Libra të rinj

Kultura

Libra të rinj

Më: 14 prill 2015 Në ora: 16:53

Në vazhdim prezentimi i dy librave të rinj të përkthyer në shqip.

Vetmitari

Eugène Ionesco

Përktheu: Nasi Lera

Faqe160, 800 lekë

Botues: DITURIA

Një roman i kohës sonë

I lindur në Bukuresht më 1912 nga një baba rumun dhe nënë franceze, Eugene Ionesco jetoi aty deri në vitin 1940. U diplomua për frëngjisht në Universitetin e Bukureshtit dhe më vonë u vendos përfundimisht në Paris, ku dhe kishte kaluar një pjesë të fëmijërisë. Anëtar i Akademisë Franceze, ai u nda nga jeta në mars 1994.

Talenti prej shkrimtari i Ionescos u zbulua qysh në fëmijëri, kur nuk ishte më tepër se 9 vjeç. Mësuesi u kërkoi nxënësve të klasës së tij të shkruanin një pjesëz për fshatin dhe në fund ishte pikërisht përshkrimi i vogëlushit Ionesco ai që kishte tërhequr vëmendjen e mësuesit, i cili e lexoi atë me zë të lartë përpara klasës. Kjo gjë e inkurajoi Ionescon dhe e shtyu të vazhdonte më tej. Madje, pati dëshirën e madhe t’i shkruante dhe t’i botonte kujtimet personale kur ishte vetëm dhjetë vjeç. Në moshën dymbëdhjetëvjeçare shkroi poezi më së shumti për miqësinë, si dhe skenarin për një film të prodhuar nga shkolla e tij. Këto qenë vetëm fillimi i karrierës së shkrimtarit që më pas do të trondiste fort jo vetëm letërsinë franceze, por edhe atë mbarëbotërore.

Ndër themeluesit kryesorë të atij që kritiku Martin Esslin e cilësoi si teatri i absurdit dhe i së ashtuquajturës dramë të re, së bashku me Beketin dhe Arthur Adamovin, Ionesco debutoi si komedian me “La Cantatrice chauve” (1950), e konsideruar prej tij si “antikomedi”, e karakterizuar nga një surealizëm veçanërisht verbal, që bazohet mbi absurden dhe të pakuptueshmen. Kjo komedi hodhi bazat e teatrit të Ionesco-s dhe shpejt u pasua nga vepra të tjera dramaturgjike, gjithsej 33, si: “La leçon”, 1951; “Les chaises”, 1952; “Victimes du dévoir”, 1953; “Amédée ou comment s’en débarasser”, 1954; “Jacques ou la soumission”, 1955; “Tueur sans gages”, 1957 dhe “Le rhinoceros”, 1959 etj. – kjo e fundit konsiderohet si komedia e tij më e suksesshme.

Viti 1974 shënoi debutimin e tij të parë dhe të vetëm si romancier, me roman “Vetmitari” – fr. “Le solitaire” – një roman i jashtëzakonshëm që e shkund shoqërinë nga rrënjët. Romani është krahasuar jo pak herë me veprën “I huaji” i Kamysë, apo me “Neveria” e Sartrit. Për më tepër, “Vetmitari” është produkt i vonë në letërsinë e ekzistencializmit, në të cilin spikat më shumë gërshetimi i monologut të brendshëm me realizmin magjik, sesa atmosfera mbytëse që rrethon jetët e anti-heronjve të romaneve të sipërpërmendura (“I huaji”, “Neveria”), apo ato më të hershme të Kafkës. Prandaj, “Vetmitari” mund të konsiderohet si më realisti ndër ta.

Subjekti i “Vetmitarit” është në pamje të parë fare i thjeshtë. Një nëpunës francez trashëgon papritur një pasuri të konsiderueshme nga i ungji në Amerikë dhe vendos të ndërtojë kështu parajsën e tij modeste: del në pension, edhe pse është ende i ri, vetëm 35 vjeç, duke shkëputur kontaktet me gjithë të njohurit, dhe shkon të jetojë në një apartament të vogël në periferi. Protagonistit i mbetet të bëjë vetëm një gjë: të vështrojë pa reshtur nga dritarja e korridorit të shtëpisë, apo nga ajo e një restoranti të vogël, ekzistencën e të tjerëve, fytyrat e kalimtarëve, duke ëndërruar të shohë një fytyrë të qeshur mes turmës, e cila mund të shfaqë interes për fytyrën e tij, kaq e vagulluar, e mbuluar nga shenja të ankthit që sa vjen e shtohet, fare pak e ndriçuar nga dy sy blu të zbehtë, të pazotë të tërheqin vështrime, në kujtimet obsesive të pak grave që e kanë bërë më të lehtë ekzistencën e tij, monotone prej rutinës. Por jo gjithçka shkon siç ky e kishte parashikuar dhe, pavarësisht nga qëllimet e tij të mira, çdo dëshirë e madhe për paqe do të turbullohet nga policë, revolucionarë, vajzat kryeneçe, sindikalistë të rebeluar. Një univers anarkist dhe paksa indiferent, drejt të cilit dramaturgu i absurdit i kthen sytë herë pas here me mosbesim, duke e parë progresin dhe revolucionin me dyshim. Ironi e ashpër drejt një bote në të cilën gëlojnë përfituesit, oportunistët dhe jorealët, dhe melankoli teksa sheh që rrjedha e jetës po i afrohet fundit, një rrugë e pashmangshme të cilës askush nuk mund t’i shpëtojë. Ky roman, me elementet e tij të realizmit magjik, është një depërtim interesant në mendjen e trazuar, dhe pasqyrim i përsosur i vullnetit të lirë, tjetërsimit, idealizmit dhe padijes së njeriut.

Në përgjithësi, vepra e Ionescos paraqet dy karakteristika: së pari, gjuha e shtrembëruar dhe e shpërbërë për të shpjeguar apo për t’i shtuar botës konfuzionin e vërtetë; së dyti, prania e situatave që e kanë humbur kontekstin e tyre dhe që shpesh dalin plotësisht jashtë kontrollit, në mënyrë që audienca të shohë një pasqyrë-botë të shtrembëruar, e cila e reflekton botën në mënyrë të tillë që të perceptohet absurditeti i jetës që deri më parë ishte neglizhuar. Ionesco shfrytëzoi shpesh ëndrrat e tij, veçanërisht për të përcjellë dy nga frikërat e tij kryesore: dështimin dhe vdekjen.

Aftësia e Ionescos për t’i parë situatat me një sy të patrazuar, të pafajshëm, duke qenë dëshmitar i asaj çka ndodh, por pa e kuptuar forcën e jashtme që fshihet pas çdo ngjarjeje, e qas atë më pranë surrealizmit. Të çliruarit të mendjes nga gjendja e saj plotësisht e vetëdijshme është një parakusht i të shkruarit surrealist. Në rastin e Ionescos, bota e tij e çuditshme e realitetit lundrues bazohet te hutimi gjenuin dhe moskuptimi.

Thirrja e Ionescos nuk u drejtohet aq intelektualëve, sa njerëzve të zakonshëm të aftë të dallojnë pasiguritë e tyre, keqkuptimet dhe poshtërimet që vijnë prej padijes, duke i paraqitur në mënyrën që ata njohin: duke dramatizuar ato momente kur ata nuk janë të sigurt nëse e gjithë bota është kundër tyre apo nëse është papërshtatshmëria e tyre përgjegjëse. Ionesco nuk përpiqet të zgjidhë apo të shpjegojë kontradiktat e jetës, por i paraqet ato siç ai vetë i sheh, në mënyrë që edhe të tjerët t’i njohin.

I cilësuar prej François Nourissier si një nga veprat themelore të kohës sonë, e cila heton dhe detajon sëmundjen e shekullit në të cilin jetojmë, romani “Vetmitari” vjen tani në shqip nga Sh.B. DITURIA nën përkthimin e jashtëzakonshëm të përkthyesit dhe shkrimtarit Nasi Lera.

Odiseja nga Bagdadi

Eric-Emmanuel Schmitt

Përktheu: Rina Çela Grasset

Faqe 248; 1000 lekë

Botues: TOENA

Një roman për një Uliks oriental

“Odiseja nga Bagdadi” është historia e Saad Saadit* që rrjedh nga një familje e mesme e shoqërisë irakiane dhe që përjeton peripecitë e vendit të tij nga Sadami te lufta civile dhe pushtimi amerikan. Njerëzit e tij më të afërt i ka humbur një nga një për shkak të konflikteve, varfërisë dhe sëmundjeve. Atëherë, Saad vendos të largohet nga Bagdadi dhe të shkojë të punojë në Angli për të ndihmuar familjen e tij, duke rrezikuar të humbasë edhe identitetin e vet.

Eric-Emmanuel Schmitt i huazon zërin një klandestini irakian, odiseja e të cilit nga Bagdadi në Londër është një riinterpretim i mitit grek të Uliksit të orientalizuar. Përtej tregimit modern, autori u jep këtyre njerëzve që janë kthyer në hije – një fytyrë, u jep njerëzoren, dinjitetin e tyre.

Autori lundron mes tragjedisë dhe fantazisë. Me një penë të rrjedhshme dhe me një stil të rafinuar, ai himnizon lirinë dhe vëllazërinë. Ajo çka të bie në sy duke lexuar romanin është besimi i thellë që ai ka te qenia njerëzore dhe optimizmi që ai shpreh nëpërmjet artit të tij përtej dramave që përshkruan. Eric-Emmanuel Schmitt na jep portretin e një bote ku mbretëron kaosi, dhimbja, në një tekst prekës të sjellë nga personazhe mallëngjyes dhe të thellë, mbi të cilët ai hedh një vështrim të butë, plot simpati.

“Odiseja nga Bagdadi” është një odise bashkëkohore e përshkruar me tone pesimiste, pavarësisht fundit që të lë një shije shprese.

*Saad Saad –arab.Shpresë Shpresë;angl.I trishtuari i trishtuar

Dy fjalë për Eric-Emmanuel Shmitt, autorin

Eric-Emmanuel Schmitt lindi në mars të vitit 1960. Kreu shkollën e mesme në Lycée du Parc në Lion të Francës dhe, më pas, ndoqi studimet e larta në Paris (1980-1985). Ai mban titullin Doktor në filozofi. Dramaturg, romancier, eseist, kineast, Eric-Emmanuel Schmitt është bërë brenda një dhjetëvjeçari një nga autorët frankofonë më të lexuar e më të pranishëm në botë. Pas sukseseve të njëpasnjëshme në teatër, ai botoi një sërë romanesh dhe përmbledhje novelash. Nga romani i tij i parë “La Secte des égoïstes” (1999), ai rikthehet me “Ulysse from Bagdad” (2008), një epope pikareske e kohërave tona që u përkthye në 16 gjuhë. Romani tjetër i suksesshëm i tij “La femme au miroir” (2011) na jep fatin e tri grave tejet të ngjashme për sa i përket ndjenjave të ndryshme dhe vullnetit të tyre për t’i shpëtuar vetë imazhit që u ofron pasqyra e epokës në të cilën jetojnë.

I vlerësuar sa nga publiku po aq edhe nga kritika, pjesët e tij teatrale janë nderuar me shumë çmimeMolier, si dhe e gjithë vepra e tij teatrale është vlerësuar meGrand Prix(për teatrin) nga Akademia Franceze.

Schmitt është vlerësuar gjithashtu me çmiminGoncourt(për novela) për “Concerto à la mémoire d’un ange”; çmimin e romanit historik,Agrippa d’Aubigné,për romanin “La femmes au miroir”; me çmimin eGrands Espacespër librin “Ulysse from Bagdad” etj. Veprat e tij janë përkthyer tashmë në 43 gjuhë të ndryshme dhe pjesët e tij teatrale luhen rregullisht në mbi 50 vende.

Në Akademinë Mbretërore të Gjuhës dhe të Letërsisë franceze në Belgjikë, ai është ulur në kolltukun që dikur zinte Colette dhe Cocteau.

Botimet Toena kanë sjellë në shqip edhe vepra të tjera të E. E. Schmitt: “Gruaja në pasqyrë” dhe “Odetë Gjithkushi dhe histori të tjera” (sjellë në shqip nga Rina Çela Grasset), fate grash në kërkim të lumturisë, si dhe “Oskari dhe zonja rozë” (sjellë në shqip nga Sesilia Plasari) i vlerësuar mePrix Chromosnë Zvicër dheGrand Prix Etrangernë Belgjikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat