‘Klubi Bakllava’, së shpejti në shqip

Kultura

‘Klubi Bakllava’, së shpejti në shqip

Më: 19 prill 2015 Në ora: 17:10

Të përkthesh një shkrimtar si Jason Goodwin, i përkthyer në 40 gjuhë është si të endesh në histori. Falë bashkëpunimit me shtëpinë botuese “Saras” edhe në gjuhën shqipe mund të njohim aventurat domethënëse të personazhit të tij kaq karizmatik, detektivit Jashim. Së shpejti do të vijë në shqip libri i pestë i kësaj sage të famshme “Klubi Bakllava” i cili është kthyer në bestseller në Britaninë e Madhe ku doli vitin e kaluar. Në katër novelat e mëparshme Jashimi, detektivi eunuk na shpuri përmes mistereve emocionuese dhe befasuese të Stambollit në Perandorinë Osmane të shekullit XIX, kohë kur kjo perandori filloi të ndërmerrte reforma të shumta që synonin europianizimin e vendit.

Rrugëtimi filloi me “Pemën e Jeniçerëve” dhe heronjtë kryesorë shqiptarët, të cilët kanë qenë jo pak herë pjesëmarrës në drejtimin e kësaj perandorie duke nxjerrë mbi pesëdhjetë vezirë të lartë që shërbyen në të. Pastaj vazhdoi me “Gurin e Gjarprit”, ku përsëri shqiptarët ishin protagonistë të ngjarjes, por kësaj here si administratorë të ujësjellësit të kryeqytetit të perandorisë dhe që sipas fjalëve të autorit të pranishëm në këtë qytet që para pushtimit të tij nga turqit, gjë e cila hedh sadopak dritë mbi praninë e shqiptarëve në perandorinë bizantine. Vazhdoi më pas me vëllimin e tretë “Portreti i Belinit”, ku autori përshkruan atmosferën që mbizotëronte në Stambollin dhe Venecian e messhekullit XIX dhe marrëdhëniet e tyre të kahershme si dy qytete tepër të rëndësishme dhe bashkëpunuese me njëra-tjetrën. Dhe vijoi më pas me vëllimin “Syri i Keq”, ku, ashtu siç e tregon edhe vetë titulli, autori u kthye përsëri në Stambollin dhe perandorinë e intrigave dhe besëtytnive ballkanase. Ndërkohë, në dorë vjen i fundit nga saga e Jashimit, por jo më pak mbresëlënësi. Libri i pestë i shkrimtarit Jason Goodwin, “Klubi Bakllava” i vendos ngjarjet në vitin 1846, kohë kur perandoria po përjetonte ditët e saj të fundit.

Duke qenë jo vetëm shkrimtar, por edhe studiues i diplomuar në Universitetin Kembrixh dhe specialist i periudhës bizantine dhe asaj osmane, personazhet, mjedisi ku zhvillohet ngjarja apo tharmi i zhvillimit intelektual, janë paraqitur në mënyrë të përsosur. Goodwin ka një aftësi të jashtëzakonshme për të përshkruar hollësira, të cilat janë tipike e mënyrës së tij të të rrëfyerit. Një veçanti e këtij libri është që me shumë mjeshtëri autori e zhvendos skenën e rrëfimit nga pallati i sulltanit në rrugët e kryeqytetit osman që gëlonin me të huaj të gjithfarë kombësive dhe feje. Sërish në Stambollin madhështor. Është një kohë kur shumë vende europiane kërkojnë ndryshime, sidomos nga pikëpamja politike. Tre të rinj italianë, ende të papjekur e në politikë, me qëndrimin e tyre liberal donin që Italia të futej në rrjedhën e ndryshimeve, pa sundues autoritarë, veçanërisht atë të papës dhe të kishës. Për këtë, ata shkojnë në këtë qytet ku ndihen më të sigurt dhe njëkohësisht kanë marrë urdhrin për të vrarë një princ polak. Të rinjtë nuk arrijnë të kuptojnë se qëllimi i tyre fisnik po përdorej nga të tjerë njerëz, me të tjera qëllime, nëpërmjet një të panjohuri me pseudonimin ‘La Piuma’. Ashtu si gjithnjë, i takon Jashimit të shpështjellë lëmshin e ngatërruar mes fijeve të intrigave të brendshme dhe atyre të jashtme. Ai ka bindjen se princi është ende gjallë, por përpara i dalin disa probleme. Së pari, nuk di asgjë për të ashtuquajturin ‘La Piuma’.

Rrëmbimi i princit, që arrin ta zbulojë pas peripecish të shumta, ndërlikohet edhe më shumë nga dy vrasje: njëra e një vajze daneze dhe tjetra e një punonjësi të administratës turke, të cilat njëkohësisht janë rrugë që e shpien te zgjedhja përfundimtare ku edhe fundi i librit, edhe i historisë është tepër i papritur. Por, nga të gjithë këto personazhe, më enigmatik është një vajzë e re ruse, e ftuar nga Valideja për të vizituar pallatin e sulltanit dhe qytetin. Magjepsje, kërshëri dhe të papritura. Këto janë tri ndjesitë që kjo femër shkakton tek detektivi Jashim, i cili është caktuar ta shoqërojë për të vizituar Stambollin madhështor. Mos vallë është thënë që e vetmja herë kur Jashimi bie në dashuri të vërtetë me një grua, ajo të martohet me vdekjen? Duke pasur si bosht kryesor shndërrimet historike të perandorisë osmane, autori di të ndërthurë edhe temat e tjera si dashuria, politika, ekonomia, fatet apo interesat e ngushta të një kategorie njerëzish, të cilët tre të parat i kishin vetëm si mburojë për të fshehur qëllimet e tyre të vërteta në jetë. Të tillë janë princi polak, apo italiani me prejardhje aristokrate, Xhankarloja.

E gjithë kjo ndërthurje ngjarjesh dhe intrigash gjejnë një zgjidhje të cilën di ta japë vetëm një shkrimtar si Jason Goodwin. Ashtu si në katër librat e parë, edhe në librin e tij të pestë, nëpërmjet personazhit kryesor dhe fjalëve të tij, autori jep mesazhe të fuqishme. Mjafton të përmendim këtu çastin kur në bisedë me Xhankarlon, njërin prej djemve që kërkon të arrijë synimin e tij nëpërmjet dhunës, Jashimi e këshillon të jetë i drejtë “sepse është drejtësia ajo që përcakton sa i qytetëruar është një njeri”, duke lënë të kuptohet se pa ligjin dhe drejtësinë, njerëzimi nuk do të mund të arrijë kurrë atë që quhet qytetërim. Përkundrazi, në botë do të sundonte anarkia. “Klubi Bakllava” do të sjellë te lexuesit emocionet dhe magjinë e një qyteti madhështor si Stambolli dhe një perandorie e cila edhe sot e kësaj dite ngjall debate të shumta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat