Të shtunën hapet DAM festivali, rrezik të jetë i fundit

Kultura

Të shtunën hapet DAM festivali, rrezik të jetë i fundit

Më: 27 mars 2015 Në ora: 16:40

Edicioni i 10të i DAM festivalit, festivali ndërkombëtarë për muziktarë të rinj, mund të jetë i fundit që do organizohet.

Shkak për këtë është mungesa e buxhetit, meqë Ministria e Kulturës ka shkurtuar buxhetin për të.

Por, pavarësisht mungesës së mjeteve, të shtunën, do të hapet ky festival në të cilin do të performojnë rreth 100 artistë.

Këtë vit, festivalin e hap artistja vizuele nga Kosova, Shelbatra Jashari e cila aktivitet e saj i ka në Belgjikë dhe Francë.

Një ditë para hapjes, drejtori i këtij festivali, Dardan Selimaj, në një konferencë për media tha se nuk do të ketë zhvendosje të festivalit diku tjetër, por do të përmbyllet me këtë jubile nëse nuk kanë mjete financiare.

Selimaj: Në rast mungesës së mbështetjes, festivali do të mbyllet këtë jubile

“Nëse festivali nuk do të gjejë mbështetje të mëtutjeshme, do të përmbyllet me këtë jubile, por në asnjë mënyrë nuk do të lëvizë në ndonjë qytet apo shtet tjetër. Në rast rikthimi, përsëri do të rikthehet në kryeqendrën e Kosovës, Prishtinën. Do të mundohemi që aktivitetet dhe festivalin ta organizojmë sipas mundësive që kemi që në asnjë moment ato koncerte apo programe të mos preken apo të mos dëmtohen nga mungesa e fondeve, sepse kemi dëshirë që edicionin e dhjetë ta mbajmë mend si një festë të madhe për muzikën dhe qytetin tonë”, tha ai.

Selimaj ka vlerësuar se në këtë kohë kur festivali po ballafaqohet me probleme të mëdha, është shumë e nevojshme që të kenë mbështetje mediatike.

Derisa kanë vendosur vazhdimin e këtij festivali, pavarësisht mungesës së mjeteve financiare.

Selimaj: Shkurtimet buxhetore po na krijojnë pengesa

“Prezenca edhe mbështetja mediatike në këto kohë kur festivali ballafaqohet me probleme të mëdha financiare është tejet e rëndësishme dhe kjo ndoshta do të na mundësojë që komunikimi me publikun të jetë më i kollajshëm. Të njëjtën kohë ne presim publik të numërt në koncertet të cilat kemi menduar ti realizojmë këtë vit. Arsyeja e mungesës së publikimeve dhe materialeve që do ta informojnë audiencën më mirë ka ardhur si rezultat i shkurtimeve buxhetore të cilat i kemi kuptuar në momentin e fundit ndërsa nuk kemi pasur rrugëdalje tjetër. Kemi zgjedhur ta vazhdojmë festivalin pavarësisht problemeve financiare, kemi konsideruar që jubileu i dhjetë nuk do duhej të ngelte nën hijen e disa vendimeve që ndoshta kanë qenë të momentit, në të njëjtën kohë jemi munduar të kemi mirëkuptimin se vendimi i tillë ndoshta ka mund të vijë për shkaqe që ne akoma nuk i dimë që ndoshta edhe mund të jetë i arsyeshëm”, tha Selimaj.

Më pas, drejtoresha artistike e këtij festivali, Rreze Kryeziu, tha se festivali po organizohet në mënyrën më të mirë të mundshme, përkundër vështirësive me të cilat ky festival po ballafaqohet.

Kryeziu: Edhe këtë vit DAM festivali, megjithë ato vështirësi po realizohet në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Krahas disa artistëve gjithashtu edhe koncerteve, unë do të dëshiroja të ndalem se edhe këtë vit në DAM, megjithë ato vështirësi të cilat fatkeqësisht tanimë janë mëse evidente, festivali po realizohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Pothuajse të gjitha koncertet do të mbahen në sallën e kuqe, vetëm një koncert nga i riu Arben Ramadani, do të mbahet në Teatrin Oda. Pos artistëve nga Gjermania, Franca, Holanda, këtë vit kemi edhe artistë nga Tajlanda. Do të ketë edhe koncerte me muzikë orientale nga artistë të njohur turk”, tha Kryeziu.

Në jubileun e këtij festivali do të performojnë rreth 100 artistë dhe do të interpretohen mbi 100 vepra muzikore në 14 koncerte.

Njërin nga koncertet janë detyruar ta anulojnë në mungesë mjetesh.

Festivali ka gjetur mbështetje nga Komuna e Prishtinës, Ministri a e Kulturës por mbështetja më e madhe është gjetur tek sponsori privat “Z-Mobile”.

Edhe këtë vit është siguruar mbështetje nga ambasadat, veçanërisht nga ajo gjermane, franceze dhe holandeze.

Artistët të cilët duan të jenë pjesë e këtij festivali duhet të jenë të moshës nën 35 vjeçare ose të luajnë vepra të artistëve nën moshën 35 vjeçare.

Kjo për arsyeje se ky festival ka për qëllim që të tentojë të promovojë artistë të rinj.

Festivali do të hapet me 28 mars dhe do të zgjas deri më 9 prill.

Në këtë hark kohor nga 28 mars deri më 9 prill aktiviteti do të jetë i përditshëm.

Gjatë ditës do të organizohen uorkshope, punëtori për gazetarë kulture, studentë të fakultetit të arteve dhe për muziktarë profesionist, të cilët do të kenë mundësinë të shkëmbejnë përvojat e tyre me mysafirët të cilët vijnë gjatë këtyre ditëve dhe vizitojnë festivalin.

Nga data 5 prill deri më 9 do të ketë një pauzë në mes të festivalit dhe më 9 prill festivali do të përmbyllet me ansamblin e saksofonave “Signum” nga Gjermania./D.GASHI

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat