Melihate Qena nderohet me çmimin për vepër jetësore në Ditën Ndërkombëtare të Teatrit

Kultura

Melihate Qena nderohet me çmimin për vepër jetësore në Ditën Ndërkombëtare të Teatrit

Më: 27 mars 2015 Në ora: 15:38

Edhe Kosova ka festuar sot Ditën Ndërkombëtare të Teatrit, institucionit i cili megjithatë në Prishtinë nuk po gjen rahati tash e disa kohë.

E në po këtë institucion, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, sot u mblodhën një numër i madh i artistëve të filmit e teatrit, për të festuar e uruar kështu arritjet e teatrit kosovar në rajon dhe botë.

Pos leximit të deklaratës së sivjetme botërore për Teatrin, në TKK sot u ndanë edhe çmimet për vepër jetësore për artistët teatrorë. Për këtë vit juria e komisionit vlerësues, në përbërje të Agim Selimi regjisor, Musa Ramadani - kritik dhe shkrimtar, Besim Rexhaj - dramaturg, Bislim Mucaj – aktor dhe Naser Shatrolli - dramaturg dhe kritik, vendosën që çmimin kryesor t`ia japin aktore Melihate Qena.

Ajo u prit me duartrokitje të zjarrta nga koleget e pranishëm, të cilët nuk hezituan që ta uronin, por gjithashtu edhe ajo shihej tejet e emocionuar për vlerësimin që ju bë.

“Unë këtë çmim po e marr për së treti, pasi që dy here të tjera kam qenë e nominuar dhe nuk e kam marrë. Tani nuk e besova as që do e marr, pasi që është bërë vështirë të marrësh shpërblime, besomëni që dënimet po i pranoj ma me kënaqësi. Në jetën time e kam pasur një fije që më ka mbajtur në jetë , e ai ka qenë Teatri i Kukullave. Ndoshta pse askush nuk ka dashur të merret me të, ndoshta për shkak se pagat kanë qenë shumë të vogla, ndoshta pse duhet t’i kesh njëmijë kukulla në kokë për t’i shpërndarë ato” pohon Qena.

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së përgjithshme të TKK-së,Lumnie Sopi tha se Dita Botërore e Teatrit e gjen teatrin kosovar me shumë probleme, me shumë sfida por gjithashtu edhe më shumë optimizëm për ditë më të mira. Ajo para të pranishmëve tregoi se kanë marrë konfirmim nga MKRS se projektet dhe vizioni i tyre të parapara për teatrin do të mbështeten tërësisht gjatë këtij viti.

“27 marsi është ditë që shënohet pothuajse në tërë botën, një ditë e cila i kushtohet teatrit, kësaj dhurate kaq të veçantë që njerëzimi i ka bërë vetvetes. Të shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes. Kjo ditë është kaq e veçantë sepse na bënë të kujtojmë një ndjenjë shumë të veçantë që kemi, për të kuptuar rendësinë që teatri ka për të bashkuar njerëzit.

Në ditët festive si kjo, s’kemi si të mos kujtojmë Katarina Josipin, Abdurrahman Shalën, Istref Begollin, Muharrem Qenën, Melihate Ajetin, Avdush Hasanin, Ragip Loxhën, Shani Pallaskën, Nuredin Loxhën, Faruk Begollin, Ahmet Spahiun, Ali Ahmetin, Hazir Myftarin, Naxhie Devën e shumë e shumë të tjerë” , tha Sopi.

“Projektet që kemi iniciuar janë konkrete dhe ato synojnë ta kthejnë këtë teatër në hapësirën ku kultivohet puna profesionale teatrore, ku mbështetet dhe zhvillohet dramaturgjia kombëtare. Një hapësirë e cila e stimulon shkëmbimin teatror lokal,regjional dhe ndërkombëtar.

Në projektet tona është edhe krijimi i një skene të vogël që synon t’i mbështes projektet e artistëve dhe grupeve të ndryshme teatrore.

Teatri Kombëtar ka riformuluar sërish disa nga kriteret e konkursit për dramë “Katarina Josipi”, duke u dhënë kështu krijuesve shqiptar kudo që jetojnë dhe krijojnë që të jenë pjesë e këtij konkursi” shtoj më tej Sopi.KultPlus

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat