Agnus Dei paraqitet edhe në disa festivale

Kultura

Agnus Dei paraqitet edhe në disa festivale

Më: 17 dhjetor 2014 Në ora: 09:15

Filmi Agnus Dei i regjisorit Agim Sopi, prodhim i AS Film Production nga Prishtina, është përzgjedhur që të shfaqet në programet zyrtare edhe të gjashtë festivaleve.

Filmi Agnus Dei i regjisorit Agim Sopi, prodhim i AS Film Production nga Prishtina, është përzgjedhur që të shfaqet në programet zyrtare edhe të gjashtë festivaleve të rëndësishme ndërkombëtare duke e çuar në 75 numrin e festivaleve pjesë zyrtare e të cilave ka qenë ose do të jetë.
Prej 15 deri më 2 dhjetor, “Agnus Dei” do të shfaqet në programin zyrtar të festivalit “Back in the Box Competition Film Festival” në Los Angeles të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Poashtu në fund të muajit dhjetor dhe në fillim të muajit janar, prej 26 dhjetor 2014 deri më 06 janar 2015, do të shfaqet në “Manila International Film Festival” në Manila të Filipineve. Nga data 23 – 26 janar, do te shfaqet në “Flathead Lake International Cinemafest” në Polson Montana të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kurse gjatë muajve të pranverës, do të shfaqet në festivalet prestigjoze të tri kontinenteve, duke filluar me “Colortape International Film Festival” që mbahet në Brisbane të Australisë , pastaj në festivalin më të madh kinez, “Hong Kong International Film Festival” në Hong Kong, për tu kthyer në festivalin e njohur “Open World Toronto International Film Festival” në Kanada.
"Në muajt e pranverës, filmin Agnus Dei e presin edhe disa festivale të tjera shumë të rëndësishme", ka bërë të ditur regjisori Sopi.
Gjatë udhëtimit dy-vjeçar nëpër festivale të ndryshme në të katër anët e botës, Agnus Dei i ka sjellur Kosovës 34 nominime dhe ka fituar 25 çmime ndërkombëtare nga të cilat 18 çmime të para. Për filmin Agnus Dei, janë shkruar me qindra recensione vlerësuese nëpër mediet botërore.
“Agnus Dei” e ka përfaqësuar Kosovën pothuajse në të gjitha shtetet e mëdha të botës që nuk e kanë njohur Kosovën, si: Kina, India, Indonezia, Iraku, Bangladeshi, Nigeria, Rusia, Greqia, Spanja, Argjentina, Meksika, Brazili, Kili, Urugvaji, etj. Nga këto vende, filmi Agnus Dei ka sjellur tetë çmime të para të festivaleve më prestigjioze të këtyre shteteve si në Indi, Malajzi, Greqi, Meksikë, Indonezi, Spanjë, gjë që dëshmon, se bota pothuajse në tërësi e njeh dhe e vlerëson Kosovën shpirtërore dhe artistike, por fatkeqësisht nuk e njeh Kosovën politike./KultPlus

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat