Libra të rinj

Kultura

Libra të rinj

Më: 3 mars 2015 Në ora: 17:24

Wolfgang Herrndorf

“Pse e rrëmbyem makinën?”
Përktheu: Sokol Mici
Redaktor: Sejdin Cekani
Botimet: “Dudaj”
Çmimi: 800 lekë

Nëna në klinikën e rehabilitimit, babai që shkon me shërbim me sekretaren. Maik Klingenbergut i mbetet t’i kalojë pushimet e mëdha vetëm në pishinën e shtëpisë prindërore. Po pastaj shfaqet Tiku. Tiku, në fakt Andrej Tihatov, banon në një nga pallatet e larta sociale të Hellendorfit, por ka arritur të kalojë nga shkolla speciale në gjimnaz, megjithatë nuk duket të jetë një shembull klasik integrimi. Veç të tjerash, ai ka edhe një makinë të vjedhur. Dhe kështu fillon një udhëtim i paharruar pa hartë dhe kompas nëpër provincën gjermane në një verë përvëluese, i paharrueshëm si udhëtimi me anije i Tom Sojerit dhe Hak Finit. “Pse e rrëmbyem makinën?” është një roman aventurash të bukura, të trishtuara i Lindjes misterioze gjermane, i cili ka vetëm një të metë: mbaron shumë shpejt.

Richard & Kristine Carlson

“Një orë për të jetuar, një orë për të dashuruar”
Përktheu: Oriola Pampuri

Botimet: “Ombra GVG”

Çmimi: 500 Lekë

Nëse do të kisha një orë kohë për të jetuar, nuk do të telefonoja dikë që më ka borxh para apo dikë që më ka ofenduar ose më ka lënduar në ndonjë mënyrë. Habitem se sa kohë kam harxhuar kot gjatë viteve, duke menduar për gjëra të tilla. Nuk ia vlen barra qiranë. Me kohën që më ka mbetur, do të zgjidhja t’i lija mendimet e mia në paqe, tani, në këtë moment të çmuar. Nëse do të doja, mund ta bindja veten se shumë njerëz më kanë borxhe, por a e di çfarë? Kjo nuk është koha e përshtatshme për të menduar për këto gjëra. Në fund të fundit, ma merr mendja se jeta nuk është vetëm të mbash llogari.

Dritëro Agolli

“Zhurma e erërave të dikurshme”

Botimet: “Onufri”

“Ne kemi qenë miq, kjo është e vërtetë. Madje miq shumë të afërt, qysh në gjimnaz. Pas kthimit nga studimet e larta në Rusi, miqësia u bë edhe më e fortë, për shkak të bindjeve të njëjta politike dhe hapur flisnim kundër tij. E donim vendin, por ishim të zhgënjyer nga komunizmi, e sidomos nga versioni i tij shqiptar. Kjo vazhdoi deri në vitin 1966, kohë në të cilin ai botoi librin e tij më të mirë, një ndër më të mirët e kohës, “Zhurma e erërave të dikurshme”, Ismail Kadare.

Irène Némirovsky

“Afshi i gjakut”

Shqipëroi: Nasi Lera
Botimet: “Dituria”

Në një qytezë të Francës qendrore, në fillim të viteve 1930, një burrë i moshuar kujton jetën e tij. Mbasi kishte udhëtuar shumë në rininë e vet, Silvio qëndron i veçuar nga shoqëria, duke vëzhguar komedinë njerëzore të fshatit, rrjedhën e qetë të fateve provinciale të tronditura befasisht nga vdekja dhe nga pasionet e dashurisë. Para tij, Fransuai dhe Helena tregojnë takimin e tyre të parë dhe të shkurtër, martesën e Helenës me një pronar plak e të pasur, vejaninë e saj, pritjen dhe ritakimin e tyre. Kur vajza e tyre Koletë martohet me Zhan Dorënin, duket sikur është skicuar rruga e një lumturie të qetë. Por, disa muaj më vonë, ndodh drama. Mbytja në lumë e Zhanit do të shkatërrojë qetësinë e rreme të atij mjedisi provincial. Njëra pas tjetrës, sekretet e rënda që bashkojnë, kundër dëshirës së tyre, protagonistët e kësaj intrige do të shfaqen befas në tregimin e Silvios, deri në zbulimin e fundit dhe turbullues … E vendosur në të njëjtin fshat ku Irène Némirovsky do të shkruante romanin “Suitë franceze”, por e nisur që në vitin 1937, kjo dramë familjare e shkruar si një hetim policor tregon shtrëngatën e rrahjeve të zemrës së mbyllur në vetvete, në një shoqëri tepër të lëmuar në sipërfaqe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat