Dramatizimi i romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, botohet në turqisht

Kultura

Dramatizimi i romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, botohet në turqisht

Më: 20 dhjetor 2014 Në ora: 22:56

Shtëpia botuese turke “Mitos Boyut”, ka përkthyer dhe botuar dramatizimin e romanit të realizuar nga dramaturgu kosovar, Jeton Neziraj.

Lajmi bëhet i ditur nga qendra “Multimedia” në Prishtinë ku theksohet se dramatizimi i kësaj vepre, i botuar me titull “Ölü Ordunun Generali “, është përkthyer në turqisht nga Bilge Emin, ndërsa në muajin janar kjo dramë pritet edhe inskenohet në Teatrin e Qytetit të Stambollit.

E përshtatur për skenë nga Jeton Neziraj, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ka pasur premierën në vitin 2009 në Teatrin Shqiptar në Shkup, me regji të Dino Mustafiq, kurse me Bajrush Mjakun në rolin e Gjeneralit.

Në turqisht janë përkthyer e botuar edhe 5 drama të tjera të Nezirajt, dy prej të cilave, “Yue Madeleine Yue” dhe “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” gjithashtu janë vënë në skenë.

Jeton Neziraj jo vetëm në skenën e Shkupit dhe Kosovës, por gjatë kësaj kohe nuk ka munguar me veprat e tij dhe në Teatrin Kombëtar të Tiranës duke marrë jo pak vlerësime.

Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove të vendeve të Ballkanit, “Bursa 2014”, mbajtur në datat 8 deri më 22 mars të këtij viti, Teatri Shqiptar nga Shkupi shfaqi dramën “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, shkruar nga Ismail Kadare, me regji të Dino Mustafiç.

Salla e teatrit ishte e mbushur me artdashës të artit skenik shqiptar dhe të gjuhës shqipe, duke pasur parasysh se Bursa është një nga qendrat ku shqiptarët e shpërngulur nga trojet e të parëve janë përqendruar kryesisht në këtë qytet. Spektatorët patën mundësi të ndjekin një shfaqje të kompletuar në të gjitha aspektet, duke filluar nga skenografia tepër funksionale dhe në shërbim të plotë të konceptit regjisorial, trupës së aktorëve e sidomos të dy gjeneralëve, Gjeneralit-Bajrush Mjakut dhe Gjeneral Lajtnant-Adem Karagës, të ndihmuar nga e trupa e aktorëve të tjerë si, Adrian Aziri, Xhevdet Jashari, Vebi Qerimi, Silvana Bajçinovci, etj.

“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, është vepra që i dha njohjen ndërkombëtare Kadaresë.USHTKAD

Një gjeneral dhe një prift italian, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, shkojnë “në vendin e bijve të shqipes” për të gjetur eshtrat e ushtarëve të rënë italian gjatë kohës të pushtimit të Shqipërisë. Detyra kryesore e gjeneralit është kërkimi dhe gjetja e eshtrave të një koloneli, i cili u zhduk pa gjurmë në një fshat të vogël shqiptar. Rrethanat e zhdukjes të kolonelit e ndërlikojnë shumë situatën. Pas shumë mundimeve të kota, eshtrat a kolonelit nuk u gjetën.Gjenerali hedh ato eshtra ne humnere dhe nga ai moment prish raportet me priftin. Si përfundim gjenerali është i mundur në detyrën e tij, dhe në një moment dobësie vendos të maskojë eshtrat e pagjetura të kolonelit me eshtrat e një të panjohuri.

Ismail Kadare është autor i shumë veprave në poezi e prozë, laureat i shumë çmimeve kombëtare, kandidat i çmimit Nobel për shumë vite me radhë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale.
Vepra e Ismail Kadaresë është përkthyer në 32 gjuhë të huaja duke arritur kështu një rekord të përhapjes në tërë botën e qytetëruar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat