Mbahet monografia dhe ekspozita e Tahir Emrës në Gjakovë

Kultura

Mbahet monografia dhe ekspozita e Tahir Emrës në Gjakovë

Më: 6 mars 2015 Në ora: 21:16

Me organizim të Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Gjakovës, sonte janë mbajtur dy aktivitete kulturore që për personazh kishin një personalitet të shquar të artit, piktorin, profesorin dhe akademikun Tahir Emra. Në ambientet e “Kullës së Abdullah Pashë Drenit”, është mbajtur një bashkëbisedim me publikun për monografinë e piktorit Tahir Emra, që për autor ka piktorin dhe profesorin tiranas, me origjinë nga Gjakova, Kujtim Buza. Ndërkaq, botues është Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Republikës së Kosovës. Kritiku dhe historiani i artit, Hivzi Muharremi, ka thënë se është moment i veçantë të flasësh për doajenin e pikturës dhe profesorin Tahir Emra, i cili është një emër i veçuar i artit pamor, pedagog i shumë gjeneratave, ku pjesa dërrmuese e tyre tashmë janë pedeagogë apo punojnë në institucione të ndryshme, e të cilët me pietet e vlerësojnë dhe e çmojnë profesorin Tahir Emra.”E njoh nga vitet e tetëdhjeta profesorin dhe piktorin Tahir Emra dhe që nga atëherë jam në kontakt imediat” ka theksuar Hivzi Muharremi. Ai e vlerësoi monografinësi vepër monumentale për artin shqiptar në përgjithësi, pasi profesor Tahir Emra është ndër emrat më të spikatur jo vetëm të artit pamor. Profesor Tahir Emra bashkë me piktorin e shumënjohur Muslim Mulliqi janë themeluesit e institucionit të lartë të artit figurativ.

Në veçimin e tij për punën e kryer nga autori Kujtim Buza, i cili për shkak se gjendej në SHBA nuk ka mundur të ishte present në këtë mbrëmje, Hivzi Muharremi ka vlerësuar shumë punën e tij, duke pohuar se autori me përkushtim të madh e ka shkruar monografinë, e cila është e ndërtuar në bazë të gjashtë kapitujve, në të cilën përshkruhet krijimtaria artistike.”Tahir Emra gjithnjë ka qenë shpërthyes, asnjëherë nuk ka qenë i qetë, i vetëkënaqur dhe atë e ka veçuar stili, origjinaliteti dhe është një njohës i shkëlqyer i ngjyrave, një kolorist” e ka përmbyllur fjalën e tij kritiku dhe historian i artit, Hivzi Muharremi. Personaliteti i shquar i botës krijuese figurative, prof. akademik Tahir Emra, është pyetur për planet e tij për krijimtari të mëtejme, i cili është përgjegjur se krijuesi nuk ka plane, ka ide dhe se është rrjedhë, është lum, ku derisa mua të më punojnë gjymtyrët, duart nuk do rreshti së krijuari. Është e rëndësishme të mos përsërisim krijimtarinë, porse të jetë origjinale, është shprehur Tahir Emra.

Në pjesën e dytë të aktivitetit me profesorin, krijuesin dhe akademikun Tahir Emra, me rastin e rihapjes së Galerisë së Arteve në ambientet e Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi”, është hapur ekspozita personale me tridhjetë piktura. Vet autori theksoi se kjo ekspozitë i dedikohet Gjakovës, vendlindjes së tij, duke filluar me motive nga karakteristikat, si “Çarshia e Madhe”, që profesor Tahir Emra e quajti si një xhevahir, pastaj me motive nga rinia e tij, nga Çabrati, Ereniku, urat dhe kujtime të tjera."Në këtë mjedis gufojnë emocionet, nuk mund të përmbahesh" është shprehur me përplot emocione piktori akademik Tahir Emra.

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, ka thënë se ndjehet e nderuar dhe e priveligjuar që me rastin e rihapjes së Galerisë së Arteve, po e hapim këtë ekspozitë. "Unë ndjehem jo e madhe, porse një shërbëtore që t'ia kthejmë vlerën që për pak kohë i ka ikur Gjakovës. E tash duhet të zgjohemi, e ky zgjim duhet të vijë nga të gjitha anët. Ne po krijojmë hapësirë, e hap pas hapi do ti krijojmë këto hapësira" ka theksuar kryetarja Mimoza Kusari Lila. Ndërkaq, Luan Mulliqi ka përshëndetur në emër të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, që kësaj ekspozitë i ka dhënë epitetin si historike, pasi kthehet pas pesëdhjetë vite në të njëjtin vend, në qytetin e tij me ekspozitë. Luan Mulliqi ka folur për biografinë e piktorit Tahir Emra, ku ka vënë në spikamë se autori që ekspozon sonte i ka mbi 25 ekspozita personale, e shumë të tjera kolektive që është prezentuar në shumë vende të botës, ku nuk kanë munguar edhe shpërblimet dhe mirënjohjet. Skulptori Luan Mulliqi shtoi se piktorit Tahir Emra nuk i kanë munguar as poezitë që i janë dedikuar, ku poeti i shquar Ali Podrimja thoshte se "piktura e Tahirit është një poezi vizuele".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat