Vepra për Kosovën e Karl Jenkins interpretohet në Tiranë

Kultura

Vepra për Kosovën e Karl Jenkins interpretohet në Tiranë

Më: 2 prill 2015 Në ora: 00:36

Ka një javë që Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në Tiranë ka filluar përgatitjet për mbajtjen e një koncerti në të cilin do të prezantohet Kori dhe Orkestra Simfonike e Filarmonisë së Kosovës.

Ka një javë që Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në Tiranë ka filluar përgatitjet për mbajtjen e një koncerti në të cilin do të prezantohet Kori dhe Orkestra Simfonike e Filarmonisë së Kosovës me veprën “The Armed Man” të kompozuar nga doktori i muzikës, londinezi Karl Jenkins të cilën ai e kishte realizuar në prag të mileniumit të tretë, në nderim të të gjitha viktimave të luftës së fundit në Kosovë.
“The Armed Man” apo “Njeriu me armë: Meshë për paqe” do të interpretohet këtë të shtunë me datë 4 prill nga ora 19:00 në skenën e TKOB, ku kjo ngjarje nis për këtë vit implementimin e marrëveshjes kulturore kombëtare Shqipëri-Kosovë, të firmosur gjatë muajit shkurt të vitit të kaluar.
“TKOB ka filluar tashmë përgatitjet dhe informimin për publikun shqiptar që Filarmonia e Kosovës e cila këtë vit feston 15 vjetorin e themelimi të saj, do të jetë prezente përballë audiencës në Tiranë”, ka konfirmuar për KultPlus, drejtori i Filarmonisë shtetërore - Baki Jashari, duke shtuar se pas këtij koncerti institucioni me të cilën udhëheq ai do të shfaqë koncerte edhe në disa shtete evropiane.

“Është dyfishuar dinamizmi i punëve në Filarmoni. Këtë vit do të jemi pjesëmarrës në disa koncerte krahas atyre të cilat pritet t’i mbajmë premierë në Kosovë si gjithnjë. Pritet të marrim pjesë në një koncert tjetër në Shkup, e pastaj do të jemi në bisedime me Ambasadën Franceze që Filarmonia të udhëtojë për në Francë në një maratonë koncertesh prej pesë sosh që do i mbajmë në disa prej qyteteve kryesore frankofolëse”, deklaroi Jashari.
Vepra muzikore për solistë-vokal, kor dhe orkestrën e madhe simfonike “Njeriu me armë: Meshë për paqe” fillimisht është interpretuar gjatë mesit të muajit mars në mënyrë madhështore në Shtëpinë e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, kurse një ditë më pas u shfaq edhe si premierë në Sallën e Kuqe në Prishtinë, aty ku autori i kësaj vepre Karl Jenkins u shpërblye me medaljen për meritë të veçantë për kontributin e tij dhënë për popullin e Kosovës, ndërkohë kjo vepër integrale që do të zgjasë më shumë se një orë (65 minuta) ka gjithsejtë trembëdhjetë fragmente. Autori anglez në kohën e dytë të kësaj vepre kishtare, paraqet një pjesë që ia ka kushtuar besimtarëve të besimit islam duke sjellë para spektatorëve “Ezanin” (këndimin e myezinit), ku nënkuptohet toleranca ndërfetare. “Himni para veprimit”, “Më shpëto nga njeriu i përgjakur”, “Agnus Dei”, “Tani armët kanë pushuar” janë pikat tjera që do të performohen në këtë koncert.

Për herë të parë “The armed man” ishte interpretuar gjatë prillit të vitit 2000 në Londër, ndërkohë mesazhi fillestar i saj ka qenë për paqe dhe kundër luftës, ku gjatë fillimit të mileniumit të tretë qëllimi ishte të bëhet një ndryshim radikal në civilizimin botëror që luftërat më të mos përsëriteshin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat