Xhevahir Spahiu, botohen “Poezi të zgjedhura” me rastin e 70-vjetorit

Kultura

Xhevahir Spahiu, botohen “Poezi të zgjedhura” me rastin e 70-vjetorit

Më: 3 mars 2015 Në ora: 00:19

Sot në orën 19:00, në Teatrin e Metropolit, Poeteka organizon “Orën poetike”, aktivitet në nder të 70-vjetorit të poetit Xhevahir Spahiu. Ndërsa më herët ai do të jetë i pranishëm në një takim të organizuar nga Akademia e Shkencave…

Poezitë e zgjedhura të Xhevahir Spahiut, që vijnë për lexuesit, por edhe për studiuesit njëkohësisht, nën logon “Botimet Poeteka”, ofrojnë 50 vjet krijimtari të këtij autori, organizuar këto në dy vëllime sistematike.

Pavarësisht se përmbledhja e parë e botuar e Xhevahir Spahiut i përket vitit 1970, në këtë botim jemi përpjekur që ky kufi krijimtarie të datojë më hershëm. Ndaj edhe në këtë përmbledhje gjenden dy poezi, përkatësisht “Brirët e demit” dhe “Peizazh me breshër”, që e shtyjnë me 5 vjet në kohë hershmërinë e kësaj krijimtarie, duke vendosur vitin 1965 si gur shenjues fillestar të poezisë së Xhevahir Spahiut.

Sistemimi i veprës mbështetet mbi kriterin kronologjik të krijimtarisë poetike të Xhevahir Spahiut, duke gjurmuar krijimtarinë më të spikatur ndër vite. Brendashkruar këtij kriteri, ky botim i përmbahet më së shumti përzgjedhjes estetike të një krijimtarie të begatë, që ky autor zhvilloi në qerthullin e një gjysmëshekulli letrar.

Lënda poetike është organizuar në dy vëllime të titulluara simbolikisht “UDHA I” dhe “UDHA II”, të cilat janë botim i plotësuar me krijimtari të re, me shënime të rëndësishme bibliofilike për jetëshkrimin e autorit dhe fatin e veprës së tij, të tilla si ai që lidhet me poezinë “Jetë”, e cila u botua për herë të parë në revistën “Nëntori”, ku gjejmë këtë shënim: “Më 9 Janar 1973, kreu i atëhershëm i shtetit, e kritikoi publikisht autorin e poezisë për ndikime nga filozofia ekzistencialiste e Sartrit. Kjo e detyroi poetin ta tërheqë dorëshkrimin e librit -“Bota ku eci” – i cili u botua pas pesë vjetësh, i plotësuar pa poezinë në fjalë”.

Një ndër shënimet me interes është edhe ai që bën fjalë për vëllimin poetik “Zgjimi i thellësive”, të cilit iu ndalua shpërndarja, u hoq nga qarkullimi dhe u bë karton. Të tilla shënime nuk janë dokumente për të plotësuar kujtesën apo kërshërinë e lexuesit, por vihen gjithashtu në shërbim të një historiografie më të vëmendshme në interpretime ndaj fakteve letrare.

Botimit i paraprin një tekst kritik me autor akademikun Ali Aliu, si dhe i bashkëngjitet një aparat i sistemuar i vlerësimeve ndaj krijimtarisë së autorit, nënshkruar nga emra të njohur të kritikës letrare, nga studiues, përkthyes të veprës së tij dhe shkrimtarë të njohur, mes të cilëve përmendim Shaban Sinanin, Alfred Uçin, Robert Elsie, Mira Meksin, Aleksandër Zoton, Ante Popovski, Xhevat Lloshin, Ali Podrimjen, Dritëro Agollin, Rafaele Nigro etj.

Një aspekt që e bën të përveçëm këtë botim është edhe trajtimi i kësaj vepre të zgjedhur si një libër arti, por edhe si një koleksion artefaktesh njëherazi.

Vëllimi i parë përmban brendashkruar tekstit një koleksion grafikash me portretin e poetit Xhevahir Spahiu, krijuar nga piktorët Skënder Kamberi, Nelo Lukaçi, Zamir Mati, Jorgo Fotiu, Sokrati Lambrou, por që sjell si kureshti edhe një portret që shkrimtari dhe studiuesi Dhimitër Shuteriqi realizon për Xhevahir Spahiun.

Vëllimi i dytë paraqet një koleksion prej pesë dorëshkrimesh të autorit, të cilat bashkë me dy dorëshkrimet që botohen në pasballinat e botimit e çojnë në shtatë koleksionin e dorëshkrimeve, duke i dhënë kësaj përmbledhjeje dhe një vlerë antikuariati.

Me Xhevahir Spahiun, edhe vetë poezia europiane fiton në origjinalitet dhe modernizëm.

Ante Popovski

Xhevahir Spahiu është një nga poetët më të mirë që ka Shqipëria, poet me një shprehje të fuqishme metaforike, me përplasje idesh, me një frymë lirike dhe zhvillim dramatik të vargut, me një figuracion të plotë, por kryesisht me ide të thella, tronditëse.

Dritëro Agolli

Poezia e Xhevahir Spahiut, e këtij “enfant terrible” të letërsisë shqiptare është e fuqishme dhe solide, por njëkohësisht është poezi e ngjyrimeve dhe shkallëzimeve kuptimore.

Robert Elsie

…Muza poetike e Xhevahir Spahiut nuk ngjizet, as nuk shpërthen në truall të butë, aq më pak në truall indiferent. Përkundrazi, duke qenë natyrë krijuese e pasioneve të forta, natyrë e pasioneve të tërësishme, duke qenë natyrë e shquar e guximit krijues e intelektual…

Ali Aliu

Si një sizmograf modern, poezia e Xhevahir Spahiut ka shënuar gjurmët e tërmeteve të jetës me sinjalet e fjalës artistike. Ai foli kur ia kërkuan fjalën peng dhe heshti kur i kërkuan shpalljen manifestative. Ai është rob i poezisë dhe zot i saj njëherësh.

Shaban Sinani

Me kalimin e viteve, Xhevahir Spahiu është shndërruar gjithmonë e më shumë në një poet të brendshëm, nga ai lloj i veçantë krijuesi që ujërat dhe dallgët e të folurës së përditshme i kthen në dritë poezish. I ngjashëm, por jo krejt njëlloj, me atë që mbështet veshin pas tokës për të dalluar lëkundjet, ky poet mbërthen kryet pas gjoksit, në përgjim të ndjenjës njerëzore. Mes tyre ai ka veçuar gjithmonë njërën – Dashurinë, e cila te ky poet nuk është e vetme dhe njëfarëshe. Prej formave të pafundme të dashurisë, poezia e Xhevahir Spahiut shndërrohet në joshje, që nxit dhe grish. Poeti, njëlloj si në fillesën e marrëdhënies, gjen vendin në botë. Poezia rifiton vlerën e harruar. Ajo mund të ndihmojë sërish. Dikush kapërcen vetminë. Dikush gjen fjalën e duhur mes fjalëve të humbura. Një tjetër mban mend vargje të kthjellët, të fuqishëm, plot tingull dhe kuptim, ashtu siç i ndeshim në poezinë e Xhevahir Spahiut. Falë origjinalitetit, kjo poezi na shtyn të besojmë se ç’ishte e poetit, është bërë tashmë dritë brenda atij që lexon apo mban vesh ato fjalë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat