Delegacioni i Bibliotekës Publike të Lezhës vizitoi Mitrovicën

Kultura

Delegacioni i Bibliotekës Publike të Lezhës vizitoi Mitrovicën

Më: 1 prill 2015 Në ora: 11:32

Për dy ditë rresht në qytetin tonë, si mysafirë të Bibliotekës Komunale "Latif Berisha", ka qëndruar një delegacion i Bibliotekës Publike të qytetit të Lezhës, me në krye drejtorin Gjergj Shyti.

Mysafirët lezhjanë janë pritur nga Drejtori i DKRS Ardian Kavaja dhe drejtori i Bibliotekës "Latif Berisha", Miftar Kurti, ndërkohë që kanë parë nga afër punën, angazhimin dhe veprimtaritë që zhvillohen në bibliotekën e Mitrovicë.

Me këtë rast bibliotekistët e Lezhës u njoftuan me historikun e themelimit të Bibliotekës, stafin që punon në këtë institucion, fondin librar dhe sektorët që funksionojnë në bibliotekë, numrin e lexuesve nga të gjitha komunitetet, moshat e lexuesve dhe me kushtet me të cilat punon stafi i bibliotekës në Mitrovicë, si dhe planet për të ardhmen.

"DKRS po angazhohet maksimalisht për rritjen e nivelit të kushteve të punës dhe shërbimeve ndaj lexuesve, konform mundësive dhe kapaciteteve që ka drejtoria, ndërkohë që fal punës së stafit, këtu frekuneton një numër i madh i lexuesve, që nga nxënësit, studentët e deri tek pensionistët", tha drejtori Kavaja.

Drejtori i Bibliotekës, Miftar Kurti, i ka njoftuar mysafirët lidhur me fondin librar, posaçërisht për lekturën e nxënësve, si dhe atë shkencore për studentët. Po ashtu, ai i ka njoftuar lezhjanët edhe për funksionimin e bibliotekës lëvizëse, që mundëson shpërndarjen dhe ofrimin e librit edhe në zonat më rurale dhe në zonat ku banojnë komunitetet, si dhe me planin për themelimin e filialave të bibliotekave në disa nga lokalitetet e mëdha të komunës.

Një nga çështjet e diskutuara ndërmjet drejtuesve të dy bibliotekave, ishte edhe bashkëpunimi i ndërsjellë, shkëmbimi i përvojës dhe vazhdimi i komunikimit të vazhdueshëm, me qëllim të avansimit të shërbimeve dhe ofrimit të librit tek lexuesit.

Mysafirët lezhjanë gjatë qëndrimit në qytetin e Mitrovicës, kanë vizituar edhe objektet e tjera të kulturës, Muzeun e Qytetit, Kullën e e Isa Boletinit, në Boletin, Muzeu i Kristaleve të Trepçës etj.

Ata janë ndarë shumë të kënaqur me mikpritjen dhe njohjen me punën që bëhet në bibliotekën e Mitrovicës, pastaj me vizitat në objektet e kulturës dhe institucionet tjera./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat