Produkte autoktone në panairin “Blej Shqip”

Kultura

Produkte autoktone në panairin “Blej Shqip”

Më: 28 nëntor 2014 Në ora: 15:24

Me fillim nga sheshi “Nëna Terezë” e deri në sheshin “Zahir Pajatizi”, mund të kalohet duke parë, duke provuar e sigurisht edhe duke blerë produkte autoktone shqiptare. Veshje kombëtare, ushqim tradicional, flamuj kuq e zi, pllaka të punuara me flamurin autokton, dekore e kristale, të prodhuara nga shqiptarët nga e gjithë treva shqipfolëse janë ekspozuar edhe sot në ditën e dytë të panairit, “Blej Shqip”.

Ky panair është ndër të parët që po organizohet me një pompozitet më të madh, ku në të po marrin pjesë rreth 100 kompani,shkruan Kultplus. Interesimi i qytetarëve sipas pjesëmarrësve është i kënaqshëm, por gjatë ditës së sotme ata presin edhe më shumë interesim dhe shitje. Bledio Base, që përfaqëson kantinën “Bardha” u shpreh i kënaqur që kjo kantinë është pjesë e këtij panairi të organizuar nga dy institucione shqiptare.

“Punoj në kantinën “Bardha” që gjendet mes Tiranës dhe Durrësit, në fshatin Marikaj. Kemi ardhur këtu me dy produkte autoktone shqiptare që janë “Sheshi i bardhë” dhe “Sheshi i zi”, dy produkte me cilësi shumë të lartë të cilat ne i mbajmë si dy verërat më të mira të kantinës. Ky është një eveniment shumë i mirë për të githë ne sepse promovohet produkti shqiptar dhe ai kosovar”, tha Base.

Ndër të tjerash me ushqime tradicionale ishin edhe “Meka Hallall Food”, ku menagjeri i kësaj kompanie, Pirro Piraj tha për KultPlus se në çdo panair ata marrin pjesë sepse vetëm me panaire e organizime të tilla mund të vetëdijësohet drejt blerjes së produkteve shqiptare.

“Ne gjithmonë i përcjellim panairet, por një lloj i këtij panairi është për herë të parë dhe është një iniciativë shumë e mirë, mbi të gjitha të vetëdijësohet popullata që mos të blejë produkte tjera po ti blejë prodhimet vendore që ta ndihmojë vendin tonë”, tha ndër të tjera Piraj.

E mu tek sheshi “Zahir Pajaziti”, filloi edhe koncerti me rapsodët shqiptarë.

“Ne marrim pjesë rregullisht për çdo vit dhe jemi shumë të kënaqur me këto evenimente sepse mbi të gjitha po njoftohemi me shumë kultura të reja”, tha për KultPlus kryetari i shoqatës së rapsodëve të Kosovës, Gani Demolli.

Ndryshe nga 28 nëntori i kaluar, këtë vit festa po kalon në ritme të muzikave të ndryshme, duke parë gjëra të bukura dhe me vlerë që janë autoktone, duke ngrënë e duke pirë.

Panairi organizohet nga Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes e Republikës së Shqipërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat