Gjergj Prevazi dhe Kico Londo sjellin në skenë 2 premiera të reja

Kultura

Gjergj Prevazi dhe Kico Londo sjellin në skenë 2 premiera të reja

Më: 27 janar 2015 Në ora: 22:40

Sezoni artistik në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” do të sjellë dy premira të reja. E para do të jetë premiera e shfaqjes dansteatër “Kundërshtimi” që do të shfaqet në mesin e muajit shkurt nga koreografi i njohur Gjergj Prevazi.

Për shfaqjen e tij, koreografi i njohur Prevazi ka zgjedhur dy artistë Elton Cefën e Labinot Rexhepin. Në sinospin e veprës shkruhet se dy kërcimtarë ndajnë bashkarisht çdo ditë të njëjtën hapësirë pune, jetojnë së bashku si shokë në të njëjtin apartament, hanë të njëjtin ushqim që e gatuajnë së bashku, kanë ide dhe qasje të përafërta për jetën, shoqërinë, femrat, etj. Në këtë situatë koreografi Prevazi sjell një qasje Frojdike, por me mjetet shprehëse të dansit dhe teatrit, me fjalën dhe imazhin filmik. Imazhet sipas koreografit “provokojnë n” audiencën, duke e ftuar drejt një reflektimi intelektual, i cili jo detyrimisht ndodh gjatë kohëzgjatjes së performances.

Premiera tjetër e afërt që pritet të ngjitet në TKE “Saphivogli” është drama “Arturo Ui” e shkruar nga Bertolt Brecht do të vijë në skenë me regji të Kiço Londos. Kjo shfaqje teatrore prej vitesh i ka munguar skenës së teatrit shqiptar, dhe tashmë regjisori Londo e sjell si pjesë të sezonit artistik. Për këtë vepër ka ende detaje për t’u zbuluar si dhe mbi pjesëmarrjen e aktorëve që do të interpretojnë. Kjo vepër është vënë për herë të parë më 1971 në teatrin shqiptar nga trupa e Teatrit Popullor, sot Teatri Kombëtar, me regji nga regjisori Pirro Mani.

Këtë vepër e ka shqipëruar Robert Shvarc, dhe në kohën kur u vu në teatrin shqiptar pati shumë sukses. Tashmë do të jetë regjisori Londo ai i cili do ta sjellë në skenë për publikun. Në dramën që mban emrin e Bertolt Brecht, ngjarja zhvillohet në Çikagon e viteve 1930. Aty krimi, kapitali e politika janë ndërlidhur. Brecht, ngre paralele midis ngjarjeve të atyre viteve me ngjarjet e fuqizimit të regjimit nazist, ku Ui është Adolf Hitler.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat