Galeria Kombëtare përmbyll me sukses vitin 2014

Kultura

Galeria Kombëtare përmbyll me sukses vitin 2014

Nga: Diana Bunjaku Më: 24 dhjetor 2014 Në ora: 13:48

Në vitin 2014 në Galerinë Kombëtarë të Kosovës organizuan 10 ekspozita vendore dhe ndërkombëtare, individuale e kolektive, ku janë paraqitur të gjitha shprehjet e arteve pamore: piktura, skulptura, grafika, video-arti, instilacioni dhe fotografia.

Për shënimin e gjashtë të Përvjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, GKK në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor dhe artistik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës realizoi ekspozitën në bashkëpunim me Fototekën Kombëtare "Marubi" në Shkodër, ku u paraqiten fotografi të pa ekspozuara më parë prej të gjithë fotografëve
të fondit të Fototekës Marubi: Pietro, Kel e Gegë Marubi, Kel Idromeno, Pejtër Rraboshta, Dedë Jakova, Shan Pici dhe Nënshati. Ky ishte njëherësh bashkëpunimi i parë në kuadër të kalendarit te përbashkët kulturor dhe artistik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.

Ekspozitat personale të këtij viti ishin ekspozita personale e artistit anglez Henry Moore: Grafika dhe skulptura të përzgjedhura në bashkëpunim me British Council si dhe ekspozitat personale të artistëve Sokol Beqiri: Retrospektivë e kuruar nga z. Erzen Shkololli, dhe Petrit Halilaj "Zemër shtype pullën dhe fshima kujtesën" e kuruar nga Vesa Sahatçiu.
Ekspozitat personale nga konkursi ishin ajo e Orhan Kurtollit e titulluar ‘Koordinatat onirike të nënvetëdijes’ e kuruar nga Gëzim Qendro, ekspozita e fotografit Hazir Reka e titulluar ‘Çasti I gozhduar’ e kuruar nga Nikola Šolić, ekspozita e Flaka Halitit e titulluar “Herën e fundit kur të kam google ty, je dukë ndryshe” e kuruar nga Markus Miessen dhe ekspozita e karikaturistit NEKRA Nexhat Krasniqi e titulluar “Përtej” e kuruar nga Zeni Ballazhi.

Ekspozitat grupore të cilat u realizuan ishin edicioni i 10-të i Ekspozitës Ndërkombëtare Çmimi Muslim Mulliqi e kuruar nga Corinne Diserens nën konceptin kuratorial "Si e rënë nga qielli, një sens i mendësisë publike" e cila prezantoi 31 artistë ndërkombëtarë dhe vendorë. Fituese e këtij edicion ishte Flaka Haliti me punën e saj. ‘Kapuçat nevojitet pas kësaj pike’ si dhe ekspozita grupore edicioni i 12-të i Çmimit Artistët e së Nesërmes, fituese e të cilit ishte Doruntina Kastrati.

Gjithashtu, në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor dhe artistik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës; Ministrisë së Rinisë Kulturës dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë, u organizua në Tiranë ekspozita “Simon Shiroka - Retrospektivë” e kuruar nga drejtori i GKK, Erzen Shkololli.

Ndërsa Drejtori i Galerisë Kombëtare të Kosovës, Erzen Shkololli ishte pjesë e konferencave dhe simpoziumeve të ndryshme ndërkombëtare ku ai e prezantoi.
Për më shumë, programi i propozuar nga drejtori i GKK, Erzen Shkololli, u aprovua nga Bordi i Drejtorëve të GKK-së. Ekspozitat personale për vitin 2015 do të jenë:

ekspozita personale e artistit Hamdi Bardhi, ekspozita personale e artistes Šejla Kamerić, dhe ekspozita personale e Isak Asllanit.

Gjithashtu do të mbahet ekspozita e koleksionit ‘Kontakt’ nga Erste Foundation në Vienë, Austri. Koleksioni 'Kontakt' i Erste Foundation mbledh veprat të cilat luajnë një pjesë integrale brenda historisë së artit evropian. Puna e koleksionit është ngulitur në një program të aktiviteteve të lidhura, duke përfshirë ekspozita, hulumtime,
dokumentacione dhe eksplorime të kuadrit social dhe politik në të cilin janë prodhuar veprat e artit. Koleksioni Kontakt i Erste Foundation i cili fokusohet ne artin e Evropës lindore dhe juglindore do të ekspozohet për herë të parë në Kosovë.

Për të shënuar Përvjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, GKK do të realizoj ekspozitën e artistit eminent Kosovar Muslim Mulliqi veprat e të cilit nuk janë ekspozuar dhe rrjedhimisht nuk janë parë për një kohë të gjatë për publikun shqiptar që nga ekspozimi në Galerinë e Kombëtare të Arteve në Tiranë në 1993 dhe ekspozimi në GKK në vitin 2000. Kurator i ekspozitës do të jetë drejtori i Galerisë Kombëtare të Kosovës, Erzen Shkololli.

Ekspozitat grupore tani më tradicionale të GKK në vitit 2015 do të jenë edicioni i 14-të i Ekspozitës Ndërkombëtare të Fotografisë Gjon Mili dhe edicioni i 13-të i Çmimit Artistët e së Nesërmes.

Në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor dhe artistik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës; Ministrisë së Rinisë Kulturës dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë, do të organizohet ekspozita “Realizmi Socialist” në GKK nën mbikëqyrje të GKA në fund te vitit 2015 rrjedhimisht në muajin dhjetor dhe do të qëndroj hapur deri në Janar të vitit 2016.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat