Nishani dekoron Çajupin

Kultura

Nishani dekoron Çajupin

Më: 27 mars 2015 Në ora: 19:03

Presidenti Bujar Nishani vlerësoi gjatë një ceremonie të zhvilluar në fshatin Sheper të Komunës Zagori në Gjirokastër, Andon Zako Çajupin (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit”, me motivacionin “Një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të letërsisë përparimtare shqiptare, i cili në fillim të shekullit të kaluar, me poezitë dhe veprat e tij letrare satirike kontribuoi jo vetëm në edukimin e ndjenjave atdhetare, por luajti edhe një rol të veçantë në ndriçimin e shoqërisë shqiptare”.

"Andon Zako Çajupi ishte faktor bashkimi nga më të fuqishmit. Jo gjithkush që shkruan vargje është poet. Poet i vërtetë është ai, të cilit vargjet i mbahen mend. Sot e kësaj dite nuk ka shqiptar që të mos dijë përmendësh vargje nga të Çajupit. Si poet, dramaturg, përkthyes, aq sa edhe një shqiptar i përsosur, Çajupi në veprën e tij i këndoi gjithçkaje shqiptare me të njëjtën masë dashurie dhe përkushtimi dhe me të njëjtin patos të zjarrtë, me mjete të rafinuara stilistike, humor, dhimbje, ironi, auto-ironi", vlerësoi Kreu i Shtetit.

Me rastin e përvjetorit të datëlindjes së Çajupit, titulli iu dorëzua Kryetarit të Komunës Zagori, zotit Arqile Mekshi. Në emër të Presidentit të Republikës u vendos një tufë me lule tek busti i Andon Zako Çajupit dhe ai i Ilia Dilo Sheperit.

Vizitën e tij në Prefekturën e Gjirokastrës, Presidenti i Republikës e nisi më herët në fshatin Dhoksat të Komunës Lunxhëri, ku u takua me kryepleqtë dhe banorë të krahinës duke biseduar për hallet dhe problemet e tyre dhe duke i garantuar që do t’i përcjellë ato fuqimisht në institucionet përkatëse.

Presidenti Nishani zhvilloi një takim edhe me banorët e Manastirit të “Shën Thanasit” në Poliçan të Komunës Pogon, i shoqëruar nga Kryetari i Komunës, zoti Thanas Qiro. Në mbyllje të vizitës në Virua të Gjirokastrës, Presidenti u takua edhe me përfaqësues të trashëgimisë kulturore dhe Forumin “Djemtë e Gjirokastrës”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat