Kujtohet beteja e Pashtrikut, thyerja e kufirit me Serbinë, pa viktima!

Kultura

Kujtohet beteja e Pashtrikut, thyerja e kufirit me Serbinë, pa viktima!

Më: 28 janar 2015 Në ora: 15:01

Në kuadër të manifestimit mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2015” është mbajtur të martën në Gjilan tryeza e diskutimit lidhur me Betejën e lavdishme të UÇK-së, e zhvilluar në 27 janar të vitit 1999 në Pashtrik.

Në tryezë ka marrë pjesë kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, eprorët: Abdulla Shasivari, Nehat Ibrahimi, Ahmet Alishani, Nexhmedin Kastrati, pastaj ushtarë e veteranë të luftës.

Kreu i Gjilanit Lutfi Haziri tha se është i nderuar që në kuadër të “Flakës së Janarit” ta vendos në kalendar njërën nga betejat e lavdishme, që është ajo e Pashtrikut.

“Jam i nderuar që në kuadër të “Flakës së Janarit” ta vendos në kalendar njërën nga betejat, meqë për betejat tjera atë të Zhegocit në zonën tonë është folur dhe vazhdon të flitet, por tash gradualisht do t’i vendosim në kalendar të gjitha betejat, ku në mënyrë direkte apo indirekte eprorët ushtarak dhe veteranët e luftës dhe bashkëvendasit tanë kanë marrë pjesë”, ka thënë Haziri.

Ai ka kërkuar nga historianët që të punojnë më shumë në zbardhjen e fakteve për të gjitha betejat e luftës, duke siguruar mbështetjen e Komunës.

“Jam ithtar që të zbardhen faktet jo vetëm në luftën e fundit, pasi në 70-vjetorin e masakrës së Gjilanit dhe kryengritjen më të madhe në ish-Jugosllavi, u pa që historianët kanë shkruar shumë pak. Historianët duhet të punojnë shumë dhe ju siguroj mbështetje të mjaftueshme në mënyrë që të zbardhet roli, rëndësia dhe pjesëmarrja e njerëzve, autoriteteve dhe luftëtarëve në kontributin e madh që kanë dhënë për liri të vendit. Natyrisht që edhe kjo Betejë është ajo që, siç thotë komandanti Abdulla Shasivari, është “betejë pa viktima”, e që në luftëra moderne dhe në lufta të mëdha eprorët dhe strategët i planifikojnë të gjitha aktivitetet që të ketë sa më pak viktima ose mos të ketë farë”, tha Haziri.

Udhëheqësi i kësaj beteje Abdulla Shasivari ka thënë se kjo është një “Betejë pa viktima” në të cilën humbje ka pasur vetëm armiku. Ai ka treguar për mobilizimin dhe përgatitjen në të cilën kanë marrë pjesë 250 veta.

“Suksesi i jonë në këtë betejë ishte i jashtëzakonshëm dhe i kalon kufijtë e suksesit të paraparë sipas artit ushtarak”, tha Shasivari.

Gjatë diskutimit është vlerësuar se Beteja e Pashtrikut është vlerësuar një margaritar i rrallë.
Ai shquhet në tri [ështje, 1. llogaritet si një betejë historike; 2.Thyerje kufirit me luftë pa viktima; dhe 3. Suksesi në këtë betejë ishte i jashtëzakonshëm dhe i kalon kufijtë e suksesit të paraparë sipas artit ushtarak.
Ndërsa, shefi i shtabit të ZO-Pashtrik Nexhmedin Kastrati thotë: Suksesi i kësaj njësie është profesionalizmi e sidomos komandimi nga komandanti A. Shasivari që ishte shumë profesional duke realizuar të gjitha veprimet luftarake.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat