Kukulla si pretekst

Kultura

Kukulla si pretekst

Nga: Bajram Sefaj Më: 23 prill 2015 Në ora: 14:46

(Një tregim i I. Kadaresë për familjen dhe vendlindje e tij).

Paris - Asgjë, as detajin më të imtë, nuk mund, as ta shtoj as ta heq (shmang), sa i takon tregimit (të gjatë) me titull Kukulla që, ditë më parë, të përkthyer frëngjisht, e hodhi në treg shtëpia e njohur e Parisit “Fayard”.
Të gjithat, gati-gati pa përjashtim, në faqet e shtypit tonë (mbarë) shqiptar, janë thënë përkitazi me këtë libër. Madje kolegët që shkruan për të, ishin në avantazh në krahasim me mua nga se, këtë tregim të gjatë, e kishin lexuar para meje në kuadër të librit të fundit të Kadaresë “Mëngjeset në Kafe Rostand”, nxjerrë në dritë nga botuesi ekskluziv shqiptar Onufri i Tiranës, ashtu sikurse është edhe Fayard-i i Parisit, për veprën letrare të shkrimtarit tonë në gjuhën frënge.
Prandaj krejt çfarë mund të shtoj, me këtë rast, është se “La poupée-në” e kam pritë me gëzim. Me padurim pritja agimin e ditës se re, kur ky tregim të shoh dritën e botimit në frëngjisht. Librin menjëherë e bleva (16 euro), dhe në dakik i jam gjuajt leximit. Mund të shtoj se vrik kam ndërprerë (për një çast) leximin e romanit fort të mirë të shkrimtarit francez, Romain Gary “Charge d’âme”, të cilin, vitin e kaluar, e ka “prua” në gjuhë shqipe, poeti, shkrimtari dhe pedagogu ynë i shquar, Dr. prof. Agim Vinca.
Të shtoj se Kukullën e kam lexuar me një frymë! Prapë druaj se nuk them asgjë të re e për të qenë, ngase edhe unë, si mijëra lexues, jo vetëm shqiptarë, por, kudo në (për) Planetin tonë, provojnë të njëjtën ndjenjë kur lexojnë vepër të re të shkrimtarit shqiptar, njërit ndër më të shquarit në këtë kapërcyell shekujsh, do të thosha!
Lexuesi e ka të qartë se Kukulla është pjesë përbërëse e librit të trashë “Mëngjeset në Kafe Rostnd” të Parisit që, sikurse thonë ata që e kanë lexuar, është si një vazhdim i një libri të më përparshëm të Kadarésë, atij me titull “Ftesë në studio”.
Nëse jo krejt “Mëngjeset...” në tërësi, shkrimtari e ka pa të udhës (dhe mirë ka bërë, padyshim) që lexuesit të vet besnik francez dhe frankofon në përgjithësi, t’ia ofroi mundësinë e kënaqësisë (“na u kënaqëm tuj’ u kënaq”!) gjatë leximit të këtij libri.
Krahas të gjitha vlerësimeve pozitive dhe balancimeve hamendsh, (jo këndej jo andej), të kritikëve tanë, megjithatë, më i arsyeshmi dhe më i drejti duket se është vrojtimi (kualifikimi) i botuesit Fayrad kur thotë se Kukulla, nuk është tjetër, pos një pretekst që Kadaré t’i kthehet edhe njëherë vendlindjes se tij, Gjirokastrës e, pse jo edhe nënës, prindërve, fejesave e martesave etj.
Kur është fjala për nënën (që më në fund edhe i dedikohet ky rrëfim brilant, le të thuhet edhe kjo), mes tjerash, kuptohet që në nismë (që në hapje) të këtij libri, (faqe 11), të pret befasia e parë, e këndshme. Ajo kur shkrimtari ynë zbërthen temën e pazbërthyeshme Nënë, me poetin rus Andrej Vosnesensky-n, gjatë një darke si mysafirë të Alain Bosquet, që ishin. Ishte ky, sikurse e thotë vetë, takimi i parë dhe i mbramë i Kadarésë me Voznesensky-n. Sikur të takoheshin përsëri, sigurisht se përsëri do të kishte shpjegime të reja dhe tejet filozofike në subjektin nënë, terr/nënë, siç e kishte nxjerr poeti rus duke zhvendosur shkronjën t, të fundit mat (nënë), duke e hedhur në fillim t-në për të fituar tma (terri, rusisht!).
Vërtetë terr e ka fëmija në bark të nënës, interesant, e keni vrarë mendjen ndonjëherë!
Nuk e di, sa e si ka intervenuar autori kur këtë fragment e ka ndarë për ta botuar si libër të veçantë, dedikuar lexuesit frankofon, por mund të konstatoj se, ndonëse fjala është për një kronikë familjare, në shikim të parë, shkrimtari ynë, me përvojën letrare dhe dijen e njohuritë e mëdha që ka, e shtreson atë dhe e ngritë atë në nivele të larta universale.
Duke rreshtuar perlë pas perle...

(“La poupée”, nga gjuha shqipe në frëngjisht e përktheu violinisti ynë i njohur, Tedi Papavrami. Libri ka 160 faqe, kushton 16 euro, e botoi ShB Fayard, Paris – 2015).

Krahas të gjitha vlerësimeve pozitive dhe balancimeve hamendsh, (jo këndej jo andej), të kritikëve tanë, megjithatë, më i arsyeshmi dhe më i drejti duket se është vrojtimi (kualifikimi) i botuesit Fayrad kur thotë se Kukulla, nuk është tjetër, pos një pretekst që Kadaré t’i kthehet edhe njëherë vendlindjes se tij, Gjirokastrës e, pse jo edhe nënës, prindërve, fejesave e martesave etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat