E vërteta për masakrën e Vranishtit

Kultura

E vërteta për masakrën e Vranishtit

Nga: Bardhosh MICAJ Më: 21 dhjetor 2014 Në ora: 10:11

Vranishti i Vlorës në të gjithë historinë e tij shumëvjeçare ka demonstruar vlera dhe veprimtari të shquara patriotike dhe liridashëse. Në luftërat e Janinës në vitet 1908 dhe 1913 ka dërguar luftëtarë dhe çetën e tij për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Në vitin 1920 mori pjesë me 250 burra në luftën e Vlorës kundër Italisë pushtuese. Bij të Vranishtit kanë marrë pjesë në Çetat e Isa Boletinit në luftën kundër Serbëve në Veri të Shqipërisë. Djem të Vranishtit si Hysen Cinua, Shaban Seferi dhe Muharrem Llanaj, e nisën veprimtarinë e tyre antifashiste që në vitet 1939-1940, kur s’kishte dalë në skenë Partia Komuniste, sepse frymëzuese për të ishte tradita patriotike e fshatit. Dhjetëra bij e bija të Vranishtit morën pjesë në rreshtat partizane dhe i sollën nder e lavdi fshatit.
Lufta Nacionalçlirimtare ishte epopeja më e lavdishme e popullit shqiptar, por kjo luftë pati vlerat dhe antivlerat e saj. Vlera historike më e madhe e kësaj lufte ishte populli shqiptar që e realizoi dhe mbështeti këtë luftë, ishin partizanët dhe komandantët e tyre që e bënë këtë luftë, ishin nacionalistët antifashistë që deshën lirinë dhe Shqipërinë etnike. Por antivlera më kriminale ishte klani mafioz, sllavo-komunist i Enver Hoxhës që instrumentalizoi ndërgjegjen patriotike të partizanëve, vrau e burgosi 90% të komandantëve të batalioneve, brigadave dhe divizioneve partizane, hapi luftën vëllavrasëse, duke eliminuar intelektualët nacionalistë, për të realizuar programin famëkeq komunist. Gjenerali i nderuar Rahman Perllaku në kujtimet e tij për luftën e brigadës së pestë në shtator 1944 në Shishtavec të Kukësit kundër forcave të Muharrem Bajraktarit midis të tjerave theksoi:
“Në këtë luftë u vranë 46 partizanë për faj të një urdhëri të gabuar të Shtabit të Përgjithshëm U.N.Ç. Në këtë lufte u vra dhe Komandanti i Batalionit të tretë, biri i Vranishtit dhe kryetrimi i Brigadës së pestë, Hysen Cino. Ai u vra nga mbas shpine. Një aventurë e tillë komuniste ishte dhe shkaku i masakrës që bënë gjermanët në Vranisht”.
Pse ndodhi masakra e Vranishtit ?.....
-Ishte dhjetor i vitit 1943. Pararoja e trupave të shumta gjermane që ishin në kalim, paraprinte ushtrinë. Pararoja e përbërë nga 10 trupa, erdhën në Vranisht, u futën në fshat, panë dhe takuan njerëz paqësisht dhe aty brenda fshatit në një lëndinë u ulën të hanin bukë. Liderët komunistë që drejtonin luftën kishin planifikuar që diku midis Vranishtit dhe një fshati fqinjë, gjermanëve tju bëhej një pritë. Por çuditërisht erdhi një lajmëtar në Vranisht dhe njoftoi se prita nuk do të bëhej atje ku ishte planifikuar. Pesë partizanë dhe këshilltarë kokëbosh të Vranishtit nisur dhe nga euforia komuniste, apo edhe ndonjë paranojë e trashëguar për të marrë veshjet e viktimave gjermane, bënë pritë pararojën gjermane, e cila ishte duke ngrënë bukë dhe vrau nëntë prej tyre. Forcat e shumta gjermane u njoftuan nga ushtari që ngeli gjallë. Vijnë në fshat, bëjnë raprezalje hakmarrëse, duke vrarë gra e burra që gjetën dhe dogjën shtëpitë. Mbas dy muajsh në shkurt 1944 gjermanët erdhën në fshat për të plotësuar hakmarrjen, vranë njerëz të pafajshëm dhe dogjën fshatin. Shuma e të vrarëve vajti rreth 70 gra dhe burra. Për të zbardhur, me vonesë publikisht, shkaqet e kësaj tragjedie makabre duhet bërë disa pyetje që një pjesë e opinionit shoqëror nuk i di:
-Pse u anullua urdhëri i parë i pritës që ishte planifikuar nga liderët komunistë????
-Pse u bë prita në mes të fshatit në kundërshtim me parimet e luftës dhe larg arsyes më të thjeshtë njerëzore????
-Ata që ideuan dhe realizuan pritën, e dinin parimin e egërsisë dhe hakmarrjes gjermane, pse nuk e mbrojtën fshatin që lëngonte në varfëri dhe në të ftohtin e dimrit, por e shikonin me dylbi nga shpellat e malit të çikës tymin e shtëpive që po digjeshin dhe ulërimat e grave dhe fëmijëve????
-Po të mos ishte bërë prita në mes të fshatit, do të ishin vrarë 70 njerëz fatkeq???
Kur dihet që gjermani në ecje kaloi dhe në fshatra të tjerë dhe nuk vrau njeri. Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë një akuzë për ata që populli i Vranishtit s’duhet t’u përmendte as emrat, se ata i ndihmoi toka që pranon në gjirin e saj heronjtë dhe njerëzit e thjeshtë, por edhe kriminelët dhe aventurierët. Kjo është e vërteta e hidhur që ka lënguar prej vitesh, e shkaktuar nga marrëzitë e liderëve komunistë gjatë luftës. Ata janë munduar ta lënë këtë ngjarje tragjike në mjegull, për ta harruar e për të larguar përgjegjësitë e tyre.
Në shoqërinë totalitare, në fshatin e Vranishtit asnjëherë nuk u fol dhe nuk u përkujtua kjo ngjarje. Asnjëherë nuk u nxorrën në memorien historike ata që shpëtuan gjallë nga breshëritë gjermane. Asnjëherë nuk u fol për ato nëna heroike që i morën në krahë burrat dhe djemtë e tyre nga fshati Brataj ku u vranë dhe i sollën në Vranisht. Nuk u fol se disa prej këshilltarëve, ato ditë ishin strukur në katojat e padjegura.
Menaxherët e Partisë Komuniste në fshat asnjëherë nuk përmenden emrat e “guerilasve” dhe ideatorëve madhorë që urdhëruan pritën. Nuk u shkrua një botim apo këngë folklorike, vetëm patrioti i shquar dhe rapsodi Xhemil Duka i bëri skanerin ngjarjes nëpërmjet këngës, ku midis të tjerave edhe këto vargje:

Qëllimi i shtazës naziste
Ishte gjoja sikur mirr hak
Po në popull si përkiste
Të derdhte gjithë atë gjak ….

Këto vargje të këngës dikush i ndaloi që të këndoheshin nga populli. Pse??? Sepse e vërteta e hidhur i mundonte.
Padrejtësia e sistemit totalitar dhe e atyre që e drejtonin këtë sistem në Vranisht, lidhur me vlerësimin e këtyre martirëve arriti deri aty sa disa që kishin rrethana i bëri dëshmorë të tjerët jo.
E bëj këtë sqarim se është koha, ku historia kombëtare apo lokale e luftës, të zbardhet dhe e vërteta reale të hidhet në opinion, sepse kështu ajo është objekt edukimi për pasardhësit. Duke zbardhur dhe analizuar me vërtetësi këtë tragjedi njerëzore mendoj se ju bëj një shërbim atyre njerëzve të pafajshëm që se kuptuan se cila qe ajo mendësi egoiste e çmenduri që u shkaktoi vdekjen e tmerrshme.
Parisin e shpëtoi gjenerali Peten që nuk lejoi të qëllohen gjermanët gjatë kthimit në Gjermani. Për këtë presidenti De Gol e dekoroi./rd

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat