Komedia “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” nesër në TKK

Kultura

Komedia “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” nesër në TKK

Më: 16 prill 2015 Në ora: 11:25

Komedia e autorit kosovar Jeton Neziraj “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” do të rishfaqet nesër në Teatrin Kombëtar të Kosovës, njoftoi Qendra Multimedia.

Kjo komedi, e cilësuar nga autorët si “antikombëtare”, është shfaqur me sukses në dhjetëra teatro në Kosovë e në Evropë. Regjinë e e ka bërë Blerta Neziraj, kurse luajnë aktorët e njohur nga Kosova dhe Maqedonia, Bajrush Mjaku, Adrian Morina, Anisa Ismaili, Adrian Aziri dhe Ernest Malazogu.

“Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” është një komedi politike mbi njërën nga ngjarjet më të rëndësishme globale të këtij shekulli – lindjen e shtetit të Kosovës. Shfaqja flet për Kosovën e re që, e lodhur dhe e rrënuar nga lufta, varfëria, korrupsioni e tutelat e pafundme të misioneve ndërkombëtare, përpiqet ta gjejë rrugën e vet drejt të ardhmes… Shfaqja është e mbushur me ironi dhe humor, që sillet rreth një interpretimi orkestral që duhej të shënonte pavarësinë e Kosovës. Në këtë interpretim, ndikimi i politikës në art dhe glorifikimi i qeverisë vinë në një format ironik, me aktorë që vazhdimisht luajnë me idenë e shtetit dhe politikës së Kosovës, që vjen me fjalë të thata, por që pretendon shumë.

Muzikantë në shfaqje janë Susanna Tognella (violinë) dhe Gabriele Marangoni (harmonikë), koreografia është e Arthur Kuggeleyn, kompozitor Gabriele Marangoni, skenografia dhe kostumet Susanne Maier-Staufen, realizimi i skenografisë Kërste S. Xhidrov, ndërsa asistente e kostumografisë Leonora Mehmeti. /

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat