"Një çerek shekulli për çështjen e Kosovës në Washington"

Kultura

"Një çerek shekulli për çështjen e Kosovës në Washington"

Nga: Muhamet Mjeku Më: 27 shkurt 2015 Në ora: 20:38

Tash po sa ka dalë nga shtypi libri i Harry Bajraktarit me titull ”Një çerek Shekulli për çështjen e Kosovës në Washington”, botuar nga "Albanian Media Grup" në SHBA.

Libri u kushtohet atyre që, brez pas brezi, u sakrifikuan për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.
Në këto shkrime dominon tematika: Washingtoni dhe shqiptarët e Amerikës për Kosovën, Shqipërinë dhe trojet tjera etnike.

Në këtë vëllim janë botuar edhe shkrimet e autorit të publikuar në gazetën "Illyria", në "Bota Sot”, në gazetën “Dielli” të Vatrës, në 55 , "Panorama", “Telegraf”, “ Lajm” , dhe në disa gazeta e revista të tjera në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Këtu gjen aktivitetin e shqiptarëve të Amerikës nga vitet e 90-ta në të sotmen që kryesisht ka të bëjë me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe me demokratizimin e Shqipërisë. Në libër ndodhen edhe disa intervista të Harry Bajraktarit, dhënë gazetave të ndryshme si dhe letra përshëndetëse, dërguar personaliteteve politike, njerëzve të kulturës dhe klerikëve.

Harry Bajraktari, krahas aktivitetit të tij si veprimtar, në vitin 1991 themeloi edhe gazetën "Illyria" dhe nga atëherë filloi t’i botojë shkrimet e tij në gjuhën angleze dhe shqipe, ndërsa më vonë vazhdoi të publikojë edhe në disa gazeta në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Nëpërmjet këtyre shkrimeve dhe letrave dërguar personaliteteve amerikane, si dhe në bashkëpunim me miqtë e tij amerikanë dhe me shqiptaro-amerikanët, z. Bajraktari, afirmoi në mënyra të ndryshme çështjen kombëtare në Washington. Lexuesi do të ketë rast të njihet për takimet e tij me ish presidentin Clinton, Hilary Clinton, Holbrooke, Joe Biden, Bab Dole, Eliot Engel e figura të tjera amerikane, si dhe me takimet e tij me Dr.Ibrahim Rugovën, Dr. Sali Berishën, me politikanë e intelektualë të tjerë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës. Gjithashtu janë prezentuar edhe disa nga takimet e tij me njerëz të kulturës dhe artit. Në këtë kontekst ai u takua edhe me Bianca Jagger, aktore dhe aktiviste e njohur për të drejtat e njeriut, ish bashkëshortja e Michael Philip “Mik” Jager, njëri nga themeluesit e famshëm të Roling Stones. Në vitin 2006 presidenti George Bush i dha mirënjohje Harry Bajraktarit për shërbim dhe pjesëmarrje qytetare për shtetin amerikan.

Në këtë shënim po paraqesim një fragment nga ky libër:

"Amerika të jep mundësi të ngritesh ekonomikisht, të ndjehesh i barabartë me gjithë të tjerët, të shkollohesh dhe të gjesh profilin tënd, si asnjë vend tjetër në botë. Prandaj, Amerika s’ ka qenë ëndërr vetëm e shqiptarëve, por edhe e shumë popujve të këtij planeti të hequr keq. Vetëm në një demokraci e tillë mund të realizosh synimet e tua. Amerika na krijoj kushte dhe mundësi, kurse ne me punë të përditshme realizuam të mira materiale. Me këto të mira ngritem vetveten, ndihmuam atdheun dhe njerëzit tanë në Kosovë. Mendoj se pa këto mundësi ekonomike dhe pa një sistem të tillë demokratik që ka Amerika, nuk do të kishim shumë vullnet për t' ju përkushtuar vlerave esenciale të kombit.

Mbi këtë bazë kemi vepruar, dhe kështu po veprojmë edhe sot për të qenë pranë vetvetes dhe popullit shqiptar gjithandej në Ballkan".

Llibri është ilustruar me fotografi nga takimet e tij me personalitetet të larta të Amerikës dhe botës nga Bill Clinton tek kryetari i Izraelit Shimon Peres dhe ndahet në 15 kaptina.Vija ndarëse e një kaptine në tjetrën nuk nënkupton edhe tematikën e njëjtë të shkrimeve.

Libri i Harry Bajraktarit “Një çerek shekulli për çështjen e Kosovës në Washington” është botuar me një dizain dhe teknikë të përsosur dhe ka 365 faqe. Të gjitha fotografitë janë me ngjyra, ndërsa në kopertinë është ndërtesa e Konkresit amerikan në Washington DC./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat