Reagojnë Qendra Multimedia e Teatri Laborator Loja

Kultura

Reagojnë Qendra Multimedia e Teatri Laborator Loja

Më: 30 mars 2015 Në ora: 00:24

Ky vendim i njëanshëm i jurisë së MKRS-së është rezultat i mendësisë primitive, provinciale dhe diletanteske dhe, si i tillë, duke qenë se nuk ka bazë ligjore e as bazë faktike e profesionale

Ka karakter krejtësisht paragjykues, diskualifikues e diskriminues. Veç tjerash, ky vendim i papërgjegjshëm është një përpjekje e mjerë, absurde, e përçudshme dhe skandaloze për nëpërkëmbjen e vlerave të mirëfillta, si dhe për margjinalizimin, goditjen, ndëshkimin dhe eliminimin e produksioneve të pavarura teatrore nga e drejta e tyre e natyrshme për të qenë pjesë e konkurencës në skenën teatrore vendore, thuhet në reagim.
Sivjet, Ministria e Kulturës krahas çmimeve vjetore për Teatër nuk e ka ndarë fare çmimin për prezantimin e suksesshëm ndërkombëtar.
Mos ndarja e këtij çmimi ka bërë që Qendra Multimedia dhe Teatri Laborator Loja të reagojnë bashkarisht, në një reagim si më poshtë.
Qendra Multimedia dhe Teatri Laborator Loja, të cilët me produksionet e tyre teatrore kanë konkuruar në kuadër të Konkursit për ndarjen e Çmimeve Vjetore për Teatër në kategorinë e “Çmimit për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar”, vlerësojnë se vendimi i jurisë së MKRS-së (Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit) për të mos e ndarë Çmimin Vjetor për Teatër në këtë kategori është shkelje e rëndë e ligjshmërisë, përkatësisht e Rregullores për Ndarjen e Çmimeve për Teatër (2890 / 2014), sipas të cilës (Neni 6, Pika 4) “ky çmim i ndahet produksioneve teatrore (teatrove) ose regjisorit, aktorit, dramaturgut, skenografit, kostumografit, koreografit apo krijuesit për performancën dhe suksesin në prezantimin ndërkombëtar gjatë vitit paraprak.”
Përkundër të dhënave faktike dhe dokumentacionit shkrimor e vizuel, juria e MKRS-së, me rastin e vendimit për të mos e ndarë këtë çmim, nuk i ka marrë fare në konsideratë rezultatet e prekshme dhe konkrete të konkuruesve, të cilët gjatë vitit 2014 me produksionet e tyre teatrore kanë marrë pjesë dhe janë prezantuar në disa festivale të ndryshme teatrore ndërkombëtare, përmes të cilave ata, në mënyrën më profesionale dhe më të dinjitetshme të mundshme, e kanë përfaqësuar teatrin kosovar dhe Kosovën në skenën teatrore regjionale dhe europiane.
Ky vendim i njëanshëm i jurisë së MKRS-së është rezultat i mendësisë primitive, provinciale dhe diletanteske dhe, si i tillë, duke qenë se nuk ka bazë ligjore e as bazë faktike e profesionale, ka karakter krejtësisht paragjykues, diskualifikues e diskriminues. Veç tjerash, ky vendim i papërgjegjshëm është një përpjekje e mjerë, absurde, e përçudshme dhe skandaloze për nëpërkëmbjen e vlerave të mirëfillta, si dhe për margjinalizimin, goditjen, ndëshkimin dhe eliminimin e produksioneve të pavarura teatrore nga e drejta e tyre e natyrshme për të qenë pjesë e konkurencës në skenën teatrore vendore.
Ky vendim arbitrar është gjithashtu një përpjekje perfide e disa anëtarëve të kompleksuar të kësaj jurie për t’i amnistuar nga përgjegjësia teatrot publike, të cilat, në mungesë të shfaqjeve cilësore, gjatë vitit 2014 nuk kanë marrë pjesë në asnjë festival teatror ndërkombëtar dhe, për rrjedhojë, nuk kanë konkuruar me produksionet e tyre teatrore jo vetëm për kategorinë e “Çmimit për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar”, por as për kategoritë e tjera të Çmimeve Vjetore për Teatër. Rrjedhimisht, vendimi i tyre për të barasvlerësuar në mënyrë krejtësisht artificiale mungesën e suksesit të teatrove publike me suksesin e padiskutueshëm të teatrove të pavarura është, nga njëra anë, vendim për amnistimin e dështimit dhe, nga ana tjetër, vendim paradoksal për ndëshkimin e suksesit.
Qendra Multimedia dhe Teatri Laborator Loja ftojnë Ministrin e MKRS-së, z. Kujtim Shala, që, duke u mbështetur në kornizën ligjore, përkatësisht në Rregulloren për Ndarjen e Çmimeve për Teatër (2890 / 2014), në rezultatet e prekshme dhe në të dhënat konkrete të dokumentuara të produksioneve teatrore konkuruese, si dhe në mendimin e veçuar të njërit nga anëtarët e jurisë, i cili nuk është pajtuar me këtë vendim të përçudshëm, ta rivlerësojë dhe ta anulojë vendimin e jurisë, ta shkarkojë jurinë ekzistuese dhe të emërojë një përbërje tjetër kredibile të jurisë profesionale, e cila, duke u bazuar në të dhënat faktike, si dhe në cilësitë, vlerat dhe standardet e shfaqjeve përfaqësuese të produksioneve teatrore konkuruese, do ta ndante “Çmimin për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar”.
Përkundër vendimit skandaloz të jurisë së MKRS-së, Qendra Multimedia dhe Teatri Laborator Loja do të vazhdojnë të veprojnë dhe të punojnë me idealizëm dhe me përkushtim profesional për krijimin dhe promovimin e vlerave të mirëfillta artistike, për zgjerimin, konsolidimin dhe faktorizimin e mëtutjeshëm të skenës së pavarur teatrore, si dhe për pjesëmarrjen, promovimin dhe përfaqësimin e vazhdueshëm të Kosovës e të teatrit kosovar në ngjarjet dhe në festivalet e ndryshme teatrore ndërkombëtare.
Prishtinë, 29.03.2015 Qendra Multimedia
Jeton Neziraj, Drejtor
Teatri Laborator Loja
Bekim Lumi, Drejtor Artistik

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat