Libri poetik “Si është Kosova” i Visar Zhitit

Kultura

Libri poetik “Si është Kosova” i Visar Zhitit

Nga: Bekri S Murselaj Më: 30 janar 2015 Në ora: 11:51

Libri poetik Si është Kosova i Visar Zhitit, përmban në vete poezi kushtuar Kosovës si toponim real, duke hapur një qark kohor mjaft të gjatë. Ky libër poetik fillon me poezinë antologjike Si shk-oh-et në… ku jepet shenja e një përkushtimi të veçantë, ku ky libër poetik në tërësinë e tij i kushtohet Kosovës.

Në kapitullin e parë Kufiri…ne këtej dhe andej, është i mbushur ky kapitull me poezi të mallit atdhetar, në këtë kapitull jepen premisat e para brenda këtij librit poetik, të një malli të pashuar për Kosovën dhe në të njëjtën kohë dhe të një dashuri të ndaluar për të. Me këtë rast figurat poetike të cilat janë përdorur në këtë kapitull janë figura poetike që shfaqin një brengë të subjektit lirik dhe njëkohësisht paraqesin një ndalim të lëvizjes së lirë, por dhe një ndalim të të menduarit për Kosovën. Nëse i referohemi vetëm titullit të këtij kapitullit shohim tendencat e pushtetit dhe premisat e subjektit lirik, që janë dy gjendje të ndryshme, ku nuk kanë një pikëtakim në asnjë moment.

Në këtë kapitull dëshira dhe malli i subjektit kalon kufijtë real, që njëherësh janë ndalesa kryesore ku pushteti me të gjitha mundësitë ndalon një qarkullim të lirë, por nëse iu referohemi vargjeve në vazhdim do të njihemi me mallin dhe dashurinë për Kosovën.

Ti, kalë i bardhë, Pegasi im,

Si shkohet në Kosovë, tregom!

Malli më ka marrë pa qenë kurrë.

Këto vargje antologjike për Kosovën, japin shenjën e një malli dhe dashurie të pashuar, që gjithnjë e bart subjekti lirik nëpër kohë, kjo është esenca e gjithë këtij librit poetik, duke pasur parasysh motivin e këtyre poezive brenda këtij librit në fjalë.

Kapitulli i dytë Kthimi pas, sa për të marrë një gjë, që s’dihet ç’është… në këtë kapitull si duket motivi i subjektit lirik pëson një transformim ku kalon prej andej kufirit këndej kufirit, por që motivi për ta vizituar Shqipërinë nuk mungon. Në këtë kapitull shfaqet gjendja psiqike e popullit këndej kufirit (Kosovës), për mallin që kanë për Shqiprinë dhe në të njëjtën kohë, këtu hapet një problematikë tjetër ajo e përndjekjeve si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri.

Të shohësh

Në shkollë mësuesin tënd të arrestuar…

Në ç’faqe ka ngjarë?

Dhe pse?...sepse

Është kosovar

Në këto vargje hapet problematika që shfaqet brenda këtij kapitulli ku subjekti lirik pëson një torturë të vazhdueshme që e përjeton si këndej kufirit ashtu dhe andej kufirit, ku në këtë rast subjekti lirik gjithnjë është në qendër të vëmendjes.

Në kapitullin Eksod si në bibël dhe luftë si në luftë trajtohet më gjerësisht çështja e Kosovës, ku Kosova në këtë libër poetik të poetit Visar Zhiti, është tema dhe tematika që trajtohet brenda këtij librit. Ky kapitull ka në vete poezi që çështjen e Kosovës, e simbolizon ashtu si në të vërtetë ndodh. Ky titull i këtij kapitulli ka një premisë në vete që në këtë rast kjo premisë realizohet ashtu siç duhet, ku ky kapitull fillon me poezinë Gravurë në ajër 1389, që kjo poezi e simbolizon Betejën e Kosovës të po të njëjtit vit, për të vazhduar mëtutje deri në ditët tona të Luftës së Kosovës.

Ky kapitull brenda këtij libri poetik, shfaq Kosovën si një vend të lashtë ku i numërohen gjithë të bëmat e saj, dhe njëherësh të gjitha plagët që kishte, nëse shkojmë mëtutje shohim se Kosova, në këtë kapitull dhe në librin në fjalë në tërësi, shfaqet si një vend i lashtë. Nëse iu referohemi poezive: Gravurë në ajër 1389, Ploja në Kosovë në prag të mijëvjeçarit të ri, Të pambaruara…, Dëbimi i madh etj., janë poezi të cilat japin shenjën e poezisë së dhembjes atdhetare për të kaluarën e Kosovës si një vend i shenjtë dhe i premtuar.

Kapitulli Gjysmë tjetër të vetes… është kapitulli që i plotëson kapitujt paraprak e që në vete mban poezi që iu kushtohen personaliteteve të ndryshme në Kosovë po ashtu dhe qyteteve të ndryshme. Me këtë kapitull synohet të bëhet rrumbullakësimi i dhembjes për Kosovën, dhe kështu ky kapitull gjithnjë ka për qëllim të shfaq dashurin e poetit ndaj Kosovës.

Në këtë kapitull ndërron figura dhe toni në poezi duke pasur parasysh se i gjithë ky kapitull është shkruar pas Luftës së Kosovës, ku njëherësh figura e hiperbolës është mjaft e

pranishme duke shfaqur lavdinë dhe dashurinë pë Kosovën. Secilës poezi që i referohemi në këtë kapitull ka si temë në vete një personalitet, një manifestim apo një qytet të Kosovës.

Libri poetik Si është Kosova i poetit Visar Zhiti, është një libër antologjik për Kosovën, që poezitë në këtë libër përshkruajnë tri periudha kohore të Kosovës, ku periudha e parë, përfshinë kohën e okupimit të Kosovës, periudha e dytë, përshkruan luftën dhe gjenocidin në Kosovë, ndërsa periudha e tretë, përshkruan lirinë e Kosovës. Ky libër poetik ka këtë strukturë tematike në vete.

(Libri poetik Si është Kosova, botua gjatë vitit 2014)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat