Rama prezanton "Kurban": BE, shpëtim i Ballkanit nga radikali islam

Kultura

Rama prezanton "Kurban": BE, shpëtim i Ballkanit nga radikali islam

Më: 28 shkurt 2015 Në ora: 16:50

Gjatë vizitës së Kryeministrit Rama në Bukuresht u prezantua libri “Kurban”, i përkthyer në rumanisht. Ceremonia e promovimit u zhvillua në praninë e Kryeministrit Victor Ponta dhe personaliteteve rumune të fushës së letrave.

Krahas përmbajtjes së librit, interesi i audiencës u përqendrua në pikëpamjet e Kryeministrit mbi çështje të aktualitetit rajonal si bashkëjetesa fetare dhe sfidat e të ardhmes së përbashkët në Ballkan. Kryeministri foli për rastin e shqiptarëve në Ballkan si shembulli më i mirë i bashkëjetesës fetare. Ndërsa e përcaktoi përshkallëzimin e radikalizmit islamik në zona ku është shfaqur i ashtuquajturi Shteti Islamik si kërcënimin më serioz, Kryeministri nënvizoi se përshpejtimi i integrimit europian i vendeve të rajonit është përgjigja e duhur ndaj tij.

“Sfida jonë ka qenë dhe mbetet që ta jetojmë këtë realitet jo si një problem, por si një mundësi për të bashkëjetuar me të tjerët, pa i ndjerë kufijtë si pengesë. Prandaj, unë jam shumë i shqetësuar dhe ne jemi shumë të shqetësuar nga ajo që po ndodh në zonat ku është shfaqur i ashtuquajturi Shteti Islamik, që përfaqëson një përshkallëzim ekstrem të radikalizmit islam. Ne mendojmë që ai përshkallëzim është një arsye shumë e fortë për Europën dhe për Bashkimin Europian që këtë diversitet fetar që është në Ballkan ta marri në mbrojtje sa më shpejt, duke e përshpejtuar procesin e integrimit, duke mos bërë politika që janë taktike dhe nuk kanë asgjë strategjike në raport me vendet e Ballkanit.

Sepse, nëse, largqoftë, ekstremizmi islam do të gjente rrugë për t’u kthyer në një nacionalizëm fetar në formën e një lëvizjeje brenda Ballkanit, do të ishte fundi i kësaj që kemi sot. Islami radikal e gjen më të lehtë që të penetrojë në territorin psikologjik të frustracionit nga hezitimi i BE për të vepruar me shpejtësi dhe për të na tërhequr më shpejt brenda. Radikalizmi islam vepron pikërisht në këtë territor, duke përçuar idenë se Europa nuk është rruga jonë, pasi Europa është një klub kristian dhe për këtë arsye Europa është hezituese ndaj nesh,” u shpreh Kryeministri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat