​Gati marrëveshja kulturore me Kroacinë

Kultura

​Gati marrëveshja kulturore me Kroacinë

Më: 30 mars 2015 Në ora: 11:59

Ministri i Kulturës, Kujtim Shala, ka pritur sot në një takim Ambasadorin e Kroacisë në Kosovë, Zoran Vodopija. Të dy biseduan për finalizimin e Marrëveshjes kulturore mes Kosovës e Kroacisë, intensifikimin e politikave e shkëmbimit të përvojave kulturore dhe bashkëpunimit të mëtutjeshëm mes dy vendeve.

Shala tha se është i gatshëm për finalizimin e marrëveshjes kulturore mes Kosovës e Kroacisë dhe më pas të shkëmbimit të programeve konkrete kulturore për bashkëpunim të ndërsjellë.

Gjithashtu, zëvendëskryeministri Shala, e ka njoftuar ambasadorin kroat se MKRS-ja është e gatshme të përkrahë projektet konkrete që vijnë si kërkesë e ambasadës kroate në kuadër të promovimit, zhvillimit dhe avancimit të shkëmbimit së përvojave të përbashkëta të dy vendeve.

Nga ana tjetër, ambasadori kroat, Zoran Vodopija, e falënderoi ministrin për gatishmërinë e ofruar për thellimin e bashkëpunimit. Ai tha se edhe për Kroacinë është e mirëseardhur finalizimi i marrëveshjes kulturore mes dy vendeve.

Po ashtu, Vodopija theksoi se Kroacia vazhdimisht e ka mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj në të gjitha proceset e shtetndërtimit, veçanërisht në kuadër të kontributit për procesin e ndërkombëtarizimit të sportit kosovar, edhe shprehu kënaqësinë për arritjet e Kosovës në këtë proces./kp/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat