​“Ishulli” i Victoria Hislop së shpejti në shqip

Kultura

​“Ishulli” i Victoria Hislop së shpejti në shqip

Më: 16 prill 2015 Në ora: 23:16

Romanin “Ishulli” , vepra e famshme shkrimtares britanike Victoria Hislop, pasi ka bërë xhiron e botës me mbi 2.000.000 kopje të shitura, do të prezantohet së shpejti edhe në Shqipëri.

Nën siglën e botimeve “Toena”, “Ishulli” i Hislop do të vijë i përkthyer në shqip falë përkthimit plot përkujdesje të Platon Pullës gjatë muajit maj, ku të gjithë miqtë e librit do të kenë mundësinë që të prezantohen nga afër me autoren dhe pjesën e saj gjatë ditëve të Fesivalit të Librit dhe të Artit, që do të zhvillohet nga data 6 deri 10 maj në ambjentet e Pallatit të Kongreseve.

Autorja Victoria Hislop pasi ka marrë mjaft vlerësimeve ndërkombëtare për “Ishullin” vlerësime si “Një libër i shkruar me zemër” (nga Observer), “Qasje pasionante me subjektin e saj”( nga The Sunday Times), “Një libër prekës dhe tërheqës për pushime, i cili të bën për vete”(nga Evening Standard), “Një histori, që duke e lexuar, na kujton se dashuria dhe jeta vazhdojnë edhe në situatat më të jashtëzakonshme” (nga Sunday Express), “Përshkrime të mrekullueshme, karaktere të fortë dhe një ikonë shumë e qartë i ekzistencës së ishullit”( nga Woman & Home), dhe pasi ka fituar edhe çmimin letrar nga “Richard & Judy Summer Read”, do të prezantojë edhe në Tiranë ndër sukseset e saj, i cili është një libër i shumëpritur në shqip jo vetëm nga lexuesit, por edhe nga kritika.

Victoria Hislop lindi më 1959 në Bromli, Kent dhe ndoqi shkollën Tonbridge Grammar në UK. Studioi në Kolegjin St. Hilda të Oksfordit dhe punoi si gazetare për rubrikat mbi udhëtimet në gazetat Sunday Telegraph, the Mail on Sunday dhe Woman & Home, përpara se të bëhej romanciere. Ka jetuar në Londër për më shumë se 20 vite dhe tani jeton në Sisingharts, Kent, me bashkëshortin dhe dy fëmijët.

Romani i saj “Ishulli” është botuar për herë të parë më 2005 dhe falë suksesit që ai pati, Victoria Hislop u shpall Newcomer of the Year nga Galaxy British Book Awards 2007 dhe fitoi konkursin Richard & Judy Summer Read. Ai është përkthyer tanimë në 26 gjuhë të ndryshme dhe është shitur në më shumë se 2 milionë kopje në të gjithë botën. Në Francë ky libër është kurorëzuar me Çmimin e Lexuesve të Livre de Poche në vitin 2013.

Përveç romanit “Ishulli” ajo ka botuar edhe romanet “Kthimi” (2009), “Kërcënimi” (2012), “Kërcimi i fundit” (2013) dhe “Lindja e diellit” (2014) – i cili vazhdon të jetë i listuar si një nga librat më të shitur në Angli që prej botimit të tij.

Kanali televiziv grek “Mega” ka realizuar serialin “To Nisi” (“Ishulli”) duke marrë shkas nga ky roman.

Dy fjalë nga Toena, rreth romanit “Ishulli” të shkrimtares Victoria Hislop

Ishulli i vogël i Spinalongës ka qenë gjithmonë aty, prej shumë e shumë kohësh, aty përballë ishullit të madh të Kretës, i vogël dhe ftues. Historia e tij dhe e banorëve që e populluan atë gjatë gjysmës së parë të shekullit të 20-të, histori së cilës i kushtohet ky roman, është sa e pabesueshme aq edhe e vërtetë, e dhimbshme, shenjësuese, tronditëse, frymëzuese dhe e papërsëritshme.

Spinalonga ishte ishulli i lebrozëve, të përjashtuarve nga komuniteti i njerëzve të shëndetshëm, që detyroheshin nga shoqëria e asaj kohe të jetonin aty për shkak të sëmundjes së tyre të tmerrshme, të izoluar, të përbuzur, të tmerruar nga fundi i pashmangshëm. Pikërisht ky ishull dhe banorët e tij të stigmatizuar janë kryesisht në qendër të ngjarjeve të këtij romani. Historia e tyre e mahnitshme, dëshira dhe dashuria e tyre për jetën, betejat e tyre të përditshme të vogla e të mëdha, ambiciet njerëzore, dashuritë e lindura mes dëshpërimit dhe shpresës janë në thelb indet e kësaj proze që të mrekullon në çdo faqe të saj.

Eleni, Maria, Ana, Jorgji, Dhimitri, Manoli, Sofia, Andoni, Fotinia, Aleksis janë personazhe të ndërtuara me aq mjeshtëri nga autorja britanike Victoria Hislop, sa herë-herë të duket sikur ajo ka lindur e ka jetuar në Kretë gjithë jetën e vet.

Fuqia e artit të saj të shkruar të prek në ndjenjat më të thella të njerëzore, të injekton pendesë, humanizëm, optimizëm, shpresë e mbi të gjitha të bën të jetosh në detaje kalvarin e një komuniteti njerëzish të përjashtuar nga shoqëria por që ditë të jetonin e të vdisnin plot dinjitet të përligjur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat