Miftari: MKRS do të ndryshojë politikat mbi librin

Kultura

Miftari: MKRS do të ndryshojë politikat mbi librin

Më: 29 janar 2015 Në ora: 20:18

Ministria e Kulturës, duke i njohur përvojat e deritanishme për librin, të cilat nuk kanë arritur asnjëherë që ta ndërtojnë atë lidhjen e pashkëputshme autor-botues-lexues, ka vendosur që t'i ndryshoje politikat e saj për librin, ka njoftuar nëpërmjet facebook, Vehbi Miftari, zëdhënës në Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sporte.” Nga ky vit, Ministria do t'i kushtojë vëmendje blerjes së librit, krahas botimit të titujve të veçante. Ne do ta rrisim ndjeshëm buxhetin për të. Kësisoj, do të krijojmë mundësi të shumëfishta: botuesit të rrisin veprimtarinë e tyre botuese, por edhe t'i kushtojnë rëndësi më të madhe botimit të librit vlerësjellës, bibliotekat do të pasurohen me më shumë tituj të vlefshëm, ndërsa autori do të gjejë më shumë hapësirë botimi, ngase do të rritet ndjeshëm kërkesa e botuesve për dorëshkrime cilësore”, ka shkruar Miftari.

Ai më pas ka shkruar se po e trajtojnë me kujdes edhe raportin e ndjeshëm mes Bibliotekes Kombëtare e botuesve për ekzemplarin e detyrueshëm. “Dorëzimi i këtij ekzemplari Bibliotekës Kombëtare, sikur e parasheh ligji, nuk nënkupton se një titull nuk do të blihet, por mosdorëzimi i tij mund ta pengoje blerjen. Trashëgimia duhet të ruhet për brezat që vijnë e libri paraqet trashëgimi të jashtëzakonshme”, ka përfunduar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat