - si formë letrare, te veprat e përzgjedhura, për të nënkuptuar natyrën e veçantë të tyre. Analiza është reduktuar në prozat poetike që e kanë jehonën e risive krijuese dhe mund të konsiderohen si përfaqësuese të të gjithë veprës me proza poetike të autorit të caktuar”, thotë Dabishevci për KultPlus.

Qasja metodologjike që ka zbatuar Dabishevci është analiza brenda tekstit e zbatuar herë si analizë forme e herë si analizë tekstuale (interpretim). Te analiza e formës autorja është shërbyer me teoritë formaliste e strukturaliste, ndërkaq në analizën tekstuale ka bërë interpretimin tematik e simbolik të teksteve, duke hetuar natyrën e tekstit letrar, përkatësisht vlerat ideo-letrare të prozës poetike të këtyre autorëve.

Donika Dabishevci, është poete, studiuese e letërsisë dhe kritike letrare. Ka doktoruar në shkenca letrare. Përveç kësaj monografie ka botuar edhe dy libra tjera me poezi : “Krizantema të plasura” (1996) dhe “Imazhe të brishta” (2004).
Monografia “Proza e poetizuar”, është botuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe ka 340 faqe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat