Premiera e “Othellos” të enjten hap sezonin e baletit

Kultura

Premiera e “Othellos” të enjten hap sezonin e baletit

Më: 26 shkurt 2015 Në ora: 00:31

Baleti Kombëtar i Kosovës do ta fillojë sezonin e vitit 2015 më 26 shkurt me shfaqjen “Othello”, me koreografi të Pullumb Agalliut nga Shqipëria, i cili rikthehet në Teatrin Kombëtar të Kosovës pas 30 viteve.

Me libret të Shakespeare-t e muzikë të Tchaikosvky-t dhe Hector Berlioz-it, “Othello” është një tragjedi që rrëfen një intrigë dashurie midis personazheve Othello, Desdemona dhe Jago. Drejtori i BKK-së, Ahmet Brahimaj, tha gjatë një konference për shtyp se nga kjo shfaqje pret sukses të madh.

“Në këtë shfaqje është përfshirë pjesa më e madhe e trupës dhe puna është bërë në mënyrë jashtëzakonisht sistematike. Është hapja e sezonës dhe shpresoj që do të jetë e suksesshme”, ka thënë ai, duke vlerësuar punën e teknikëve të dritave dhe kostumeve për këtë shfaqje.

Këtë trupë të baletit koreografi Agalliu e kishte parë vitin e kaluar në Tiranë, ndërsa përshtypjet e mira që i kishte marrë atëherë, i janë shtuar gjatë punës një mujore me ta.

“Baleti vjen në një formë pak a shumë të reduktuar, në formë poeme, ndërsa është më tepër i përqendruar në personazhet kryesore, Othello, Desdemona, Iago dhe Emilia. Që në ditën e parë që e pashë këtë trupë në Tiranë me baletin ‘Dasma’, mu duk shumë e bukur dhe mendova qe edhe këtu mund të arrijmë sukses”, tha Agalliu, duke lavdëruar disiplinën dhe shkathtësitë e trupës.

Aktualisht, koreografi jeton në Baku të Azerbajxhanit ku edhe punon me trupën e Baletit. Ai në Prishtinë kishte vallëzuar krahas Brahimajt në shfaqjen “Halili e Hajria” tridhjetë vite më parë.

Balerina Leonora Rexhepi tha se ka qenë kënaqësi të punohet me koreografin Agalliu, ndërsa balerini Sinan Kajtazi e vlerësoi atë për punën e treguar më trupën e BKK-së, si dhe energjinë pozitive që ka sjellur gjatë realizimit të shfaqjes “Othello”.

“Othello” ka kohëzgjatje prej 49 minutash dhe pas premierës, reprizën e parë do ta ketë më 27 shkurt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat