Kalaja e Drishtit, një rrugëtim drejt identitetit

Kultura

Kalaja e Drishtit, një rrugëtim drejt identitetit

Më: 30 mars 2015 Në ora: 19:03

Një tjetër start energjik që në orët e para të mëngjesit drejt zbulimit dhe promovimit të vlerave historike të Shkodrës. Dhe kësaj here të rinjtë e fondacionit CATI FOUNDATION, themeluar nga Keti Bazhdari, ideuan këtë event.

Prej kohësh, ky fondacion ka marrë një nisëm fisnike në përpjekjet e tij për të eksploruar natyrën e mrekullueshme shqiptare dhe për të tërhequr vëmendjen e opinionit drejt identitetit historik të Shkodrës dhe vlerat themelore të qytetarisë së saj.
“Duhet të dimë të duam dhe vlerësojmë të shkuarën tonë që të mund të ndërtojmë të ardhmen”, thotë filantropja Keti Bazhdari që i shoqëronte të rinjtë në këtë shëtitje pranverore. “Nuk duhet që të na errësojë sytë egoja për pushtet që ta përdorim kundër vetes dhe vlerave tona”, vijon ajo.
Me qindra të rinj u nisën që herët në mëngjes, drejt kalasë së Drishtit me një ndalesë paraprake në Urën e Mesit që ngrihet sipër ujërave të kristalta të lumit Kir.

Ata ishin kuriozë për gjithçka rreth e përqark zonës dhe ishin përgatitur për një ecje të gjatë në mal. Grupet e të rinjve ndalonin aty – këtu dhe shuanin kureshtjen gjatë bisedave me njëri – tjetrin. “Ne shkodranët kemi pse krenohemi me vlerat tona, sepse kemi mbi shpatulla një histori mijëra vjeçare që na e rezervon këtë nder. Të gjithë e kemi provuar si ndjehesh kur shkon në një vend të huaj ku nuk gjen rrënjë në indentitet dhe sa e vështirë është të provosh të krijosh diçka nga zero”, thotë Keti, duke folur me disa të rinj që kishte në krah.
Atëherë pse tregohemi kaq indiferent para shkatërrimit dhe mohimit të vetë identitetit tonë historik dhe kulturor ?
“Nëse ky shkatërrim do të vazhdojë me këto ritme, situata do të bëhet pa kthim për ne dhe më shumë për brezat që vijnë e që në finale nuk kanë asnjë faj për atë që po ndodh. Do detyrohen të mohojnë vetveten sepse s’do të kenë histori për të treguar, edhe pse identiteti i vërtetë i Shkodrës, i zënë nga pluhuri i harresës e që shtrihet ëe mijëra vjet histori do ngelet vetëm llaf ”, thotë Bazhdari.
“Tek kjo urë, e cila ka shumë vlera arkitektonike kanë kaluar qindra karvanë që kryenin tregti me Kosovën, që para 300 vjetësh. Kjo kala e Drishtit, që sot vuan pasojat e rrënimit gati në asgjesim, dikur, para 2000 vjetëve, në kohën e perandorisë romake lulëzonte. Gjatë pushtimeve pësoi shumë dëmtime dhe hera e fundit që në këtë kala u vu dorë, ishte nga vetë pushtuesi, perandoria osmane në vitin 1478. Shkatërrimi më i madh kësaj kalaje i erdhi kur u pushtua nga indiferenca dhe varfërimi ynë intelektual. Për këtë duhet t’na vijë zor edhe keq. Ne duhet të kuptojmë që po s’ vlersuam historinë tonë, do ngelemi një ditë pa identitet dhe nëse në brendësinë e vet njeriu, nuk arrin të ndjejë forcën e identitetit e të përkatësisë historike e kulturore, do të thotë që është një qënie pa qëndër gravitacionale dhe mund të tronditet dhe rrëzohet fare lehtë”, përfundon ajo.
Shenjat e kësaj pasigurie të viteve të fundit i vëmë re gjithnjë e më shumë në shoqërinë tonë dhe kjo me siguri që është e lidhur ngushtë me identitetin dhe me rëndësinë e përkujdesjen që i kushtojmë ne si objekteve dhe vlerave që synojnë t’a nxjerrin në pah.

Shoqëria shqiptare është e mbushur me njerëz që jetojnë gjithë kohës në ankth dhe frikë nga ajo çfarë mund t’u vijë nga tjetri. Njerëz që ankohen për njeri – tjetrin por që s’dijnë t’i japin shpjegim pse ndjehen kaq të parëndësishëm në këtë shoqëri. “Kjo ndodh sepse jemi shkëputur nga rrënjët e identitetit tonë, jo domosdoshmërisht në mënyrë të vullnetshme, me shumë të detyruar nga rrethanat historike, por që sot kjo na është kthyer në forcë zakoni”, shkruan Bazhdari në faqen e saj të Facebookut. Mesa duket për këtë qëllim ky grup të rinjsh zgjoodhi Kalanë e Drishtit për të vizituar, një thesar dymijëvjeçar, një shtysë drejt rrënjëve.
Bazhdari thotë se kjo ishte arsyeja, një vëmendje drejt vlerave, humanizmit, kulturës, qytetarise si një nga shtyllat themelore ku do mbështetet ndryshimi që të gjithë duam të shikojmë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat